30-VJETORI I TAKIMIT TË ISH-KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ALEKSANDËR MEKSI ME PRESIDENTIN BILL CLINTON DHE ZËVËNDËS PRESIDENTIN AL GORE NË SHTËPINË E BARDHË

Nga Frank Shkreli*

Ishte 22 Prilli, 1993 – 30- vjet më parë – Muri i Berlinit ishte shembur, regjimi komunist i Enver Hoxhës – të pakën në sipërfaqe dukej se kishte rënë —  dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane — pas një ndërprerjeje të njëanshme prej pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi diktatorial komunist enverist – ishin rivendosur me 15 mars 1991. Delegacioni i parë diplomatik amerikan vajti menjëherë në Shqipëri për të filluar kontaktet e para dhe kishte ndërmarrë hapat e parë për hapjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në mars/prill, 1991, në Tiranë.  Ekzistonte një entuziazëm i paparë deri atëherë nga Tirana zyrtare dhe Kombi shqiptar në përgjithësi, por edhe nga Washingtoni zyrtar, për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy kombeve tona – të ndërprera, aq brutalisht, për pothuaj 5 dekada nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës.

Gjithçka kishte filluar me këmbë të mbarë në marrëdhënie e reja—ose të njoma – aq shumë inocente që dukeshin në atë kohë – përball realitetit të sotëm, midis dy kombeve tona. Ish-Presidenti i Shqipërisë, Dr Sali Berisha, i ftuar nga Presidenti George H. Bush i vjetër, kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë në qershor të vitit 1992.  

Një vit më vonë,  me 22 Prill, 1993 Kryemistri i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Meksi ishte ftuar në Washington nga Presidenti demokrat Bill Clinton.  Presidenti i Shteteve të Bashkuara Clinton kishte ftuar udhëheqës shtetesh e qeverish nga Evropa Lindore/Qendrore për të marrë pjesë në hapjen e Muzeut të Hollokaustit në Washington, Prill, 1993. Takimi ishte gjithashtu edhe një rast i mirë për udhëheqsit e rinj amerikanë që të takoheshin me disa prej udhëheqsve post-komunistë të Evropës Lindore/Qendrore, me të cilët do merreshin për 8-vitet e ardhëshme të mandatit Clinton/Gore.

Shqipëria përfaqësohej nga Kryeministri i saj, Aleksandër Meksi me delegacionin e tij, i cili zhvilloi një takim me Presidentin Clinton e që pas pak kohë, takimit iu bashkua edhe Zevendës Presidenti Al Gore. Të dy udhëheqsit amerikanë u treguan shumë të interesuar për zhvillimet demokratike në Shqipëri por edhe për zhvillimet në rajon, duke marrë parsyshë luftën në ish-Jugosllavi. Të gjithë e dinin se ishte çeshtje kohe që lufta do përhapej edhe në Kosovë.

Shqipëria kishte treguar interesim që t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s. Çdo delegacion i qeverisë së re të Partisë Demokratike të Shqipërisë – në takimet e tyre me zyrtarët më të lartë amerikanë në Washington — kërkonte në atë kohë, antarësimin e Shqipërisë në NATO. Ky ishte një subjekt bisedimi Meksi/Clinton, në takimin e tyre 30-vjet më parë – më 22 prill, 1993.

Ndër vendet që përfaqësoheshin në atë tubim të organizuar nga Shtëpia e Bardhë ishin Shqipëria, Portugalia, Kroacia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, Polonia, Sllovenia, Republika Çeke, Sllovakia, Moldova dhe natyrisht edhe Izraeli, pasi kremtohej hapja e Muzeut të Hollokaustit në Washington.

Qysh atëherë, Shqipëria kishte treguar interesim e saj që t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s. Çdo delegacion i qeverisë së re të Partisë Demokratike të Shqipërisë – në takimet e tyre me zyrtarët më të lartë amerikanë në Washington — kërkonte në atë kohë, antarësimin e Shqipërisë në NATO. Ky ishte një subjekt edhe i takimit Meksi/Clinton në takimin e tyre 30-vjet më parë – më 22 prill, 1993.

Aleksander Meksi dhe Bill Clinton

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Meksi, kryeministri i parë post-komunist i atij vendi, i qeverisë së dalë nga Partia Demokratike e Shqipërisë me delegacionin e tij (Arian Starova dhe Roland Bimo) në takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton dhe Zëvendës Presidentin Al Gore në Shtëpinë e Bardhë, 22 Prill, 1993.   (Autori në të djathtë të fotos)

*Shënim nga historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

By admini