
Ekipi futbollistik Otrant nga Ulqini ka arritur një sukses të madh duke u shpallur kampion i Ligës së Dytë dhe duke siguruar rikthimin në elitën e futbollit të Malit zë Zi.
Futbollistët e Otrant Olimpik në derbin e javës së 35-të të Ligës së Dytë e mposhtën Grbalin me rezultatin 4:2 dhe kështu, pas vetëm një sezoni, u rikthyen në elitën e futbollit klubor të Malit të Zi, shkruan Ulqini Online.
Futbollistët e Otrantit fituan ndaj konkurruesit direkt dhe një javë para përfundimit siguruan një avantazh të paarritshëm prej shtatë pikësh duke siguruar vendin e parë.
Ekipi Grbalj kaloi dy herë në epërsi, por që futbollistët nga Ulqini kthyen rezultatin në favor të tyre. Në minutën e parë, Gjuričić shënoi për 0:1, ndërsa në minutën e pestë barazoi Augusto. Në aksionin e radhës, Stanisaviq i Grblit realizoi për 1:2, ndërsa në minutën e 15-të rezultati u bë 2:2 me golin e Vujaçiq për Otrantin.
Në pjesën e dytë vendasit ishin më të mirë dhe me autogolin e Krivokapiq në minutën e 61-të kaluan në epërsi 3:2. Golin përfundimtar të ndeshjes për 4:2 e shënoi Valentin Rudaj tetë minuta më vonë duke e vulos fitoren e Otrantit.
Pas përfundimit të ndeshjes, festa në fushë dhe në shkallët e stadiumit ishte e madhe, teksa futbollistët nga Ulqini së bashku me tifozët festuan këtë sukses të jashtëzakonshëm.
