Ilustrim: Liqeni Shkodres

Nga Hajrullah Hajdari

Mbi origjinen e liqenit

Mbi origjinen e liqenit të Shkodrës ekzistojnë mendime të ndryshme. Mendohet se ka origjinë tektonike-karstike dhe bën pjesë në liqenet poligjenë. Disa studiues mendojnë se liqeni ka qenë gji i detit Adriatik. Më vonë me krijimin e malit Rumia gjiri është ndarë nga deti dhe shndërruar në liqen. Në krijimin e tij, liqeni ka qenë i cektë dhe e quanin moçal apo baltë dhe për këtë arsye në lashtësi është quajtur “Palus Labeatis”. Historiani romak Tit Livi po ashtu e quan moçal, e duke u bazuar në faktin se për rreth liqenit të Shkodrës jetonte fisi i Labeateve e quan “Labeatide palude”. Emrin “Balta” për liqenin e Shkodrës për herë të parë e gjejmë në dorëshkrimet e pop Duklaninit e kjo dëshmon se rreth e rrotull të këtij liqeni, që në lashtësi kanë jetuar shqiptarët. Ndërkaq, në kristovulat e mbretit Vladislav shenohet si “Blato” (1234).

Liqeni kufizohet, në verilindje me Bjeshkët e Nemura, në jug e juglindje me malet Tarabash, Rumia dhe Sutorman, ndërsa në veri shtrihet Rrafshira e Zetës. Në nivel të ultët  të ujit sipërfaqa e liqenit është 369,74 km katror prej të cilave Shqiperisë i takojnë 2/5 ose147,72 km, ndërsa pjesa tjetër (3/5) i takojnë Malit të Zi. Pjesa më e madhe e sipërfaqës së liqenit të Shkodrës gjendet 6 m mbi nivelin e detit, ndërsa një pjesë e fundit të tij është edhe nën nivelin e detit, kështu që  thellësia mesatare më e madhe është 7 m. ndërsa në disa vende të ashaquajtura “syena” thellësia arrinë deri në 44m. Liqeni është i gjatë 44 km.ndërsa gjërësia rreth 12,5 km. Në liqenin e Shkodrës, kryesisht në pjesën që i takon Malit të Zi,  ekzistojnë rreth  50 ujdhesa të vogla apo të mëdhe. Në disa prej tyre, që në Mesjetë, janë ndërtuar objekte të ndryshme sakrale dhe përbëjnë një pjesë të historisë dhe kulturës tonë, ndonëse sot ato janë zaptuar nga Kisha Ortodokse Serbe.

Fillet e lundrimit

Gjatë shekujve liqeni i Shkodrës ishte në pronësi të ilirëve, romakëve, bizantinëve, serbëve e malazezëve, venedikasve, turqve e të tjerëve. Ka dëshmi të shkruara se në kohërat më të hershme nëpër liqenin e Shkodrës kanë lundruar mjetet lundruese bizantine dhe venedikase ( galija) apo veloret turke (otomane) kryesisht të vogla të cilat kanë mundur të hynin në liqen nga lumi Buna.

Shënimet e para të shkruara për lundrimin në liqenin e Shkodrës, datojnë që në vitin 167 para erës së re (sipas Tit Livit), kur mbreti ilir Genci, i cili në atë kohë sundonte në këto vise, gjatë luftës së dytë iliro-romake, kishte lundruar nëpër liqenin e Shkodrës. Pra, lundrimi në liqenin e Shkodrës është po aq i vjetër sa edhe vetë liqeni.

Marijan Bolica, duke e përshkruar Sanxhakun e Shkodrës, 1614, shkruan se piratët ulqinakë, pas okupimit të Shkodrës dhe rrethinës së saj nga turqit më 1474, hynë në liqen nëpër mes Bunës më lundra dhe fregata.

Duhet theksuar se pas rënjes së Zetës (1499) deri në vitin 1862 e veçanërisht deri në Kongresin e Berlinit (1878), afër 380 vite, malazezët nuk patën mundësi t të shfrytëzonin liqenin normalish. Shfrytëzimi i tij për malazezët ka qenë i rrezikshëm dhe vend i konfliktëve të përgjakshme me turqit, sepse malazezët nuk kanë luftuar vetëm për t’u liruar nga okupuesi, por edhe për përvetësimin e tërësishëm të liqenit të Shkodrës, nëpër mes të cilit tentonin daljen në det. Vlladika (Peshkopi) Danillo Petroviqi, në vitin 1717 kishte kërkuar nga autoritetet veneciane që ta zaptonin liqenin e Shkodrës dhe për këtë dëshirë të tyre kërkoi dy galije me nga gjashtëmbdhjetë (16) rrema. Pasi kjo kërkesë nuk u realizua, vlladika Petar I tentoi që këtë ëndërr te tyre ta realizojë me ndihmën e Rusisë cariste. Ai në vitin 1778 dërgoi Nikolla Davidoviqin që t’i propozonte carit Aleksandri i I që të zaptohej Shkodra dhe liqeni i Shkodrës. Megjithatë, e gjithë kjo dëshirë dhe aktivitet i malazezëve për të mbizotëruar me liqenin e Shkodrës do të mbetet  i paarritshëm deri në Kongresin e Berlinit.   

Edhe shqiptarët mjetet e lundrimit shpeshherë i kanë përdorur edhe si mjete mbrojtëse nga okupatorët e ndryshëm. Është e njohur ndihma e shkodranëve, ulqinakëve e kranjanëve të cilët me mjetet lundruese u erdhen në ndihmë popullsisë së Muriqit, Shesttanit apo Oso Kukës në luftën e Vraninës (1861,1862) duke luftuar kundër malazezëve. Dy vite më vonë, malazezët kishin bërë plan për të sulmuar, grabitur e plaçkitur përseri Krajën. Rrenojat e kishës së Marashnikut  ishin mbushur me malazezë të cilët pritnin momentin për të sulmuar e plaçkitë Blacën e Boboshtin e fshatrat tjerë të Krajës. Mbrojtja më e mirë ishte nga uji sepse sikur të lejoheshin malazezët të dilnin në tokë, mbrojtja do të ishte më e vështirë. Për këtë qellim e sjellin me lundër nga Shkodra trimin Adem Boboshti i cili u vërsul fuqishëm ndaj malazezëve të fortifikuar në kishë. Gojdhënat thonë se ai me shpatën e tij preu shumë prej tyre, një pjesë për të shpetuar u hodhën në liqen nga të cilët shumica u mbytën. Ndërkaq, vet malazezët në muret e kishës kanë vëndosur një pllakë përkujtimore ku janë të shënuar vetëm 3 persona të cilët, sipas tyre, kanë rënë trimërisht në mbrojtjen e Marashnikut!

Liqenit të Shkodrës, sidomos për banorët që jetonin në brigjet e tij, që në lashtësi konsiderohej si burim i jetës. Përveçqë liqeni shërbente për peshkim, i tërë transporti i mallrave dhe njërëzve bëhej mbi ujë sidomos deri kur filluan të ndërtohen rrugët tokësore. Për banorët e fshatrave të Shestanit, Muriqit, Boboshtit, Martiqit, Arbneshit e Skjes mjeti i lundrimit ishte shumë i domosdoshëm ashtu si ishte gomari, kali apo qerrje në fshatrat e tokës  . Duhet theksuar se edhe fshatrat e tjera të Krajës si Ostrosi, Kështënja, Ftjani e Ljarja e kanë shfrytëzuar liqenin për transportin e njerëzve dhe mallrave.

  • Tipet e ndryshme të mjeteve lundruese

Në liqenin e shkodrës kanë qarkulluar tipe të ndryshme të mjeteve lundruese. Ilirët në brigjet e liqenit të Shkodrës ndërtonin e meremetonin mjetet e tyre të lundrimit. Përmendet se mbreti ilir Genci, i kishte ndërtuar përnjëherë 54 lembe.

Fillimisht banorët lokal për lundrim kanë përdorur mjete primitive lundrimi. Mendohet se mjeti i parë lundrues ka qenë trapi. Ai ishte mjet i thjeshtë lundrimi, i ndërtuar zakonisht me trungje të lehtë mbi të cilat mbërthehen dërrasa që formojnë një tërësi të gjerë. Ky mjet lundrues ishte shumë i papërshtatshëm sidomos kur bënte mot i keq dhe frynte erë e madhe. Banorët kishin nevojë për mjet lundrues më të qëndrueshëm sepse kishin nevojë për transportin e prodhimeve bujqësore, mallrave e sidomos për transportimin e bagëtive në livadhe dhe për këtë arsye filloi ndërtimi i mjeteve lundruese të tipit që disa edhe sot lundrojnë në liqenin e Shkodrës.

Na janë të njohura këto tipe të mjeteve lundruese: Lundra, lundrica, takja dhe suli. Dallojnë nga njëra tjetra për nga gjatësia, gjërësi, lartësia dhe fuqia bartëse.

Këto mjete lundruese kryesisht ndërtoheshin  nga dërrasat dhe fundi i tyre është nga një pjesë dhe i rrafshtë. Për ndërtimin e tyre përdorëshin drunjtë që rriteshin në brigjet e liqenit, sidomos gështënja, mani, faleta por edhe lisi. Me zhvillimin e tregtisë dhe hapjes së rrugëve tokësore për fundin e mjeteve lundruese përdorej druri i çamit (bredhit) pasi është më i rezistueshëm nga uji. Të gjitha mjetet e përmendura lundruese vehëshin në levizje me ndihmen e rremave nderësa më vonë u paraqiten edhe lundrat me vela.Velat, ndonëse më rrallë i përdornin edhe sulet. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, sidomos sulet, vehen në lëvizje me motor të quajtura “penta” me 4 KF . Nga tipet e përmendura të mjeteve lundruese në liqenin e Shkodres, i ka rezistuar kohës vetëm suli, i cili kryesisht sot shërben vetëm për peshkim.  Mjetet tjera i takojnë të kaluarës.

Për ndërtimin e mjeteve lundruese në liqenin e Shkodrës nuk ka pasur puntori të organizuara apo fabrika. Ato ndërtoheshin nga mjeshtrat lokal të Shirokës, Krajës e më vonë edhe të Ceklinjanëve.      

Sidoqoftë, këto mjete primitive lundruese kanë luajtur rrol të rëndësishëm në jetën ekonomike të banorëve për gjatë bregut të liqenit të Shkodrës por edhe në mbrojtjen e nga sulmet e sunduesëve e zaptuesëve të ndryshëm ndër shekuj, sidomos nga sulmet, grabitjet dhe plaçkitjet e malazezëve.

By admini