Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës njoftoi se Këshilli i Ministrave përmbylli fazën e parë për anëtaresimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare.

Ministria shkroi të hënën në Facebook se si hap i radhës do të përgatitja e opinionit nga Asambleja për anetarësimin e Kosovës, derisa falënderoi shtetet që votuan me 2/3 të votave.

“Ky vendim pozitiv vjen pas një pune të gjatë intensive, koordinimi të brendshëm ndër-institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe aleatët e tjerë. Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse të gjitha shteteve që kanë votuar dhe ndihmuar në votimin pozitiv të Komitetit të Ministrave. Përkundër faktit që proceduralisht Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit, duhet theksuar se kjo ishte ‘finale para finales’ meqë kemi kaluar sfida të rëndësishme ligjore dhe politike”, thuhet në njoftim.

MPJD-ja shtoi se mbetet shumë punë për t’u bërë, por Kosova mbetet e përkushtuar për respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar të hënën se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës e ka marrë këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme me më shumë se 2/3 e votave.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për të bërë”.

Kurti: Kosova kaloi me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se Kosova e ka kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

“Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren e Jashtme Donika Gërvalla, zëvendësministrin Kreshnik Ahmeti dhe ekipet e tyre për siç ka thënë, punën e pandërprerë.

Gjithashtu ka falënderuar edhe partnerët e shtetet anëtare, për “përkrahjen e pakursyer”.

Osmani falënderon aleatët që votuan të hënën për Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas përmbylljes së fazës së parë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Osmani ka falënderuar aleatët që kanë votuar të hënën për Kosovën, duke thënë se ata votuan për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut.

Sipas saj, ky është një hap përpara për Kosovën dhe qytetarët e saj, sikurse për integrimin ndërkombëtar të vendit, edhe për avancimin e pozitës së të drejtave të njeriut.

“Pres që shqyrtimi i aplikacionit tonë nga Asambleja Parlamentare të fillojë sa më parë dhe të përmbyllet me sukses. Jemi të përkushtuar për t’i përmbushur standardet më të larta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kemi besim se aplikimi ynë do të vlerësohet në bazë të të arriturave tona në këto fusha”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca. /KohaNet/

By admini