Kalimera poetike ne Muzeun e Dragines

Të shtunën mbrëma, në Muzeun Etnografik në Draginë, u mbajt nata e dytë e Kalimerës poetike “Basri Çapriqi”, edicioni XXXI, ku ishte e ftuar shkrimtarja dhe studiuesja nga RMV, Nurie Emrullai, një biografi e re por e dëshmuar në letërsinë shqipe. Rita Behadini, gazetarja dhe poetja nga Tetova vuri theksin mbi risinë që sjellë poezia e Emrullait duke e quajtur me të drejtë atë senzacion për poetikën e këtyre kohëve dhe për letërsinë ballkanike.
Veç tjerash, udhëheqësi i mbrëmjes, Argëzon Sulejmani konstatoi se: “Emrullai prezanton një zë të rrallë, “mirkumbues” do të thonte Koliqi, për letërsinë tonë. Poezia e saj vjen e qashtër, nën fjalët e njeriut të ditës, të vëna në vendin e merituar. Mesazhi, pa dyshim, është qendra e vëmendjes. Mesazhi është i përpunuar qartë deri në thellësitë e detajeve. Poezinë e përcjellë një varg i lirë deri në këputje dhe kjo duket të jetë melodia përcjellëse e cila përçon ankth dhe senzacion njëherësh.” (…)

Ndër të pranishmit e shumtë, njëherit dashamirë të letërsisë, ishin prezent dhe autorët që do e shënojnë manifestimin e këtij viti: Nazmi Rrahmani, Primo Shllaku, Vlora Ademi.

Kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, i falënderoi përzemërsisht të gjithë të pranishmit si dhe mbështetësit e kësaj mbrëmjeje të çmuar kulturore.

Për gjyshen dhe nanën dhe mue
(Evat dhe Havat)

U linda femën.
Më pagëzuen me emën,
Ngadalë hoxha t’u ma thanë ndë vesh.

Dhe aq.

Festë nuk u bâ për mue,
Veç uronin nji djal(bekim) pas meje të vjen…

Pastaj,

ma vonë,

Filluen me m’tregue
Si duhet unë me qenë vajzë.

Si duhet sytë t’i mbaj…
Hapat si duhet me i bâ…
Dhe kryet si me e mbajt…
Kur dikush âsht n’sy t’u t’fol.
Qésh e vogël atëherë,
Po duhej vajzë me qenë, than!

Pastaj,

ma vonë,

Më urdhnonin
Si duhet femën me u bâ,
Për sy të tjetrit,
Për nder të familjes,
E asgjë të imes…

Pastaj,

ma vonë,

Mue,
nanën,
mikeshat e mia,
Kanë me na varros
Njí metër ma thellë se tjerët

Veç se ishim gra…

By admini