Shkruan Nikollë GEGAJ
Në këto ditë të vështira dhe vendimtare për Malin e Zi, po ju drejtohem pjesëtarëve të pakicave kombëtare në Mal të Zi, pra Shqiptarëve, Boshnjakëve, Myslimanëve, Kroatëve, Romëve e të tjerë. Për këtë gjë unë kam të drejtë, pasi edhe unë vetë jam pjesëtar i njërës prej këtyre pakicave nacionale.
Le të jetë e qartë për të gjithë ne se në këto zgjedhje presidenciale pak ka rëndësi se kush do të jetë President i Malit të Zi për pesë vitet e ardhshme. Në datën e dy Prill, ne me votat tona, vendosim a do të ekzistojë më Mal të Zi ose jo. Pra, në këto zgjedhje përcaktohet në të vërtetë drejtimi i mëtejshëm politik në të cilin do të ecë Mali i Zi. Dhe pakicat e dinë mirë këtë gjë.
Të gjithë e dimë se nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Millo Gjukanoviqit, pas gati një shekulli, Mali i Zi rifitoi pavarësinë dhe zuri vendin e tij të merituar në familjen e shteteve sovrane të Botës. Gjukanoviq, tregoi pra reflekse të jashtëzakonshme politike, ndjesinë e momentit dhe aftësinë për të reaguar në kohën e duhur në interes të Malit të Zi, në kuptimin politik, ekonomik dhe shpirtëror. Ai drejtoi me mjeshtëri Malin e Zi në detin e turbullt politik ballkanik dhe si rrjedhojë patëm një shtet më të fortë dhe më të begatë. Partnerët ndërkombëtarë, në radhë të parë ata perëndimorë, e kanë trajtuar gjithmonë atë si faktor stabiliteti, si në Mal të Zi, ashtu edhe në rajon. Për shkak të veprimtarisë së tij, shumë nga ata që i kish shqetësuar pavarësia e Malit të Zi, duke filluar nga Sllobodan Millosheviqi, Momir Bullatoviqi e të tjerë, u përpoqën në mënyra të ndryshme ta largonin atë nga skena politike e Malit të Zi, pasi ai paraqiste një pengesë të pakapërcyeshme për nënshtrimin e vendit tonë. Por ata nuk mundën që ta arrinin këtë gjë.
Gjukanoviq e ka dëshmuar veten që është një mbrojtës i vërtetë i pakicave, madje edhe në kohët më sfiduese, më të trazuara dhe më të këqija për ta. Gjukanoviqi me përvojën e tij drejtuese, na bind se ai mund të ruajë stabilitetin dhe harmoninë shumetnike në një Mal të Zi evropian të të gjithë qytetarëve të tij.
Të gjithë jemi dëshmitarë se dy vjet e gjysmë më parë, në një atmosferë krejtësisht të parregullt gjatë fushatës zgjedhore, në të cilën me një përqindje minimale pushtetin e morën aktorët politikë, të cilët janë për zhdukjen e Malit të Zi si shtet i pavarur. Dy qeveri të paqëndrueshme të një shumice të tillë, duke përdorur masa revanshiste, populiste dhe antiekonomike, e futën Malin e Zi në një krizë institucionale, shpirtërore dhe ekonomike pa precedent, si dhe thelluan edhe më shumë përçarjen me baza politike, kombëtare dhe fetare. Për këtë gjë, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u shpreh shumë hapur: “Mali i Zi është në një krizë shumë të thellë. Është pranë një kolapsi institucional, të tillë që nuk kam parë kurrë në asnjë vend tjetër. Vendi nuk ka qeveri. Dy qeveri ranë dhe nuk pati sukses formimi i një tjetre”.
Për arsye se popujt e pakicave në Mal të Zi kanë luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe prosperitetin e shtetit tonë të përbashkët, unë do të doja t’u them atyre sa vijon: “Evropa tani”, e përfaqësuar këtu nga Jakov Millatoviqi, është një projekt dinak i Ministrisë së Financave të Republikës së Serbisë me qëllim falimentimin e plotë të shtetit të Malit të Zi dhe të qytetarëve të tij, truri i operacionit i të cilit është Sinisha Malli, bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiqit.
Qeveria që u formua nga Kisha e Serbisë në Manastirin e Ostrogut, me qëllim eliminimin e Malit të Zi dhe gjithçka Malazeze, në të cilën njëri nga “apostujt” kryesorë ishte Jakov Millatoviqi, e cila bëri gjithçka që mundi për të fshirë diasporën tonë nga lista e votuesve, dhe gjithashtu nga regjistrat e banorëve. Ishte autoriteti i Institucionit të Presidentit ai që e pengoi këtë tentativë të poshtër.
Më në fund: Vota për Millo Gjukanoviqin, në këto zgjedhje presidenciale, është votë për Malin e Zi sovran, shumetnik dhe të begatë, prandaj dua të kuptoni se kësaj radhe vota juaj për të nuk ka lidhje me PDS-në. Kini parasysh se në këtë situatë, abstenimi i votuesve nga pakicat kombëtare është një votë e sigurtë në favor të kundërshtarëve të Malit të Zi, dhe kolona e pestë, që kemi këtu, pret që ju të mos votoni në raundin e dytë të zgjedhjeve