
Mungesa e strategjisë dhe dyshime për trukime në fund të kampionatit
Rënia e Otrant Olimpik nga Ulqini në Kategorinë e Dytë të futbollit malazez ka lënë pas shumë zhgënjim, emocione të përziera dhe një mori pyetjesh pa përgjigje – jo vetëm për shkak të rezultateve në fushë, por edhe për mënyrën se si u administrua ky sezon i vështirë. Në ndeshjen e fundit kundër Arsenal nga Tivati ekipi nga Ulqini luajti mire, fitori me rezultatin e pastës 4:1, por e pamjaftueshme për të realizuar qëllimin, mbijetesen e Ligën e parë futbollistike të Malit të Zi, shkruan Ulqini Online.
Klubi nga Ulqini, që për vite të tëra ka qenë krenari e qytetit dhe shembull i dashurisë së komunitetit për futbollin, këtë sezon u përball me sfida të mëdha logjistike dhe organizative. Skuadra luajti thuajse të gjitha ndeshjet jashtë fushe, për shkak të mungesës së një stadiumi funksional në qytetin e vet. Vetëm dy ndeshje u zhvilluan në fushën e re të inaguruar vetëm dy javë para fundit të sezonit – një vonesë që nuk arsyetohet për një klub me pretendime.
Por më e madhe se mungesa e infrastrukturës ishte mungesa e një strategjie të qartë. Investimet ishin të mëdha, ndoshta edhe të pakontrolluara: çmime marramendëse për blerje lojtarësh të huaj, ndërsa talentët vendorë u lanë mënjanë. Ky orientim i gabuar në ndërtimin e skuadrës rezultoi fatal. Otranti nuk arriti të krijojë një grup solid dhe të motivuar, që të përfaqësojë me dinjitet qytetin në fushën e blertë.
Ulqini është një qytet me traditë të fortë sportive, me tifozë të zjarrtë që e ndjekin ekipin me pasion, por as mbështetja e tyre nuk mjaftoi për të shmangur fatin e hidhur të rënies në një kategori më poshtë. Edhe pse në përballjet direkte me Jezeron, Otranti ishte më mirë, në fund ishte Jezero që siguroi qëndrimin në ligë – falë një fitoreje befasuese ndaj Buduqnostit, skuadër që pak më parë kishte mposhtur Otrantin. Kjo humbje e papritur e Buduqnost në fund të kampionatit ka ngjallur jo pak dyshime dhe diskutime në qarqet sportive.
Por faji nuk duhet kërkuar vetëm jashtë: drejtuesit e klubit duhet të marrin përgjegjësitë e veta. Mungesa e një plani afatgjatë, improvizimet e vazhdueshme dhe mosrespektimi i potencialit lokal kanë kontribuar drejtpërdrejt në këtë dështim.
Rënia e Otrantit duhet të shërbejë si një pikë kthese. Ulqini meriton një ekip në Ligën e Parë, por kjo kërkon më shumë sesa vetëm dëshirë. Kërkon plane të menduara mirë, përkushtim ndaj lojtarëve vendorë, investime të mençura dhe, mbi të gjitha, ndërtimin e një identiteti që pasqyron vlerat dhe ambiciet e qytetit.
Është koha për reflektim dhe rindërtim – jo për fajësime të përkohshme. Sepse Ulqini ka gjithçka që i duhet për të qenë sërish në majë – mjafton të nisë nga themeli dhe të ndërtojë me mendje të kthjellët.