Shoqata “Labeatët”-Ulqin njofton opinionin publik për parregullsi në ndarjen e fondeve të Komunës së Ulqinit organizatave joqeveritare për vitin 2024, kështu fillon shkrimin e vet kjo shoqatë e cila si udhëheqëse ka profesoreshen e nderuar Luljeta Avdiu Cura.

Dy pika evidente problematike në tesktin e profesoreshës Luljeta Avdiu para OJQ “Labeatët” kanë të bëjnë me afatet ligjore të ankesave eventuale të shoqatave që kanë konkuru në këtë konkurs si dhe vendi se ku duhen bërë ankesat. Pika e parë problematike ka të bëjë me ndarjen e vendimeve OJQ-ve me rastin e koktejit të fundvitit – ku Komuna e Ulqinit më 27.12.2024 ju ndau vendimet organizatave fituese pa i shqyrtuar më parë ankesat, duke shkelur kështu parimin e drejtësisë dhe transparencës, shkruan Avdiu, transmeton Ulqini Online.

Momenti i dytë i parregullsisë ka të bëjë me vendimin e vet komisionit të datës 29 janar ku korrigjohet vendimi paraprak dhe se ankesat eventuale duhen të bëhën në gjygj e jo të kryeadministratori.

Më poshtë ju përcjellim në tërësi shkrimin e profesoreshës Avdiu e cila njëheri përfaqëson Shoqata “Labeatët”-Ulqin.

Shoqata “Labeatët”-Ulqin njofton opinionin publik për parregullsi në ndarjen e fondeve të Komunës së Ulqinit organizatave joqeveritare për vitin 2024.

Organizata joqeveritare “Labeatët” nga Ulqini ka paraqitur ankesë kryeadministratorit të komunës së Ulqinit me datë 23.12.2024 për dyshim të parregullsive serioze dhe mundësive për veprime të tjera në procesin e ndarjes së fondeve për organizatat joqeveritare nga ana e Komunës së Ulqinit për vitin 2024. Lind dyshimi se ky proces është i mbushur me parregullsi që rrezikojnë transparencën dhe drejtësinë në shpërndarjen e fondeve.

Parregullsitë në procesin e ndarjes së fondeve:

  • Shkelja e procedurës dhe pasiguri ligjore – Komisioni pranoi gabimin në udhëzimin ligjor vetëm më 29.01.2025., më shumë se një muaj pas marrjes së vendimit, duke i vënë organizatat joqeveritare në pasiguri ligjore dhe duke i privuar ato nga e drejta për të dorëzuar ankesat në kohën e duhur.
  • Ndarja vendimeve OJQ-ve me rastin e koktejit të fundvitit – Komuna e Ulqinit më 27.12.2024 ju ndau vendimet organizatave fituese pa i shqyrtuar më parë ankesat, duke shkelur kështu parimin e drejtësisë dhe transparencës.
  • Refuzimi i pabazuar i projektit „Elemente Etnografike II” – Projekti ynë u refuzua me arsyetime të pabaza, pavarësisht se në projekt janë të qarta grupet e synuara dhe përfshirja e fazave të ndryshme, nga hulumtimet deri te punëtoritë edukative dhe finalizimi i projektit me botimin e librit si pari i këti lloji te shqiptarët në Mal të Zi.
  • Konflikti i interesit në Komision – Ka dyshime të bazuara se anëtarë të Komisionit kanë qenë në konflikt të drejtpërdrejtë interesi.
  • Mungesa e verifikimit të dokumentacionit të organizatave – Kërkojmë një verifikim të menjëhershëm të dokumentacionit të të gjitha organizatave që kanë përfituar fonde, për të siguruar transparencë në përmbushjen e kushteve ligjore të konkursit.
  • Mos përkthimi i projekteve nga gjuha shqipe në gjuhën malazeze për vlerësim nga ana e vlerësuesve të pamvarura(njëra shqipfolëse kurse tjetra jo njohëse e gjuhës shqipe) për projektet e organizatave që formularin e aplikimit e kanë dorëzuar në gjuhën shqipe.
  • Përkrahje e projektit jashtë fushave prioritare që ka caktuar komuna e Ulqinit.
  • Fushëveprimtaria e shoqatës në kundërshtim me projektin që ka aplikuar etj.

Kërkesat tona:

  • Hetim urgjent mbi proçesin e ndarjes së fondeve
  • Verifikim i konfliktit të interesit të anëtarëve të Komisionit
  • Rishqyrtim i të gjitha projekteve të financuara
  • Hetim mbi ndikimin e mundshëm politik në këtë proces
  • Analizë të transparencës dhe ligjshmërisë së ndarjes së fondeve

Në ditët në vijim, ne do të kërkojmë reagim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse për të siguruar drejtësi dhe ligjshmëri në këtë proces. Ftojmë të gjitha organet kompetente të ndërmarrin masat e duhura për të parandaluar keqpërdorimet e mundshme në ndarjen e fondeve publike.

Këto elemente krijojnë një mjedis mosbesimi, ku qytetarët e shohin administratën publike si të padrejtë dhe të ndikuar nga interesa të ngushta, duke dëmtuar besimin në institucionet vendimmarrëse dhe parimet e drejtësisë dhe transparencës.

Është bërë praktikë që akademik që krejt jetën e tyre ja kanë kushtuar studimit, hulumtimit, arsimit, kulturës dhe mirëqenies së vërtetë të vlerave kulturore dhe arsimore të lihen anash.Një praktikë e tillë është pasqyrë e qartë e gjendjes së shoqérisë sonë.

Me respekt,

Luljeta Avdiu Cura, prof.

Kryetare e NVO “Labeatët”

Ulqin, 01.02.2025.

By admini