Ilustrim

Fokusi: Ruajtja e traditës së interpretimit me lahutë dhe fyell në trojet tona.

Qëllimi i këtij projekti është ruajtja dhe ringjallja e instrumenteve tradicionale shqiptare në trevat shqiptare të Malësisë së Tuzit, Plavës dhe Gucisë, duke edukuar brezat e rinj me trashëgiminë tonë muzikore e cila sot, për fat të keq, rrezikon të zhduket. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet instrumenteve si lahuta dhe fyelli, si simbole identitare të kulturës sonë, por pjesë e programit do të jetë edhe interpretimi me çifteli.

Kushtet dhe fazat e projektit:
1. Projekti u dedikohet të rinjve me identitet të qartë kombëtar të moshës 15–25 vjeç;
2. Faza e parë parashikon fillimin me nga 5 kursistë në zonat e Malësisë së Tuzit dhe Malësisë së Plavës e Gucisë, me synimin për t’u zgjeruar më pas në Anë të Malit dhe Krajë, nëse ka interesim dhe vullnet;
3. Pasi këta të rinj, por pse jo edhe të reja, të përvetësojnë tri instrumentet bazë (lahutë, fyell dhe çifteli), projekti do të vazhdojë me formimin e grupeve të reja, duke ndërtuar kështu një proces të qëndrueshëm dhe afatgjatë;
4. Pas shpalljes së konkursit, në rast se numri i të interesuarve është më i madh se 5, do të formohet një komision prej një ose dy mësimdhënësish të muzikës, i cili do të përzgjedhë kandidatët me prirjen më të theksuar muzikore;
5. Pas përvetësimit të instrumenteve, do të realizohet një vlerësim përfundimtar nga një komision profesional.
Kursistët që e kalojnë me sukses këtë fazë do të shpërblehen me:
•një instrument muzikor si dhuratë, dhe
•një shpërblim financiar prej 500 eurosh.
6. Në fazën përfundimtare, pasi të krijohet një numër i mjaftueshëm të rinjsh dhe të rejash që zotërojnë këto instrumente, do të themelohet një Shoqatë Tradicionale, ku do të përfshihen pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi.

Ky projekt nuk është vetëm muzikë – është ruajtje identiteti, emancipim, dinjitet kulturor dhe investim në brezat që vijnë.

Afati i konkursit:
Konkursi është i hapur deri më: 31 janar 2026.
Kontaktet për aplikim:
•Malësia e Madhe (Tuz):
Prof. Agron Pllumaj – 📞 069 747 779
•Plavë dhe Guci:
Shaban Prelvukaj – 📞 069 727 013
•Anë e Malit dhe Krajë:
Din Zeneli – 📞 069 032 848

Sponsorët aktualë të projektit:
•Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”
•Fondacioni Plavë e Guci
•Fondacioni Lukaj (Viosa & Richard Lukaj)
•Joseph Dedvukaj
• Vellezerit Lucaj
• Qazim Dedushaj
• Ismet Dedushaj
• Xhevat Goçaj
• Shoqata Atëdhetare “Malësia e Madhe” Michigan

•••Shpresojmë që edhe shoqata dhe individë të tjerë t’i bashkohen këtij projekti në të ardhmen e afërt.

/Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”/

By admini