Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka publikuar një letër të hapur drejtuar investitorit të njohur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar, në të cilën përcillet një qëndrim i qartë dhe i vendosur kundër projektit për dhënien me koncesion afatgjatë të tokave në zonën e Plazhit të Madh, shkruan Ulqini Online.

Letra, e hartuar me tone të përzemërta por të vendosura, rikujton takimin që Nimanbegu dhe Alabbar kishin më herët në zyrën e Kryeministrit të Malit të Zi. Nimanbegu përshkruan Alabbarin si një njeri me vizion dhe ndjeshmëri ndaj kulturës vendase, duke e lidhur këtë me fjalët e nënës së tij që theksonin rëndësinë e respektit ndaj mikpritësve.

Por pas këtij hyrjeje miqësore, kreu i komunës kalon në mesazhin thelbësor: refuzimin e prerë të çdo iniciative që parasheh dhënien e tokës për periudha gati njëqindvjeçare pa konsultim me komunitetin lokal. “Toka jonë nuk është mall tregu. Ajo mbart shpirtin e identitetit tonë”, shkruan Nimanbegu, duke vënë në pah lidhjen e ngushtë që ulqinakët kanë me territorin e tyre.

Letra thekson gjithashtu rëndësinë e Plazhit të madh si një zonë me status të mbrojtur ligjërisht, ndërsa shpreh planet për ta përfshirë deltën e Bunës në rrjetin global të mbrojtjes së natyrës, si pjesë e UNESCO-s dhe rrjetit evropian Natura 2000. Këto nisma, sipas Nimanbegut, do të formojnë bazën për një strategji të qëndrueshme zhvillimi, të bazuar në vullnetin e qytetarëve dhe respektin për trashëgiminë natyrore e kulturore të Ulqinit.

Në letrën e tij, kryetari kujton gjithashtu se Kuvendi Komunal ka dalë dy herë me konkluzione unanime kundër projektit, ndërsa komuniteti lokal dhe shoqëria civile kanë mobilizuar mbështetje të gjerë për mbrojtjen e territorit. Ai falënderon Alabbarin dhe Qeverinë për “ndihmën e pavetëdijshme” në forcimin e unitetit qytetar.

Në fund, Nimanbegu shpreh gatishmëri për bashkëpunim në të ardhmen, por vetëm në përputhje me interesin publik dhe pas përfundimit të një strategjie të qartë zhvillimi të qëndrueshëm. Çdo veprim që bie ndesh me këtë frymë, paralajmëron ai, “do të hasë një përgjigje të vendosur institucionale dhe shoqërore.”

Me këtë letër, Ulqini dërgon një mesazh të qartë: zhvillimi po, por jo me çdo kusht – dhe kurrsesi në dëm të identitetit, natyrës dhe së ardhmes së qytetit më të vjetër të Adriatikut.

By admini

Leave a Reply