
Nga Gjekë Gjonaj
Shënimi i Ditës së Shkollës së Mesme “ Vëllazërim – Bashkim” të Ulqinit, i cili u mbajt ditën e martë, më 21 mars , i tejkaloi përmasat e një dite të zakonshme festive, e cila shumë vite më parë kremtohej nën drejtimin dominues të një ideologjie komuniste e cila arsimin shqip e shikonte nëpër gishtërinjtë e saj. Këtë lloj kremteje të kontrolluar nga pushtetet e kohës nuk e dëshironin shumica e mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve të tyre, por ishin të detyruar ta “ pranojnë” këtë imponim nga frika se do të pësonin nga pushtetarët.
Secili shqiptar që kësaj herë përcolli kremtimin e ditës së kësaj shkolle në Qendrën e Kulturës në Ulqin u vërtetua se ajo periudhë e errët që rrotullonte atë “ rrotë” të historisë ka mbetur prapa nesh, fatmirësisht. Kjo nuk është meritë vetëm e fillimit të demokratizimit të shoqërisë, por edhe guximi intelektual ( që na mungon shumë ) dhe çlirimi nga frika e kamotshme i atyre personave që e drejtojnë këtë institucion edukativo-arsimor.
Me ndryshimet në postet drejtuese të kësaj shkolle ka ndryshuar për të mirë e gjithë puna dhe aktiviteti i shkollës. Nuk është ky një konstatim yni, për dikë ndoshta subjektiv ose i papranuashëm , por është një vlerësim i bazuar nga biseda jonë me mësimdhënësit veteranë të kësaj foleje të diturisë , të cilët na thanë: “ Një program i këtillë i pasur kulturor e argëtues me mesazhe paqeje, solidariteti, uniteti e atdhedashurie për kohën tonë ka qenë ëndërr e parealizueshme”.
Duhet thënë se kushdo që ka qenë mësimdhënës apo nxënës në këtë shkollë, është shkruar në librin e madh të historisë së saj. Ata janë pjesë e një kolektivi të madh dhe të suksesshëm ëndrrash të cilët vit pas viti , pavarësisht sfidave të kohës, e kthyen këtë institucion edukativo-arsimor në një çerdhe të dijes dhe të edukimit në frymën e atdhedashurisë për vendlindjen, për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar. Kjo ndjenjë e përkatësisë ndaj kësaj historie suksesi e pengesash të mëdha më se njëshekullore besoj se rikthen me dëshirë gjithsecilin prej tyre në këtë shkollë, qoftë edhe një herë të vetme. Kjo shkollë ka qenë dhe mbeti një familje me dinjitet, gjithmonë e madhe e cila në një periudhë të errtë të sistemit komunist përjetoi largimin nga puna dhe burgosjen e profesorëve më të shquar , më me zë dhe më me autoritet në mbarë trevat shqiptare në Malin e Zi, për arsyen e vetme se kryenin misionin e tyre të shenjtë në mënyrën më të mirë të mundshme në frymën kombëtare. Ata ishin dhe mbetën shëmbëlltyrë dhe simbol të arsimit shqip , në kohën kur arsimimi në gjuhën tonë amtare konsiderohej i padëshirueshëm dhe i rrezikshëm për pushtetin e atëhershëm. Megjithatë forcat represive të kohës nuk arritën të thyejnë shpirtin arsimdashës të mësimdhënësve shqiptarë të kësaj shkolle, por vazhduan rrugën e vështirë me gjemba dhe misionin e tyre të shenjtë të arsimimit dhe edukimit të të rinjve shqiptarë të Komunës së Ulqinit dhe trevave tjera shqiptare në Mal të Zi.