Hajrullah Hajdari

Mbiemrat e shqiptarëve janë sllavizuar pas Kongresit të Berlint, nga vet Krajl Nikolla! S’ka teori tjetër të vërtetuar shkenctarisht!

Nga HAJRULLAH HAJDARI

Ka kohë, që me mundësit e mia modeste, merrem me hulumtimin e dokumentave arkivore që mund të hedhin dritë mbi historinë dhe identitetin e shqiptarëve në Mal të Zi. Një ndër çështjet e identitetit të shqiptarëve padyshim janë edhe mbiemrat e tyre të trajtës sllave. Në librin “Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri në vititn 1941” (2016) kam dokumentuar e argumentuar mënyrën dhe periudhën e ngjitjes se mbaresës sllave në mbiemrat e shqiptarëve në Mal të Zi. Po ashtu kam dokumentuar se kjo “ngjitje” është krejtësisht e pabazuar në ndonjë normë juridike valide të kohës çka do të thotë se ka qenë vetëm veprim politik me qëllim të konvertimit dhe asimilimit sa më të shpejtë të shqiptarëve në ortodoks, ashtu si vepruan edhe në krahinën e Plavës dhe Gucisë duke i konvertuar shqiptarët dhe myslimanët në fenë ortodokse. Kjo duhet të jetë tash më e qartë për çdo shqiptarë. Për më shumë se 135 vite që e bajmë këtë barrë të rëndë asimiluese në supet tona, të gjithëve, pamarr parasysh intelektual, politikan, parti politike OJQ apo individë,  s’na mbetët tjetër veçse me veprimet tona të kontribojnë në çdo mënyrë e në çdo formë menjanimin e kësaj barre të rëndë nga supet e shqiptarit fatzi për këtë çështje. Një barrë e veçantë u takon veçanërisht atyre që shkruajnë për këtë çështje, sepse fjala e shkruar “merr dhenë” dhe ka shumë ndikim, përveç në kuptime të lloj-llojshëm edhe në formimin e vetëdijes kombëtare.. Publikimet e tyre duhet të jenë të matura, të argumentuara e me ndikim për çështje të “koklavitura” të identitetit tonë, veçanërisht kur pretendojmë që ato publikime janë shkencore!       

  • Prapashtesat sllave janë plagjiaturë, janë pellazge ! pra jo sllave!

 Ditë më parë « Historia e Krajës » faqe në facebook publikoi një shkrim “Një teori pak ma ndryshe…: Nuk e kam ndërmed të bëj polemikë e as të dialogoj. Gjithësesi e përgëzoj portalin Historia e Krajës ( person apo ekip !?)  për publikimin e dokumentve të rëndësishme historike, faktografike, herë të botuara e herë-herë edhe të pabotuara më parë, dhe e vlerësoj shumë punën, impenjimin, kohën, sakrificën që po bë(j)në sepse ai numër i madh dokumentash e fakteve që po publikon sigurisht se ndihmojnë zbardhjen e të kaluarës tonë historike, kulturore, folklorike apo gjuhësore të kësaj treve etnike shqiptare …Megjithate, pohimi se prapasteshat sllave “iq” apo “viq” në mbiemrat e shqiptarëve të sotëm janë plagjiaturë, janë pellazge, më duket shumë i guximshëm dhe i papranuar së paku nga shkenca albanologjike e më gjërë, nga njëra anë e nga ana tjetër bie ndesh me qëllimin e vetë Krajl Nikollës për konvertimin e shqiptarëve dhe tentimet tona të argumentuar për hjekjen e barrës së rëndë sllave në supet e shqiptarëve. Tezat shkencore të argumentuara, nga njëherë mund të jenë edhe të dhimbshme, por ato duhet vlerësuar e pranuar.  Por të merresh me shkencë të mirëfilltë është punë e vështirë, sidomos në këto kohra kur po jetojmë, duhen përgaditje shkollore, përvojë, kushte, ekipe e ekspedita shkencore, duhet mjete të konsiderueshme financiare. Kjo nuk do të thotë se është e pamundur dhe se duhet t’i plotësojmë të gjitha ato kushte për të hulumtuar e studiuar! Teoria se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët po avancon dita-ditës kështu që shumë studiues të mirëfilltë po bëjnë zbulime gjithnjë më të besueshme për rrënjët tona. Mirëpo, pellazgët nuk janë trajtuar akoma ashtu siç duhet, nga historiografia shqiptare, edhe pse ka një lidhje direkte territoriale, midis trojeve të banuara nga pellazgët antikë, dhe atyre të banuara nga shqiptarët sot. Megjithate shumë autorë të huaj e trajtojnë lidhjen midis shqiptarëve dhe pellazgëve e njëri ndër ata thekson ( Malte Brun) se “shqiptarët janë paraardhës të fiseve ilire që flasin një gjuhë që ishte e lidhur me të pellazgëve, dardanëve, grekëve dhe maqedonëve” Ky autor e identifikon shqiptarët si ilirë dhe gjuhën e tyre bazikisht si pellazgë. Ndërkaq Albert Dumont konstatoi se “ nuk ka popull në Evropë më të vjetër se shqiptarët. Nuk ka asnjë dëshmi klasike që ata të kenë ardhur në Ballkan”, çka nënkupton se ata ishin gjithmon aty. 

Mirëpo sa i përket shkrimit apo alfabetit pellazg, për fat të keq akoma nuk ka qëndrim unik. Shkrimi i një gjuhe të folur, sidomos atyre më të vjetra, është një  histori mjaft e komplikuar.Karakteret apo simbolet pellazge nuk kanë mbijetuar në dorëshkrime, por ato janë gjetur në mbishkrime mbi gur, qeramikë e, më vonë, në monedha. Disa studiues mendojnë se alfabeti pellazg ka ardhur tek ne nga fenikasit madje thuhet  „çdo alfabet i botës së qytetëruar e ka prejardhjen nga alfabeti fenikas“.

Levizjet e popullsisë ndër shekuj kanë qenë të shumta dhe si rrjedhojë përshtatja e gjuhëve të ardhacakeve me vendasit ka qenë e paevitueshme dhe mbizotërimi i ndonjërës nga ato është varur nga shumë faktorë. Por një gjë është e sigurtë,  i forti e ruante gjuhën e origjinës. Siç është e njohur në territoret ku jetuan pellazgët dhe ilirët janë ndërruar zaptues të ndryshëm ndër të cilët edhe sllavët dhe ka mundësi që alfabeti sllav të këtë pas ndikim edhe edhe të alfabeti i pëllazgëve. Për fat të keq gjuha dhe shkrimi pellazgë dhe ilir janë zhdukur duke lënë pas vetëm disa emra të përveçëm, të cilët gjenden në dorëshkrimet greke e latine. Përkundër siç pretendon autori i portalit të përmendur se “VIQ” rrjedh nga fjala NIK – përandoreshë pellazge, një autor tjetër pretendon se germa“V”  në mbishkrimet e vjetra pellazge-etruske  lexohej si “U” dhe kështu kemi fjalën “VIJ” që lexohet “UIJ” pra ujë.Në këtë kuptim relacioni i germave të alfabetit pellazgë-etrusk është i ndryshëm dhe i tjetërsueshm nga rrethanat, koha dhe qasja e studiuesit. Kështu vështirë se fjala “NIK” mund të vërtetohet shkenctarisht se është plagjiat i fjalës sllave “VIQ” që pamëshirë i mbulojë shqiptarët.Në veçanti është vështirë të besohet se ka qenë qëllim i përcaktimit të mbiemrave të njerëzve përkundër asj se qëllimi i Krajl Nikollës ka qenë i qartë – asimilimi i shqiptarëve.

  • Të gjitha dokumentet arkivore vërtetojnë se “iq” e “viq” u janë veshur shqiptarëve nga Krajl Nikolla pas Kongresit të Berlinit

 Në trojet shqiptare në Mal të Zi po ashtu janë ndërruar zaptues të ndryshëm të cilët, së cili në mënyrë të vet ka lënë gjurmë, veçanërisht në toponimet e vendbanimeve e aty këtu edhe të emrave të personave. Sa i përket mbiemrave, kur këto troje u sunduan nga sllavët, duke iu referuar arkivave të Venedikut e veçanërisht të Raguzës (Dubrovnikut) na del se shqiptarët janë quajtur, ashtu siç kemi cekur shumë herë, ose sipas prejardhjes, profesionit apo llagepit e në asnjë mënyrë nuk kanë qenë të sllavizuar. Natyrisht ka përjashtime, por ato janë sporadike si përshembull Shestanoviq, sepse personi vinte nga krahina e Shestanit dhe nuk mund të konsiderohet si dukuri e përgjithshme.  Në disa dokumente edhe vetë Balshajt rrezultojnë si Balshiq por në shumicën e rasteve, në qindra e qindra dokumente raguziane ato janë të shenuar si Balsha ( Georgios Strazimir Balsha). Në arkivin e Dubrovnikut ruhen dokumente me vlerë të pazëvendësueshme për elementin shqiptar i cili me tiparet e veta etnike të spikatura, me emra dhe mbiemra dallohen nga popullsia sllave. Po thuaj se të gjithë tregtarët shqiptarë që nga shekulli XII–XVIII në Venedik apo Raguzë evidentoheshin pa prapashtesen sllave, me përjashtime shumë të rralla sepse edhe vet serbet në shumicën e rastave evidentoheshin pa prapashtesen e sotme “iq” apo “viq”. Në dokumentet për historinë e Shqipërisë të shekullit XV, në regjistrat kadastrale të viteve 1416-1417,1485, 1582  etj shumica e pronarëve shqiptarë shenohen pa prapashtesën sllave, ndonse është e pashmangshme, në raste të rrala, për shkak të pranisë sllave në këto troje, që disa familje të regjistrohen edhe me “viq”,

Nga e gjitha kjo del se pa marrë parasysh se prapashtesat sllave në mbiemrat e shqiptarëve janë plagjiate apo jo, pellazge apo të ndonjë gjuhe tjetër, është e qartë dhe e dokumentuar se “iq” dhe “viq” iu janë veshur shqiptarëve nga politika asimiluese e Krajl Nikollës pas Kongresit të Berlinit. Dokumentet me të cilat disponojmë janë të qarta dhe të bazuara në parimet shkencore që kërkon një pohim shkencor. Së paku është mirë që kur të bëjmë transkriptin apo komentimin e ndonjë dokumenti të kemi parasysh autentitetin e dokumentit, datimin e tij, vërtetësinë, burimin, e sidomos lidhjen midis dokumentit dhe  intencioneve e synimeve të hartuesve të tij si dhe pasojat e komentimit ndryshe në mënyrë që të  jemi korrekt së paku me opinion e gjërë, e pse jo edhe me vetveten. Këtu duhet pasur parasysh se dokumenti, ku më shumë e ku më pak, ku drejtpërdrejt e ku tërthorazi, shpreh interesat klasore e politike të hartuesit gjegjësisht studiuesit. Nuk dua të besoj dhe nuk besoj se autori i përmendur ka qëllime që bien ndesh me interesin kombëtar, përkundrazi e bën me impenjim dhe dëshirë. 

 Në fund, dua të them se edhe njëherë e bëra këtë sqarim mbi përgjegjësinë e Malit të Zi për ngjitjen e arnit “iq” e “viq” në mbiemrat e shqiptarëve me qëllim që t’i humbasin të gjitha elementet shqiptare e t’i asimilojnë ata, duke ditur se hutimi  nga shkrime të ndryshme, edhe pse mund të ketë nga njëherë edhe ca të vërteta, mund të reflektojë negativisht të të luhaturit për këtë çështje të identitetit tonë kombëtar. Pra, s’ka teori tjetër të vërtetuar shkencatarisht përveç faktit: Mbiemrat e shqiptarëve në Mal të Zi janë sllavizuar pas Kongresit të Berlinit. Në këtë drejtim mbështes fuqishëm iniciativën qytetare dhe jo partiake “HIQ VIQ” për korrigjimin e mbiemrit ose më mirë për kthimin e mbiemrave tonë në identitet. Është koha e fundit që  Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi dhe  partitë politike shqiptare të arsyetojnë qëllimin e themelimit të tyre dhe të  merren me këtë çështje serioze shqiptare, sepse çdo gjë fillon nga identiteti kombëtar!

By admini