“…që njeriu të jetë në gjendje ta zbulojë Hanën, por jo paqen, do të ishte një gabim, bile gabim i madh, një gabim që Njeriu nuk mund ta bëjë” (Veton Surroi, “Fshehtësia e zbulimit të Hanës”)
Nga Bernard Çobaj
Xhozef Konrad u lind me emrin Jozef Teodor Konrad Korzeniowski nga prindër polakë në Ukrainën e dominuar nga Rusia, në vitin 1857. Konradi e kishte frëngjishten gjuhë të dytë dhe në Angli mbërriti në moshën 21-vjeçare. Megjithatë, arriti të prodhojë novela në gjuhën angleze, sa tashmë vlerësohet si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj në letërsinë angleze.
Zemra e errësirës (Heart of Darkness) është titulli i kryeveprës të Konradit, botuar në vitin 1902, frymëzuar nga përvoja e shkurtër dhe trazuese e shfrytëzimit belg të Kongos (nga mbreti Leopoldi II). Temë kryesore e novelësështë kolonializmi dhe efekti i tij në mendësinë njerëzore. Konradi përmend pushtimin romak dhe kështu vërteton se kolonializmi ekzistonte që në periudhën e hershme të civilizimit njerëzor. Në novel, antiheroi Kërci, i cili është jashtëzakonisht i uritur për fuqinë dhe pozitën, kolonizon brendësinë e Afrikës, Kongon.
Në emër të civilizimit dhe edukimit të vendasve, Kërci ushtron fuqinë e tij të jashtëzakonshme për t’i dominuar ata: fizikisht, ekonomikisht dhe madje seksualisht. Ai e justifikon veprën e tij nën mbulesë, duke thënë se ai po sjell dritë në jetën e egërsirave, por ironia është se ai është lënë në hije nga errësira e vetvetes së tij, vetja primitive. Kërci, agjenti që erdhi me premtimin për të sjellë qytetërimin, shndërrohet në bishë të egër që në fund shpërthen me fjalët: Tmerr! Tmerr! (Horror! Horror!)
Një temë tjetër po aq e rëndësishme është një udhëtim drejt vetë-zbulimit. Zemra e erresirës është pa dyshim historia e një udhëtimi brenda errësirës së mendjes sonë.
Eduard Saidi, ndër autoritetet më të mëdha në fushën e letërsisë krahasuese, shprehet se Zemra e errësirësështë përballja më e pakompromis, e pafrikë me të paarsyeshmen dhe të panjohurën – në çdo kuptim të fjalës: politik, psikologjik, gjeografik, kulturor – që ka ndodhur ndonjëherë.
Eduard Saidi në vitin 1966 botoi disertacionin e doktoraturës me titull Xhozef Konradi dhe fiksioni i autobiografisë(Joseph Conrad and Fiction of Autobiography) dhe vazhdoi të shkruante për romancierin polak në librat e tij të mëpasshëm: Refleksionet mbi mërgimin (Reflections on Exile) dhe Kultura dhe imperializmi (Culture and imperialism).
Saidi ka përzgjedh Konradin se të dy ndanë fate të përafërta: të dy u larguan nga atdheu, u bënë shkrimtarë në mërgim dhe ia kushtuan jetën shpjegimit – vetes dhe lexuesve – se çfarë do të thotë të jesh i çrrënjosur (out of place), i shkëputur nga e kaluara, duke qenë dëshmitar i zbehjes së identitetit. Të dy vendosën të shkruanin në anglisht dhe shpejt mësuan se ndjenja e identitetit të dikujt ka të bëjë shumë me gjuhën (për shembull, kur shkruani për fëmijërinë tuaj në një gjuhë të huaj). E fundit, por jo më pak e rëndësishme, të dy njohën dhe përshkruan lidhjet midis kulturës dhe dhunës, gjuhës dhe pushtetit, narrativit të dominimit. Temë që e hasim, poashtu, te Uliksi i Xhojsit. Xhojsi ka lindur me anglishten si pjesëtar i popullit irlandez të nënshtruar gjuhërisht dhe politikisht. Në një monolog të brendshëm duke folur për hegjemonin e pushtetit dhe të gjuhës angleze, flet ndërgjegja e Stivenit: Gjuha e tij kaq e njohur dhe kaq e huaj, do të jetë kurdoherë për mua një gjuhë e nxënë. Nuk i kam bërë apo pranuar fjalët e saj. Zëri im i spraps. Shpirti më pezmatohet në hijen e gjuhës së tij.
Filmi epik i Frensis Ford Kopolës i vitit 1979 Apocalypse Now u bazua te vepra e Konradit, ku Marlon Brando shfaqet në rolin e Kërcit. Kujtojmë pjesën kah fundi kur reciton pjesë nga poema Hollow Men (Njerëz bosh) të nobelistit T. S. Eliot. Poema Hollow Men fillon me linjën nga vepra e Konradit ‘Mista Kurtz is dead’ (vdiq zotëri Kërci).
Ëndrra e Keltit (The Dream of the Celt) është roman i madh dhe intrigues i nobelistit Mario Vargas Lloses, i botuar në vitin 2010. Ky roman është historia e një aventure që filloi në Kongo në vitin 1903 dhe përfundoi në një burg të Londrës, një mëngjes të vitit 1916. Vargas Llosa, i cili është konsideruar prej kohësh si një nga zërat letrarë më të gjallë, provokues të Amerikës Latine sjell një personazh kompleks në jetë si asnjë shkrimtar tjetër. Kjo vepër mjeshtërore trajton një njeri të diskutueshëm, Roxher Kejsmentin, pionier në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, historia e të cilit është lënë pas dore prej kohësh.
Titulli Ëndrra e Keltit i referohet një poeme epike të shkruar nga Roxher Kejsmenti, martiri irlandez, pseudonimit të tij dhe ëndrrës së tij për një Irlandë të lirë. Kejsmenti ishte figura më e shquar dhe më intriguese e përfshirë në Kryengritjen e Pashkëve. Gjatë tre muajve kritikë në 1916, ai mbajti të gjallë historinë e rebelimit irlandez. Ai u shpall fajtor për tradhti nga ana e britanikëve dhe u dënua me varje, më 29 qershor 1916. Novela tregon dramën jetësore të një personi legjendar: një hero dhe një horr, një tradhtar dhe një liridashës, moral dhe amoral, pamja e tij komplekse zbehet dhe rilind pas vdekjes. Kejsmenti ishte një nga evropianët e parë që deklaroi tmerret e kolonializmit.
Gjatë dy dekadave të sundimit të Leopoldit II, nga njëzet milionë banorët e Shtetit të Lirë të Kongos, të paktën pesë, ndoshta edhe dhjetë milionë u vranë në mënyra të ndryshme – askush nuk e din me siguri.
Kejsmenti nxori raportin më 1904, ku paraqiti dëshmi për gjenocidin. Për shkak të punës së tij diplomatike, Kejsmenti fiton titullin e kalorësit nga Anglia. Megjithatë, përvoja e Kongos e ndryshoi atë. Këto udhëtime dhe ajo që ai pa në to e ndryshuan atë përgjithmonë, duke e detyruar të hynte në një aventurë tjetër, intelektuale dhe patriotike. Kjo do ta shtyjë atë të kundërshtojë Anglinë që admironte dhe të marrë pjesë aktive në luftën për qëllimet e nacionalizmit irlandez. Pyeste veten a nuk është edhe Irlanda e zhytur në varfëri dhe e ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme politike të Londrës, në një pozicion kolonial? Pse bashkatdhetarët e tij nuk mundën të vendosnin për fatin e tyre?
Ai i ndau përvojat dhe njohuritë e tij me një mik të ri, kapitenin e sapoardhur të Marinës Tregtare, Xhozef Konradin, i cili u kthye në Britani me material për kryeveprën e tij, Zemrën e errësirës. Gjysma e parë e romanit të Lloses, në aspektin narrativ e stilistik, përkujton dhe i referohet qartë Zemrës së errësirës së Konradit. Në fakt, Konradi shfaqet në roman si protagonist.
Ëndrra e Keltit përshkruan një aventurë ekzistenciale në të cilën ana e errët e shpirtit njerëzor shfaqet në formën e saj të pastër dhe më të ndyrë. Konradi shfaqet në lidhje me mbrojtjen e vlerave evropiane nga Kejsmenti. Sipas Konradit, Afrika i ktheu evropianët në barbarë; për Kejsmentin, ishin evropianët ata që sollën barbarinë me vete.
Në vazhdën e debatit lidhur me fatin e Kejsmentit, kur ishte i arrestuar si tradhtar nga ana e britanikëve, u publikuan fragmente nga një ditar i tij, ku përshkruheshin aventurat seksuale që ndikuan të nxitet përbuzja ndaj tij nga ana e shumë bashkatdhetarëve të tij. Këto aventura seksuale të pasqyruara në ditarin e tij prishen imazhin e tij publik në Irlandë dhe e hodhën në plan të dytë veprimtarinë e tij patriotike.
Engjëlli dhe djalli janë të përzier në mënyrë të pazgjidhshme në personazhin e tij. Llosa me këtë roman zbardh anë të ndryshme, kontradiktore, brendafërkuese të natyrës së Roxher Kejsmentit dhe nëpërmjet analizës së figurës së tij komplekse shtjellon temën e kolonializmit.
E kaluara e shquar humaniste e Kejsmentit u bë problem në rritje për qeverinë britanike kur e dënuan me vdekje. Edhe pse i dënuar me varje, askush nuk mund të sfidojë as moralin, karakterin, integritetin e tij personal. Më pas tabloidët londinezë marrin një dërgesë speciale nga shërbimi sekret. Këto janë fletoret e zeza, ditari intim i përvojave homoseksuale të Kejsmentit. Në një pjesë të madhe të publikut është arritur qëllimi: jo vetëm është një tradhtar, por edhe një pervers i errët dhe gjithçka që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij duhet parë ekskluzivisht përmes kontekstit të seksualitetit të tij.
Peticioni për faljen e Kejsmentit është nënshkruar nga shkrimtarët Bernard Sho dhe Arthur Konan Dojl, por jo nga miku i tij – Xhozef Konradi, i cili nga frika personale nuk e nënshkruan, pasi ishte britanik i natyralizuar.
Mbështetja e parimeve të mëdha, pa vënë në dyshim ekzistencën personale, është një gjë; lufta për jetën e njeriut kundër të gjithë pushtetit dhe opinionit publik, e shoqëruar me rreziqe dhe pasoja të rënda – është diçka krejtësisht tjetër. Në fund të fundit, Zemra e errësirës nga Kongoja mbërrin Konradin si errësira e zemrës së tij.
Nëse kam mësuar diç në Kongo, ajo është se nuk ka bishë më të përgjakshme se njeriu – shprehet Kejsmenti në novelë. Zemrën e errësirës mund ta ngadhënjejë humanizmi i pasqyruar në komunikimin e kulturave.
“Nga të gjithë njerëzit që duhej të ekzekutoja, Roxher Kejsmenti vdiq më i guximshmi”, thuhet në kujtimet e xhelatit britanik John Ellis. /Version i shkurtër i shkrimit të përgaditur për revistën ”Dija” me 2022/