
Kumtesë për opinion
Lidhja Demokratike në Mal të Zi përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet e sinqerta për fitoren plebishitare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kjo fitore e qartë dhe bindëse është shprehje e drejtpërdrejtë e vullnetit qytetar për ndryshim, stabilitet dhe qeverisje të përgjegjshme.
Rezultati zgjedhor, pas numrimit përfundimtar të votave, dëshmon se qytetarët e Kosovës kanë zgjedhur me vetëdije një kurs të ri politik, të mbështetur në transparencë, reformë dhe orientim të qartë drejt interesit publik. Ky mandat i fuqishëm është një mbështetje e hapur për politikat e zhvillimit, forcimit të shtetit të së drejtës dhe përkushtimit ndaj të mirës së përbashkët.
Lidhja Demokratike në Mal të Zi vlerëson se një Kosovë stabile, demokratike dhe e suksesshme është faktor kyç për stabilitetin dhe prosperitetin e mbarë rajonit tonë. Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje është një sinjal i rëndësishëm se qytetarët e Kosovës besojnë në një të ardhme më dinjitoze, më të drejtë dhe më të begatë.
Ne shprehim gatishmërinë tonë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, kulturor dhe politik ndërmjet shqiptarëve në rajon. Besojmë se ky moment i ri politik do të kontribuojë jo vetëm në forcimin e shtetit të Kosovës, por edhe në avancimin e çështjes kombëtare, të drejtave të shqiptarëve kudo ku jetojnë, si dhe në ndërtimin e urave më të forta të bashkëpunimit.
Lidhja Demokratike në Mal të Zi uron që ky mandat i ri të shënojë hapjen e një kapitulli të ri të progresit, stabilitetit dhe zhvillimit për Kosovën dhe qytetarët e saj.
KRYETARI,
Mr. Saubih Mehmeti, ing. i dipl. i tek.
