Hajrullah Hajdari

Nga Hajrullah Hajdari

Shkëputja e trojeve shqiptare nga shteti amë, Shqipëria, së pari në vitin 1878 e pastaj gjatë viteve 1912-1913, ishte një plagë e rëndë për shqiptarët në përgjithësi e në veçanti për shqiptarët të cilët banonin në zonat kufitare, Shqipëri – Mali i Zi gjegjësisht Jugosllavi. Tërheqja e vijës kufizore në mes të këtyre dy shteteve, në të vërtetë ishte vija kufizore që ndante shqiptarët në dy pjesë, pra kufizonte shqiptarin me shqiptarin.Vija kufizore e tërhequr për të vendosur kufirin shtetëror bëri ndarjen e maleve e kullotave, të cilat ishin pronë e përbashkët e banorëve të zonës, të arave përgjysmë, ndau ujin e pijshëm e rrugët kaluese e në shumicën e rasteve i ndërpreu ato.

Për arsye të mbetjes së pronave në anën tjetër të kufirit, tokat e pronarëve të mbetur me

vendbanim në anën tjetër të kufirit u quajtën “ Toka dypalëshe” ndërsa pronarët  “dypronësorë”.

Ky nocion juridik, i palogjikshëm në kuptimin e plotë juridik të fjalëve pronë dhe pronësi, goditi pa mëshirë, sidomos popullin shqiptar, përgjatë gjithë kufirit shtetëror të Shqipërisë. Me tërheqjen e vijës kufizore, pothuajse, nuk kishte familje të fshatrave kufitare të Anës së Malit, Krajës, Malësë apo edhe të Plavës e Gucisë, të cilëve nuk u kishin mbetur tokat pjellore apo kullota përtej kufirit, në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër të shumta ishin rastet e shqiptarëve të këtyre trojeve të cilët përballë torturave serbo-malazeze, përkohësisht, e kishin lënë vendin e tyre e së bashku me to edhe pronat e tyre në anën tjetër të kufirit, të cilat, në të dy rastet, tanimë trajtohen si toka dypalëshe, ndërsa pronarët si dypronësorë. Kishte edhe shkodranë e të tjerë, të cilët në Ulqin apo vende të tjera në Mal të Zi, duke u marrë me tregëti apo veprimtari të tjera kishin krijuar pasuri të paluajtshme.

Prona dypalëshe, nga asnjë pushtet i këtyre dy shteteve, përveç sistemit komunist në Shqipëri,

nuk është kontestuar, përkundrazi nëpërmjet marrëveshjeve e konventave të ndryshme është bërë i mundur shfrytëzimi i tyre (shumica e këtyre familjeve i punonin tokat e tyre, i çonin kafshët në kullotje ndër pronat e fiseve të tyre përtej kufirit vetëm me leje kalimi apo pronarie).

Shqipëria dhe Jugosllavia kanë bërë përpjekje të herëpashershme, por asnjëherë energjike, për rregullimin e marrëdhënieve ndërkufitare, rregullimin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, punëve konsullore, marrëdhënieve tregtare. Këto dy shteten asnjëherë nuk kanë ndërmarrë masa apo veprime juridike për rregullimin e çështjes juridike të pronës dhe pronësisë të mbetura në anën tjetër të kufirit, për nënshtetasit shqiptarë në Mal të Zi, gjegjësisht në Jugosllavi, ndërsa ata që pësuan më keq, ishin shqiptarët e mbetur nën jurisdiksionin malazez. Në promemorien për zbatimin apo ekzekutimin e vendimeve të Komisionit të përzier shqiptaro-jugosllav (1945-1948) në lidhje me tokat e nënshtetasve jugosllavë (shqiptarëve të mbetur jashtë kufirit të shtetit amë) si edhe nënshtetasve jugosllavë qe jetojnë në Shqipëri, është paraparë që tokat e tyre që u janë shpërndarë bujqve në Shqipëri e Jugosllavi apo fermave bujqësore, sektorit të shtetit apo kooperativave, duhet t’u kthehen menjëherë atyre. Por kjo nuk ndodhi asnjëherë.

Nga këto fakte del qartë se  çështja e “pronave dypalëshe” ekziston de jure e de facto dhe se kjo çështje e pazgjidhur deri në ditët e sotme është rezultat i ideologjive, njëherë komuniste e pastaj i marrëdhënieve jokorekte i të dy shteteve ndaj pronarëve dypronësorë.

Pas instalimit të sistemit demokratik të qeverisjes në të dy shtetet, institucioni i pronës private

është i njohur dhe i pranueshëm dhe prona dhe pronësia garantohen e mbrohen me Kushtetutat e të dy vendeve, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ajo çka zgjidhjen e çështjes së pronave dypalëshe të shqiptarëve në të dy shtetet e bën të komplikuar është fakti se në asnjë rregullim shtetëror Shqipëria me Jugosllavinë, madje as me Malin e Zi, nuk kanë nënshkruar as marrëveshje e as konventë për njohjen reciproke të pronave dypalëshe në të dyja anët e kufirit.

Nisur nga rregullimi juridik i çështjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe në lidhje me ketë edhe çështjes së të drejtës poseduese mbi tokën, është e qartë se sistemi komunist në Shqipëri, duke mohuar të drejtën e pronës private, duke e privuar pronarin nga e drejta e gëzimit, përdorimit dhe shfrytëzimit të saj, në mënyrë flagrante ka shkelur një nga të drejtat themelore të njeriut. Kjo do thotë se për 40 vite pronarët e tokave dypalëshe u zhveshën nga e drejta e përdorimit dhe shfrytëzimit të tokave të tyre dhe për aq vite u dëmtuan materialisht ngase nga tokat e tyre nuk merrnin as prodhimet e as rentën e saj.

Pas proceseve demokratike në Shqipëri dhe Mal të Zi, janë krijuar kushtet për revidimin e kësaj

padrejtësie, jo vetëm juridike por edhe sociale, ndaj të gjithë pronarëve të dëmtuar e në veçanti ndaj pronarëve të tokave dypalëshe. Infrasruktura e përgjithshme ligjore për kthimin e tokave ekziston, mungon vetëm interesimi dhe vullneti i pushteteve të të dy shteteve.

Edhe, pothuajse, pas tri dekadave në demokraci, këto dy shtete, sidomos Shqipëria, nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje përfundimtare politike e as institucionale për çështjen e pronave në përgjithësi e në veçanti të pronave dypalëshe, ku sikurse ky nocion është fshirë nga kujtesa e atyre që duhet të vendosin për fatin e këtij nocioni! Kjo gjendje rëndon më tepër mbi supet e shqiptarëve qoftë të atyre të mbetur pa dëshirën e tyre nën Malin e Zi qoftë të atyre nënshtetasve shqiptarë të cilëve pronat u mbetën në Mal të Zi.

Vlen të përmendim se 145 familjeve nga Kraja, 61 familjeve nga Ana e Malit dhe 71 familjeve nga Shtoji i Ulqinit, në Shqipëri u kanë mbetur mbi 4205 ha tokë, ndërkaq familjeve me banim në Shqipëri u kanë mbetur në Jugosllavi mbi 651 ha tokë. Në këto shifra nuk janë përfshirë me qindra mijë hektarë pyje e kullosa në malet e Kelmendit dhe Malesisë dhe as shtëpitë e pojatat që kanë mbetur në anën tjetër të kufirit. Pronat e shqiptarëve me banim në Mal të Zi të cilat gjenden në territorin e Shqiperisë janë të verifikuara me vendndodhje dhe sipërfaqe për çdo familje veç e veç, gjë që do të mundësonte indentifikimin e tyre në terren. Me sa jam në dijeni, shumica e pronarëve me nënshtetësi shqiptare të cilëve tokat u kanë mbetur në Mal të Zi në një farë mënyre (shitje apo falje) e kanë rregulluar çështjen e pronësisë, ndërkaq, si pasojë e mungesës së akteve ligjore që e rregullojnë çështjen e pronës dypalshe, asnjë shqiptarë me banim në Mal të Zi nuk e ka rregulluar këtë çështje.   

Prona, sipas të drejtës së brëndshme të një shteti ashtu edhe të asaj ndërkombëtare, gëzon mbrojtjen ligjore. Sipas dispozitave të Protokollit 1 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore “Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë e tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik”.

Në bazë të situatës ekzistuese,  kur pronarët dypalësh, në të dyja  shtetet, nuk kanë mundësinë e gëzimit dhe shfrytëzimit të pronave të veta,  mund të konstatohet se këtyre qytetarëve u janë shkelur e mohuar të drejtat themelore të të drejtës së posedimit dhe gëzimit të lirshëm të tyre, si një ndër të drejtat më kryesore civile të njeriut, u është bërë padrejtësi e cila i gjason  gjenocidit  social. Ndaj kjo gjendje meriton kujdes të veçantë e të përkushtuar të të gjitha instancave shtetërore të Shqiperisë, me qëllim që të elimenohen, njëherë e përgjithmon, padrejtësit e sistemit komunist në Shqipëri në lidhje me nocionin “ pronë” dhe” pronë dypalëshe”. Kjo situatë meriton zgjidhje me qëllim që pronarëve të “tokave dypalëshe” t’u kthehet dinjiteti i mohuar i pronarit të vërtetë të pronës.         

Për zgjidhjen e kësaj çështjeje të dhimbshme është e nevojshme që Kuvendet e të dy shteteve, Shqipërisë dhe Malit të Zi, të arrijnë marrëveshjen për njohjen reciproke të pronave dypalëshe dhe të nënshkruajnë sa më parë Marrëveshjen mbi kalimet kufitare dhe qarkullimin ndërkufitar  për pronarët dypronësor, ashtu si ka qenë në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë dhe Shqipërisë. 

Për çështjen e hapur të “pronave dypalëshe”, gjendjen dhe mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi, vite më parë kam njoftuar ministrin e Ministrisë pë pakica në Mal të Zi, z. Mehmet Zenka dhe të vetmin deputet shqiptarë atëherë, z. Genc Nimanbegun. Nuk jam në dijeni se kanë ndërrmarrë ndonjë aktivitet në këtë drejtim, pasi gjendja është e pandryshuar. 

Prandaj, në këtë mënyrë edhe njëherë apeloj të përfaqësuesit shqiptarë në parlamentin dhe qeverinë e Malit të Zi,  që të ngrehin zërin e të ndikojnë të politika zyrtare e Malit të Zi, por edhe të Shqipërisë, për rregullimin e kësaj çështjeje dhe kthimin e të drejtave të mohuara pronësore të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit. Po ashtu apeloj të 277 familjet kranjane, anamalëse dhe shtojake të cilët kanë tokë në Shqipëri, që të ngrehin procedurën e njohjes dhe kthimit të tokës së tyre, pasi ka shënime zyrtare, në mënyrë që pas konsumimit të të gjitha instancave juridike, të shfrytëzojnë mundësin të Gjykata Evropiane të të Drejtave të Njeriut, tek e cila shumë qytetarë shqiptarë i kanë realizuar të drejtat e tyre pronësore. 

By admini