Letërsisë shqipe dhe shkrimtarëve shqiptarë në Malin e Zi deri tani nuk iu është kushtuar vëmendja e duhur dhe nuk iu është dhënë vendi që meritojnë. Përpos problemit të njohjes nga të tjerët, ne kemi edhe problemin e njohjes së kësaj letërsie brenda vetë letërsisë shqipe. Prandaj unë besoj se kjo antologji dygjuhëshe (shqipe dhe malazeze) do t’i shërbejë më së miri këtij qëllimi.
Nga Ismet Kallaba
Letërsia shqipe që krijohet në Malin e Zi është pjesë e pandarë e letërsisë shqipe, por njëkohësisht edhe e letërsisë që krijohet në Malin e Zi. Kjo jetë e dyzuar e letërsisë dhe e autorëve shqiptarë në Malin e Zi mund të jetë e mirë në kuptimin që u përkasin të dyve apo të gjithëve, por edhe rrezikon të anashkalohet duke mos i përkitur asnjërës, siç ka ndodhur jo rrallë herë.
Nisma dhe projekti i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi për botimim e antologjisë së prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Malin e Zi duhet kuptuar si një përpjekje për të vënë në spikamë vlerat e pamohueshme të letërsisë që krijohet nga autorët shqiptarë në Malin e Zi. E them këtë sepse letërsisë shqipe dhe shkrimtarëve shqiptarë në Malin e Zi deri tani nuk iu është kushtuar vëmendja e duhur dhe nuk iu është dhënë vendi që meritojnë. Përpos problemit të njohjes nga të tjerët, ne kemi edhe problemin e njohjes së kësaj letërsie brenda vetë letërsisë shqipe. Prandaj unë besoj se kjo antologji dygjuhëshe (shqipe dhe malazeze) do t’i shërbejë më së miri këtij qëllimi.
Ky libër është dëshmi se letërsia që krijohet nga autorët shqiptarë në Malin e Zi është letërsi e mirë dhe me vlera. I vetëdijshëm se letërsia nuk mund të ndahet me kufij, edhe nga kjo antologji mund të kuptohet se sa shumë i kanë dhënë shqiptarët në Malin e Zi letërsisë shqipe në përgjithësi, sidomos asaj në Kosovë.
Përzgjedhja e autorëve të përfshirë në antologjinë me titullin simbolik “Të gjithë tanët” është bërë duke u bazuar krykëput në kriterin estetik. Ata u përkasin brezave të ndryshëm. Krahas autorëve të afirmuar në rrafshin mbarëkombëtar e më gjerë, siç janë shkrimtarët akademikë Rexhep.Qosja, Zuvdija Hoxhiq, Mehmet Kraja, apo shkrimtari për fëmijë Hajro Ulqinaku, ka edhe një grup autorësh që krijojnë në vendlindje apo në diasporë (Asllan Bisha, Ibrahim Berjashi, Fran Camaj, Muzafer Çaushi, Jaho Kollari, Anton Gojçaj, Mark Pashku Lucgjonaj). Pavarësisht vendit se ku jetojnë dhe veprojnë, ka diçka të brendshme që i lidh të gjithë këta autorë. Duket se vendlindjen e kanë bartur me vete, nga e marrin frymëzimin dhe brumin për krijimtarinë e tyre. Ajo është e pranishme pothuajse në krijimtarinë e gjithësecilit përmes mjedisit, personazheve, temave, ngjarjeve…
Edhe pse nuk ka qenë qëllim apo kriter në vetvete, por duke e parë gjeografinë nga vijnë autorët e përfaqësuar në antologji, shohim se në të janë autorë nga pothuajse të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi (Ulqini, Kraja/Tivari, Malësia, Gucia). Kjo antologji tregon se letërsia që krijohet nga autorët shqiptarë në Malin e Zi nuk përbëhet vetëm nga disa emra të përveçëm, por ka më shumë sish.
Pa dashur që ta zmadhoj, mendoj se kjo antologji qoftë për nga përmbajtja (cilësia/vlerat estetike), qoftë për nga pamja (përgatitja teknike) mund të krahasohet me antologji të letërsive më të mëdha. Si e tillë ajo është edhe një letërnjoftim apo pasaportë e shqiptarëve në Malin e Zi. Antologjia duhet të jetë pjesë e çdo biblioteke të qyteteve dhe atyre shkollore në Malin e Zi, veçmas të atyre qyteteve dhe shkollave në gjuhën shqipe, si dhe e bibliotekave kryesore në vendet e rajonit (kam parasysh në rend të parë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut).
Si njëri prej redaktorëve të librit, jam i hapur për kritikën e studiuesve të letërsisë, lexuesit etj.
Duke mos dashur që të minimizoj vlerën e projekteve të mëparshme që ka realizuar Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, mendoj se ky është një ndër projektet më me vlerë sa i përket shqiptarëve. Botimet e këtilla u bëjnë nder shqiptarëve në Malin e Zi dhe vetë institucioneve kulturore të Malit të Zi, në rastin konkret Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave si botues i antologjisë.
(Fjala në përurimin e antologjisë së prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Malin e Zi “Të gjithë tanët” në Ulqin, më 14 mars 2023) /Koha Javore/