Forca e Re Demokratike ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Malit të Zi për ndërprerjen e regjimit pa viza për qytetarët turq, duke e cilësuar këtë si një veprim të nxituar që mund të dëmtojë marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Sipas njoftimit të kësaj partie, qeveria ka miratuar ndryshimin e Dekretit për regjimin e vizave pa mbajtje të mbledhjes formale, vetëm në bazë të pëlqimeve nga një pjesë e anëtarëve të saj. Ky vendim, sipas Forcës, duhej të ishte analizuar më thellë dhe trajtuar përmes institucioneve të drejtësisë, e jo të ndikonte në raportet ndërshtetërore.

“Shprehim shqetësim për këtë vendim të shpejtuar të qeverisë, pasi ai mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e mira midis Malit të Zi dhe Turqisë. Situata e krijuar mund të zgjidhej përmes sistemit të drejtësisë, pa dëmtuar aspektin diplomatik,” thuhet në reagimin e Forcës.

Partia thekson se rasti që ka çuar në këtë vendim – një incident i rëndë ku është përfshirë një qytetar turk – nuk duhet të përdoret si arsye për ndëshkimin e të gjithë shtetasve të atij vendi. Përkundrazi, Forca kërkon që organet kompetente të shtetit të përmirësojnë sistemin e kontrollit të qytetarëve të huaj, për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

“Ky nuk është rasti i parë i tillë në Mal të Zi, dhe tregon se institucionet përkatëse duhet të jenë më të vëmendshme dhe të marrin masa më efikase për të parandaluar veprimet e personave me rrezikshmëri të lartë,” thuhet më tej në deklaratë.

Në fund, Forca e Re Demokratike shpreh keqardhje për incidentin e ndodhur, duke uruar shërim të shpejtë për personin e lënduar dhe kërkuar që autorët e aktit të marrin dënimin e merituar.

By admini

Leave a Reply