Kësaj radhe me Beqir – Beqo Trumën (Ulqin, 1943), profesor i kulturës fizike, në kafenenë e marinarëve, në Ranë, nuk flasim për të parët e tij detarë, por për muzikën popullore të Ulqinit. Beqoja i takon “gjeneratës së dytë” të anëtarëve të folklorit ulqinak. Kjo bisedë me të zhvillohet në një shpjegim historik të autenticitetit të këngës së vjetër qytetare të Ulqinit.
Ai me zi shpreh këto mendime: – Kënga e vjetër qytetare mes Shkodrës dhe Ulqinit – nuk ka kufi. Shkodra, si qendër më e madhe kulturore, i ka marrë të gjitha këngët më të bukura dhe më të popullarizuara, si të vetat, sepse ka qenë më e madhe dhe ka mundë të përvetësojë. Me fjalë të tjera: për një këngë ulqinake, lirisht thuhet se është shkodrane.
– Kur e ka mbajtur një ligjëratë në Bibliotekën e Ulqinit, z. Jetmir Barbullushi, dirigjent, u tha se, këngën “Turtulleshë”, që është e nënshkruar nga autori shkrodran, ai (kompozitori), duke hipur në vapor, e ka dëgjuar melodinë se si e fishkëllonin hamallat në mole (të Ulqinit). (Shih autorët: “Turtulleshë”, fjalët: Qemal Draçini – muzika – Ramadan Sokoli. “250 këngë qytetare shkodrane”, transkriptuar dhe harmonizuar: Tonin Zadeja dhe Tonin Daija, botoi SHB “”Idromeno”, Shkodër, 2000, ff 285/86).
– Kjo është një dëshmi se muzika, kënga popullore qytetare, szka kufi që i ndan, se ku është krijuar: në Shkodër apo në Ulqin.”Gusharaveli”
Kënga fituese e “Evrovizionit 2004” kënga turke, vija melodike si dhe koreografia, shihet qartë se janë të “Gusharavelit”. Është këngë – valle ulqinake.
E ka një burim të moçëm. E kanë kënduar dhe e kanë vallëzuar me ritmin e harapëve (zezakëve indigjenë të Afrikës), mu harapët (zezakët) e Ulqinit, ata të cilët janë grabitur si fëmijë nëpër portet afrikane dhe i kanë mbajtur në mend këngët dhe ritualet e e veta autoktone, afrikane. Harapët e kanë pasë kafehanen “Trumbo” në Ulqin dhe aty ata janë tubuar dhe argëtuar. Vallet dhe ritualet afrikane i kanë zhvilluar deri vonë në fushën e tyre në Meteriz, që sot e ka emrin Fusha e Harapëve.Foklori i Ulqinit
– Mandej, kjo këngë-valle është luajtur në ritualin vendas të “Surratave” (maskarada, karnavali pranveror). Është luajtur nga një familje e harapëve, si në gazmende ashtu edhe në hidhërim. Në dasma atë e kanë luajtur ashtu siç u ka rënë në mend (siç u është kujtuar), ashtu si në Afrikë, në vendet nga kanë ardhur (nga i kanë prurë detarët ulqinakë). Kjo ka ndodhur shumë para Luftës II Botërore, diku në fillim të shekullit XX.Referencë
Dr. Bahri Brisku, në disertacionin e doktoratës (dorëshkrim, 1990) “Deti dhe detarët në letërsinë popullore shqiptare”, duke parashtruar “Reflekset e besimit pagan”, duke folur për fuqinë e krahut, marinarët nëpër barkat me vela, shkruan kështu: Ulqinakët “Fuqinë punëtore, përveç nga vendi, e siguronin edhe nga brigjet e Detit Mesdhe (Afrika Veriore)” dhe arsyeton për prejardhjen e këngës “Gusharaveli”: “Së bashku me fuqinë punëtore arabe (zezake), në këto vise (në Ulqin) erdhën edhe disa motive orientale gojore (afrikane zezake). E tillë është kënga: “Gusharaveli, jaraveli”.
Po për këtë këngë-valle, dr. B. Brisku, në faqet 292/293, e jep edhe këtë shpjegim: “Në lundrimet gjata, në hapësirën detare, zezakët shërbenin edhe për argëtim: tregonin përralla, ngjarje, ndodhi, këndonin, kërcenin në kuverta të barkave. Nga ajo kohë ka mbetur edhe vallja e njohur e detarëve ulqinakë Gusharaveli, i cili supozohet se ka qenë zezak hokaxhi i cili, duke kërcyer, i ngërdhishet kapidanit me një dozë ironie, të cilin e kupton detari ulqinak, andaj i thotë:
Gusharavel, mos u ngërdhesh,
Se ta fus nji flakaresh!
(Fund i referencës).
Këtë konstatim e konsiderojmë si tezë e dalë nga studimi i shkencëtarit dhe autentika nuk diskutohet.
Kush e vuri i pari në skenë?
– Me kujtesën time – thotë Beqoja – i pari e ka vënë Qamo Gorana. Thonë se e ka vënë më përpara tjetërkush, Bajram Sela, por mua nuk më kujtohet. Në fillim është luajtur ndryshe (me koreografi tjetër) nga sot. Qamo Gorana këtë valle e ka vënë diku më z67, para se shkojmë në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Prishtinë e nëpër Kosovë. Këtë valle e ka xhiruar Televizioni shqip, regjisori Ekrem Kryeziu dhe e ka emetuar në TVB.
Beqoja me bindje të argumentuar konstaton:
– “Gusharaveli” është këngë-valle ulqinake, sepse të tjerët skanë pasur harapë (zezakë) vendas.
Fjalët e shtuara (origjinale)
Shpjegim paraprak: Beqir Truma, në bisedë shpesh e thotë gabimisht emrin e valles “Dumsharaveli” e jo “Gusharaveli”, meqë me atë titull është njohur në dramën poetike “Ora bizare” të Basri Çapriqit, në regjinë e Emin Halilit, Ulqin, 2000.
Beqoja: – “Dumsharaveli” i ka pasë fjalët e para ato të njohura për gusarin (kusarin), (shih: H. Ulqinaku, “Thesar popullor”, fq. 12) – por unë, për ta zgjatur lojën, ia kam shtuar falët:
Çoje velin – hape velin,
Sa ta presim karajelin.
O çpa na fryn nji karajel,
E na bje barkën me vel.
O çpa na fryn nji tramuntanë,
E na bje barkën në Ranë.
Ky tekst është kënduar dhe është luajtur valle dhe ka marrë karakter si “Valle e detarëve”.
– “Dumsharavelin” e kemi luajtur me bragesha të zeza dhe fanela marinarësh. Më vonë është bërë një kostumografi e re dhe kemi marrë rekuizita detarësh, peshkatarësh: rrjetë, rrema, fener, që sot edhe të vazhdohet të luhet si “Vallja e peshkatarëve”.
“O ti, det” – këngë ulqinake
Foklori i UlqinitBiseda bëhet edhe për këngën popullore “O ti det, o ujë i njelm – e” për të cilën dihet autori shkodran. Në literaturën muzikore të autorëve shkodranë, shkruan se kompozitor edhe autor i tekstit ishte Ndrekë Vogli – Naraçi.
– Edhe këngën “O ti, det” e ka kënduar, si melodi, një ulqinak, një marinar, detar, duke lundruar me barkë dhe, mandej (kënga) ka dalë në Shkodër, me autor (kompozitor) i cili ka ditur ta qesë në nota, në letër dhe ashtu bëhet (këngë) shkodrane.
(Ndrekë Vogli – Naraçi ka qenë tregtar, ka ditur tzi bjerë sazes, por szka kënduar publikisht dhe nuk ka ditur të shkruajë e të lexojë notat. Notat janë qitur tash vonë nga muzikologë shkodranë).
– Po Shkodra detin dhe detarët i kishte në Ulqin dhe ulqinakët! – arsyeton folkloristi ulqinak.
Ndërhyrje – plotësim
rexhep-abazi– “O ti, det” e ka qitë mulla Man (Sulejman) Peshku dhe Sheqer Milla, kur kanë shku në vijaxho nëpër det, oqeane. Masandej e kanë marrë shkodranët. Ata e kanë qitë në letër. Ulqinakët, detarët, si kanë ditë me shkru, kanë shkru turrçe, ja shqyp. Sheqeri ka qenë me shpi nz Krruç, atje ka jetu, si ka pasë qef te shkumet e te ardhunat me shumë njerëz. Ai ka këndu bukur e kushedi sa kangë detare i ka qitë. Sikur tz ishin shkru, pale sa kangët e bukra ulqinake da të kishin qenë! (Iljaz Milla, Ulqin,1921).
Dosja e Bajram Selës – dëshmi e shkruar
“Kënga O ti det o ujë i njelmët, që është shumë e përhapur dhe e popullarizuar, detarët e vjetër thonë se për të parën herë e ka kënduar kapidani mulla Man Peshku, në një lundrim të gjatë. Ky ka vdekur në Ulqin më 1958, në moshën 73-vjeçare”.
(Burimi: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Dosja e Bajram Selës, dorëshkrim).
Duhet besuar dëshmisë, të thënë dhe të shktruar prej kohësh.
Beqoja për veten
– Kam nisur të merrem me folklor më 1964. Kur e kam kryer shkollën e mesme të fizkulturës në Sarajevë dhe u pranova në punë në shkollën fillore të qytetit, u bashkëngjita Ansamblit folklorik të Ulqinit. Koreograf i parë ka qenë Bajram Sela, mësues. Sa më kujtohet: ai ka vënë i pari në repertor këngët kosovare: “Kur më vjen burri nga stani”, “Çuçurata, mjera nanë” etj., që szjanë kënduar asnjëherë më parë në Ulqin.
Me ardhjen e Qamo Goranës, udhëheqës i “Folklorit” të Ulqinit, në repertor janë vënë këngët ulqinake.
Si i ri: isha këngëtar dhe valltar. Më 1968, në turnenë nëpër Kosovë, kam kënduar dhe kam vallëzuar. Çuditem si nuk më kanë futur në burg, sepse, në atë kohë, të këndoje këngën “Jalla, morra rrugën, nan-e, për Tiran-e” ka qenë guxim i madh, por kam qenë i ri dhe “i marrë” (qeshet).
Kujtohet: – Në Prizren, një shikues çohet dhe e ndez faculetën e vallëzon. Rojet e kanë kapur dhe e kanë qitur jashtë me shqelma.
Aktiviteti më i gjallë i grupit folklorik
– Kur ka qenë në Ulqin “koha e artë” e turizmit, SHKA “Boshko Strugar”, ne kemi dhënë koncerte (verës) natë për natë, këngë e valle popullore ulqinake, në sallën e kinemasë, bahçes verore (ishte më përpara “Kristal-bari” i Beogradit, që jepte program kabareje, të bareve të natës), sepse sallën, shtëpinë e kulturës, tash kompania hoteliere “Hollegro”, na e pat marrë Ndërmarrja Hoteliere dhe e bëri “Expres-restourant”. Më kujtohet unë kam shitur bileta, para dere, i veshur me veshje kombëtare shqiptare, veshje e Ulqinit, me shallvare alla turka.
Aktiv 40 vjet. Sa këngë, sa valle, sa koncerte, sa shikues – szi ruan kujtesa, sepse SHKA-ja nuk ka pasur sekretar-administrator për të ruajtur dokumentacionin.
Koreograf. – Kam vallëzuar dhe i kam vënë këngët në skenë, kam bërë koreografi. Kur është larguar Qamo Gorana, më 1981, para Demonstratave, kemi qenë në Shqipëri tzia kthejmë Ansamblit të Pukës vizitën, që ishte më përpara në Ulqin. Kemi qenë në Pukë, Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Lushnje (bën vaki e kam harruar ndonjë qytet!), kemi dhënë koncerte dhe na kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Se harrohet!
Më 1999 Beqir Truma e lë vallëzimin, por sze le aktivitetin e tij në SHKA “Ulqini”. Atë e udhëheq dhe e vazhdon traditën e këngës dhe të valles detare ulqinake-shkodrane.
Apelon që të mos bastardhohet folklori burimor ulqinak. – Këngën ulqinake mund ta interpretojë drejt vetëm ulqinaku.
– Me qenë mzu ba prapë i ri, prapë isha marrë me folklor, sepse ska gja ma mirë se me këndu dhe me vallëzu – përfundon veterani Beqir Truma.
Përgaditur nga Hajro Ulqinaku, viti 2008
Temë nga projekti “““Shkruaj, lexo dhe fol, për ta ruajtur gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2023“”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.