Vendosja e luleve në Husaj  në vendin e krimit(18 prill 1999)

Dilemat tona

Në mjediset e pakonsoliduara, sikurse është Mali i Zi, nuk është befasi që  për çështje identike  të përdorën standarde të dyfishta, që dëshmohet me veprimin nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe  Mediave,   e cila miraton vendosjen e bustit të mitropolitit Amfillohije, ndërsa nga ana tjetër nuk i përgjigjet  pozitivisht iniciativës së shqiptarëve për vendosjen e pllakës përkujtimore në vendin e krimit në Rozhajë  ku janë vrarë 21 qytetarë shqiptarë nga Kosova nga armata jugosllave  në prill të vitit 1999

Nga Nail  Draga

Ne nderim të 21 viktimave të shqiptarëve nga Kosova të cilët janë vrarë  me 18 prill 1999 nga ushtria jugosllave në Husaj të Rozhajës, me rastin e 25-vjetorit të masakrës, nga familjaret e tyre  dhe Komitetit malazias të juristëve për mbrojtje të drejtave të njeriut në vitin 2024 me një kërkesë i janë drejtuar Ministrisë së kulturës  dhe mediave që në vendin e krimit të vendosët një pllakë përkujtimore me emrat e të vrarëve, sipas procedurës e dispozitave ligjore.

Heshtje morale e politike

Por, në vend që një kërkesë e tillë të jetë formalitet në shërbim të drejtësisë  ne nderim të viktimave të pafajshme, nga Ministria e Kulturës dhe e  Mediave  kanë heshtur duke mos dhënë përgjigje.

Nuk ka dilemë se tejkalimi i afatit ligjor për të dhënë  përgjigje, është dëshmi e sjelljës jo vetëm byrokratike, por  kemi të bëjmë me heshtjen morale e politike, nga vet fakti se viktimat ishin qytetarë shqiptarë nga Kosova, ndërsa përgjegjës  kanë qenë ushtarët e  Armatës jugosllave. Dhe nga mungesa e lejës për vendosjen e pllakës përkujtimore  ajo nuk është realizuar deri më tash, që është dëshmi e standardëve të dyfishta të institucioneve qeveritare kur janë në pyetje shqiptarët.

Cekim me këtë rast se kosovarët në cilësinë e refugjatëve ishin zhvendosur nga lufta në Kosovë për të gjeur shpëtim, por këtu gjetën vdekjen. Ndonëse ata shpëtuan nga terrori ushtarako-policor serbë  në Kosovë, këtu u vranë nga pjesëtarët e ushtrisë jugosllave(serbo-malazeze). Ndonëse ndaj këtij veprimi kriminal është zhvilluar një proces gjyqësor  në Mal të Zi, por gjykata të akuzuarit për këtë krim i ka shpallur të pafajshëm(2014), duke dëshmuar se nuk është në favor të drejtësisë, për të dënuar vrasesit e qytetarëve, të cilët ishin fajtorë vetëm se ishin të një kombi tjetër!

 Mitropolitit Amfillohije monumenti në Kollashin

Nga ana tjetër opinioni është informuar se në  sajë të kërkesës nga komuna e Kollashinit për ndërtimin e monumentit kushtuar mirtopolitit Amfillohije, vendimin e ka propozuar Ministria e Kulturës dhe e Mediave, ndërsa miratimi është realizuar ne mbledhjen e Qeverisë të mbajtur me 18 shtator 2025.  Ndërsa po ashtu bëhet me dije se një monument i tillë do të vendoset edhe në Berane.

Vazhdon sindromi kundër shqiptarëve

Nuk ka dilemë së një qendrim i tillë nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe  e Mediave  është me prapavi politike dhe dëshmi e qasjës së dyfishtë, sepse kur janë pyetje shqiptarët, heshtet apo refuzohen kërkesat e tyre, nga del se këtu ende është i pranishëm sindromi kundër shqiptarëve edhe tash në pluralizëm pavarësisht se cila qeveri është në pushtet. Ndërsa rastet e dëshmuara deri më tash e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë.

Heshtje nga ministrat shqiptarë

Në lidhje me mos miratimin për vendosjen e pllakës  përkujtimore në Rozhajë nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe e Mediave, nuk kemi pasur rast të dëgjojmë  se ka pasur ndonjë reagim nga ministrat shqiptarë në Qeverinë e Malit të Zi. Ndërsa kur është diskutuar në mbledhjen e Qeverisë  për dhënien e pëlqimit për vendosjen e monumentit të mitropolitit Amfillohije në Kollashin, ministrat shqiptarë e ata boshnjakë bëhet me dijes se  nuk janë deklaruar  nga del se kanë qenë kundër një vendimi të tillë.

Pavarësisht aktualitetin politik e shoqëror një qëndrim i tillë nuk është i mjaftueshëm sepse ka munguar reagimi publik për të njoftuar opinionin me pikëpamjet e tyre në lidhje me  këtë çështje, nga del se ishte vendim politik I shumicës aktuale parlamentare, që ka irrituar opinionin në Mal të Zi, sepse kemi të bëjmë me qasje të dyfishta, që është kundër parimeve demokratike në botën e qytetëruar.

Përfundim

Vendosja e pllakës përkujtimore kushtuar krimeve  në Husaj të Rozhajës  është  çështje identitare e shqiptarëve si e drejtë e tyre autonome, ku çdo pushtet demokratik do ta mbeshteste një veprim të tillë jo vetëm në mënyrë declarative por edhe financiare, por fatkeqsisht pushteti aktual dëshmon se vuan nga sindromi antishqiptar edhe tash në pluralizëm. Vendosja e pllakës përkujtimore, në vendin e krimit  me emrat e viktimave nëse tash nuk është lejuar duhet të insistohet që ajo të  vendoset më vonë, duke qenë dëshmi e krimit ndaj qytetarëve të pafajshëm nga Kosova.

(Tetor  2025)

By admini

Leave a Reply