Nga Gjekë Gjonaj

Kështu e  kam  titulluar kronikën televizive gjatë intervistës time të parë  me mësuesen e parë në Anë të Malit  Rukije Lika – Shabaj,   në   nëntor të vitit   1994. Nga biseda me këtë mësuese model,  mësuam se ajo u rrit në një familje të varfër dhe prindërit e saj rritën 6  fëmijë  ( 3 djem dhe 3 vajza) në një situatë të vështirë ekonomike. Mësuesja Rukije megjithatë ishte më e fortë se paragjykimet e kohës për shkollimin e  vajzave. Shkollën tetëvjeçare e mbaroi në vitin shkollor  1958/1959, kurse të mesmen në Prishtinë, ku pas  dy vitesh  u diplomua  në Shkollën e Lartë Pedagogjike – drejtimi klasor  .

Ajo si mësuese e parë  theu barrierat dhe tabutë lidhur me arsimimin e  femrave  në  Anë të Malit . Me diplomën e mësueses, të cilën e mori me meritë në Shkollën Normale “ Milladin Popoviq”  në Prishtinë , u kthye  në vendlindje  në vitin shkollor 1963/64.  Në shtator të atij viti filloi punën  me nxënës në Katërkollë,  po në atë shkollë  prej  nga , siç më tha ajo,  ishte e nisur për në shkollë  e veshur me rroba fshatareje. Rrëfimet e saj  para kamerës televizive  për historinë interesante të  fillimit të rrugëtimit të   saj të arsimimit  ishin  mjaft emocionuese dhe të pazakonta,  sepse ishte  femra e parë  nga kjo zonë e cila me insistimin këmbëngulës  të  drejtorit  të shkollës   Jonuz Divanit    mori vendimin “të niset pa ditur se për ku, se ku do të banojë, ku do të flejë”, e ngarkuar  nga zërat paragjykues  të bashkëfshatarëve të vet se “kujt i duhet më  kjo vajzë e cila po lë familjen dhe po shkon vetëm në shkollë ”. Kjo arsimdashëse  nuk ua  vuri veshin thashethemeve   të fshatit, por vazhdoi  me seriozitet e përkushtim misionin e filluar. Me punën e palodhur dhe me  sjelljen e saj  shembullore arriti t’i përballojë të  gjitha sfidat  me të cilat u ballafaqua  gjatë përfundimit të shkollës së mesme dhe  shkollës  normale në Prishtinë.  Kur u kthye me diplomën e mësues  ndjehej krenare për faktin  se theu  akullin shekullor  dhe hapi një shteg të mbyllur deri atëherë për femrat anamalase.   Rrugën  e saj të shkollimit  për fat të mirë   e ndoqën shumë breza vajzash  të kësaj zone. Familjarët  e mësueses Rukije   dhe të tjerët ndiheshin krenar se kanë një  vajzë dhe një  bijë të  tillë e cila po edukon dhe arsimon brezat e rinj anamalas  në frymën  e shëndoshë. 

Në njërën prej pyetjeve tona : “A më fort të duan nxënësit ty apo ti ata?”, ajo na u përgjigj   kështu: ‘T’ju them të drejtën, sa i dua unë ata. Dashuria ndaj profesionit është moment në vete. Sentimentalizmi ndaj fshatit Katërkollë, që për herë të parë mëson në gjuhën e vet, është faktori i dytë i rëndësishëm. Fakti që unë jam mësuesja e parë e kësaj shkolle  shqipe më bën që përmbajtjen e jetës ta kuptoj më së miri kur gjendem në mesin e luleve të mira”, siç i quante ajo nxënësit e vet. “ Jeta ime merrte kuptimin e duhur duke qenë në mesin e atyre fëmijëve të vegjël që donin të mësonin në gjuhën e nënës së tyre”,  na ka thënë  ajo.  

Porosia e  mësueses Rukije Lika  Shabaj e cila punoi si mësuese 35 vjet ishte : “Bëni më shumë për arsimin në përgjithësi, në veçanti për ata mësimdhënës/e të cilët ishin të parët/ at që dritën e dijes në gjuhën shqipe e kishin shpërndarë nëpër të gjitha familjet shqiptare”. Ajo edhe pse fizikisht nuk ndodhet mes nesh meriton një mirënjohje të madhe  për kontributin e saj të paçmuar nga nxënësit, mësimdhënësit, prindërit,  institucionet e  arsimit dhe nga shqiptarët.

Ky shkrim imi modest  për “ Afërditën e Anës së Malit”, siç e kemi  quajtur  ne  mësuesen e dashur, le të jetë një falënderim për protagonisten tonë dhe për të gjithë  mësuesit/et, pedagogët /et e inspektorët /et e  arsimit shqip  të asaj kohe , dhe një apel që të ndriçohet më tepër ajo kohë dhe të kujtohen e mos të harrohen këto personalitete.

By admini