Akad. Nikë GASHAJ
Më 21 maj 2026 bëhen 20 vjet nga mbajtja e referendumit në Mal të Zi dhe fitores së pavarësisë së shtetit, ku shqiptarët dhanë një kontribut të rëndësishëm duke votuar në mënyrë masive pro pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit të Malit të Zi.
Natyrisht se shqiptarët, por dhe qytetarët e kombeve të tjera të cilët në referendum votuan për pavarësin e Malit të Zi, nuk votuan për çfarëdo shteti, por për një shtet demokratik dhe ligjor. Shqiptarët konsideruan se me pavarësin e Malit të Zi krijohen parakushtet më të volitshme për realizimin e të drejtave të tyre individuale dhe kolektive.
20- vjetori i Pavarësisë të Malit të Zi është rasti i rikapitulimit të politikës ndaj shqiptarëve, d.m.th. valorizimi i sendërtimit të të drejtave të tyre, por dhe ideimi normativ, institucional dhe praktik mbi avancimin e politikës ndaj shqiptarëve si popull pakicë dhe specifik për shkak të gjuhës, kulturës dhe prejardhjes të veçantë, duke pasur parasysh se kjo është një kategori dinamike.
Me Kushtetutën e Malit të Zi (neni 97), e miratuar në vitin 2007, janë rregulluar të drejtat e veçanta të pakicave. Mali i Zi e ka dhe ligjin për të drejtat dhe liritë e pakicave, si dhe Ligjin për ndalimin e diskriminimit etj. Më tutje Mali i Zi i ka formuar edhe disa institucione, sikurse janë: Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Qendra për Ruajtjen dhe zhvillimin e Kulturës së Pakicave, këshillat nacionale të pakicave, pra dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi. Natyrisht që tërë kjo është e nevojshme, por jo dhe kusht i mjaftueshëm i sendërtimit konsekuent të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, në njëmendësinë konkrete, në fakticitet. Meqenëse problemi akoma ekziston në zbatimin e normave kushtetuese e ligjore në praktikë, në dallimin evident në mes të normave dhe njëmendësisë objektive. Problemi qendron në shkallën e zhvillimit të vetëdijes qytetare, të vullnetit të vërtetë politik dhe jo vetëm deklarativ, si dhe të kulturës juridike e politike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, sikurse janë shqiptarët në Mal të Zi. Prandaj, në atë sferë jemi akoma në një gjendje deficitare.
Ligji për pakica, i rendomtë dhe jo kushtetues
Ligji për të drejtat dhe liritë e pakicave është i rendomtë dhe jo ligj kushtetues, sikurse është për shembull ligji kushtetues për pakicat kombëtare të Kroacisë. Është e njohur se ligji kushtetues ka një fuqi juridike më të madhe sesa ligjet tjera, të cilat nuk mund të jenë në kundërshtim me të. Ligji kushtetues për pakica iu garanton atyre një sigurim më të madh juridik sesa ligji i rëndomtë. Në anën tjetër, Ligji i rëndomtë i tanishëm për të drejtat dhe liritë e pakicave vuan nga një numër i konsiderueshëm i dobësive, të metave dhe mangësive. Mungesa kryesore e Ligjit të tanishëm për të drejtat dhe liritë e pakicave qëndron në faktin se ai nuk përmban dispozita ndëshkimore për moszbatimin e ligjit. Njohet teorike dhe empirike tregojnë se nuk është me rëndësi vetëm të ekzistojnë ligjet, por më me rëndësi është që ligjet të jenë të mira, cilësore dhe të zbatueshme.
Simbolet kombëtare
Shqiptarët në Mal të Zi si simbol kombëtar e përdorin flamurin shqiptar, ndërsa si festa kombëtare deri me tani kremtojnë: Ditën e Flamurit shqiptar dhe Ditën e Mësuesit( të shkollës kombëtare shqiptare).
Në periudha të ndryshme historike flamuri ka qenë i ndaluar në Mal të Zi, si për shembull pas demostratave të studetëve në Kosovë më 1981. Si problem është paraqitur përdorimi identik i flamurit shqiptar në Mal të Zi me flamurin e shtetit shqiptar. Mirëpo, jam i mendimit se konstatimet e tilla janë të njëanshme, sepse flamuri shqiptar ka një rol të Dyfishtë – ai është jo vetëm simbol shtetëror, por dhe simbol kombëtar i të gjithë shqiptarëve në botë, prandaj dhe i shqiptarëve në Mal të Zi si popull autokton.
Në kohën e pluralizmit politik në vitin 1990, përsëri është lejuar përdorimi i flamurit shqiptar, mirëpo sërishti ka pasur raste të ndërhyrjes policore dhe organeve të tjera shtetërore dhe ndalimit të përdorimit të flamurit shqiptar në Mal të Zi. Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, në vitin 2017, ka qenë e angazhuar për hartimin e ligjit të ri për zgjedhjen dhe përdorimin e simboleve kombëtare të pakicave. Si anëtar i Grupit punues për hartimin e ligjit në fjalë, në emër të Institucionit të Ombudsmanit të Malit të Zi, kam propozuar për përcaktimin e dispozitës ligjore për përdorimin e lirë privatisht, publikisht dhe zyrtarisht të flamurit shqiptar në Mal të Zi, si dhe përdorimin e lirë të simboleve kombëtare të pakicave të tjera etnike-kombëtare. Pas diskutimeve dhe polemikave të gjata, jo të lehta dhe kundështuese nga disa anëtarë të Grupit, me shumicë kemi arritur një pajtim të duhur në kuadër të përdorimit të lirë të simboleve kombëtare. Andaj, Ligjin e tillë për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare kah fundi i dhjetorit 2019, e ka miratuar edhe Parlamenti i Malit të Zi.
Avokati i Popullit dhe shqiptarët
Si këshilltarë i Avokatit të Popullit në Mal të Zi kam inicuar dhe përgatitur disa rekomandime dhe iniciativa(nisma) ligjvënëse për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi, sikurse janë: Rekomandimi Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave Kombëtare, si dhe komunava me popullsi shqiptare( Rekomandimi nr. 01-582/2005, më 12. 12. 2005) për mundësimin dhe sigurimin pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Mal të Zi, për regjistrimin e emrit personal në regjistrin e librit të amzës dhe në dokumente të tjera personale publike(letërnjoftimi, pasaporta, certifikata etj.), në gjuhën dhe alfabetin shqip në pajtim me standardet ndërkombëtare. Rekomandimi i Avokatit të Popullit të Malit të Zi është zbatuar dhe qysh atëherë shqiptarët në Mal të Zi kanë mundësi që emrin dhe mbiemrin ta shkruajnë në gjuhën dhe alfabetin shqip, në të gjitha dokumentet personale publike.
Gjithashtu, në cilësi të këshilltarit të Advokatit të Popullit të Malit të Zi, kam përgatitur Rekomandimin, të cilin Istititucioni i Ombudsmanti ua ka dërguar organeve shtetërore, organeve të vetëqeverisjes lokale dhe shërbimeve publike në Mal të Zi, për zbatimin konsekuent të detyrimit kushtetues dhe ligjor të përfaqësimit proporcional të shqiptarëve dhe të pakicave të tjera etnonacionale në të gjitha institucionet e sistemit juridiko-politik( Rekomandimi nr. 01-431/08, më 22 dhjetor 2008). Pas rekomandimit të Ombudsmanit një numër i shqiptarëve janë punësuar në organet shtetërore dhe administratën publike.
Avokati i Popullit(Ombudsmani) i ka parashtruar Qeverisë së Malit të Zi Iniciativën ligjvënëse për miratimin e Ligjit për ndërrimet dhe plotësimet e Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave(Iniciativa ligjvënëse nr. 03-276/13, më 16.05. 2013).
Në iniciativën ligjvënëse të Ombudsmanit, ndër të tjera thuhet se është e domosdoshme: “Rishikimi apo shqyrtimi i dispozitave të nenit 33 të Ligjit aktual, të cilat kanë të bëjnë me strukturën dhe numrin e anëtarëve të këshillave nacionale sipas funksionit, të cilët zgjidhen me automatizëm dhe se kjo mënyrë e zgjedhjes nuk është e lirë, e drejtpërdrejtë dhe iu jep përparësi përfaqësuesëve të pushtetit publik nga strukturat e partive politike, përkundër zbatimit të parimit të përgjithshëm të transparencës në zgjedhjet e përgjithshme e të lë lira dhe të drejtpërdrejta, në kuadër të popujve pakicë , çka do të thotë se kushtet, procedura dhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të këshillave, në pajtim me parimet e lartpermendura, duhen të rregullohen me ligj. Në këtë drejtim, zgjedhjet e përgjithshme, të lira dhe të drejtpërdrejta për konstituimin e këshillave nacionale do t’i kontribuonin ngritjes së nivelit profesional dhe kadrovik të tyre nga krijuesit shkencorë dhe kulturorë të pjesëtarëve të popujve pakicë, si dhe të ndërtimit të besimit me organet e pushtetit publik, pa influencë politike, me qëllim të rujtjes, kultivimit dhe avancimit të identitetit kombëtar të pakicave kombëtare dhe të përparimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Mirëpo, fatkeqësisht mund t konstatohet se iniciativa ligjvënëse e Avokatit të Popullit në Mal të Zi(Ombudsamanit) për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të këshillave nacionale, rrjedhimisht edhe të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, nuk është pranuar as në Ligjin e ri, respektiviht në ndërrimet dhe plotësimet e Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave, çka nuk është mirë. Kjo do të thotë se nuk ekziston vullneti politik për avancimin e pozitës së pakicave në këtë drejtim, prandaj as të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi.
Avokati i Popullit të Malit të Zi, në vitet 2010 dhe 2014, ia ka parashtruar Iniciativën ligjvënëse Kuvendit të Malit të Zi për nxjerrjen e Ligjit për përdorimin e gjuhës zyrtare dhe alfabetit dhe përdorimit të gjuhëve dhe alfabeteve në përdorim zyrtar, pra edhe të gjuhës dhe alfabetit shqip. Në iniciativë, ombudsmani përkujton se shumica e shteteve rajonale janë përcaktuar dhe i kanë nxjerr ligjet e veçanta për përdorimin zyrtar të gjuhëve dhe alfabeteve gjuhësore, me të cilët në mënyrë të tërësishme e rregullojnë këtë çështje. Ombudsmani ka konstatuar se miratimi i një ligji të tillë në Mal të Zi është i nevojshëm për realizimin konsekuent të të drejtave të përdorimit të gjuhëve në mënyrë zyrtare.
Ombudsmani mendon se miratimi i një ligji të tillë do të ishte me rëndësi dhe nga aspekti i përmbushjes së dretyrimeve të Malit të Zi në procesin e integrimeve në Bashkimn Evropian. Megjithatë, Kuvendi i Malit të Zi nuk e ka proceduar iniciativën e lartpërmendur.
Pikëpamje të ndryshme mbi shtetin qytetar
Mali i Zi me Kushtetutën e vitit 2007 është proklamuar si shtet qytetar( civil ). Ndryshe, as që ka mundur të definohet sepse as një nacionalitet në Mal të Zi, nuk e ka shumicën absolute. Andaj në vazhdimësi në opinionin politiko-juridik dhe kulturor theksohet se Mali i Zi është shtet qytetar. Mirëpo, në realitet ndeshemi me pikëpamje të ndryshme lidhur me atë se çka nënkuptohet me konceptin e shtetit qytetar. Në një anë, ata të cilët dëshirojnë ta kenë, respektivisht ta ruajnë monopolin dhe privilegjet në të gjitha sektorët e shoqërisë dhe shtetit, mbrojnë mendimin se sipas konceptit të shtetit qytetar nuk duhet të kujdesemi as të merremi me prejardhjen etnike, nacionale dhe konfesionale të qytetarëve, meqenëse gjoja të gjithë qytetarët i kanë të drejtat dhe liritë e barabarta. Me fjalë të tjera, ata janë ithtarë të konceptit uniformist, d.m.th. të shtetit të qytetarëve abstraktë, gjoja pa popuj.
Në anën tjetër, një numer i shumtë i studiuesëve të njohur dhe ekspertëve të marrëdhënieve ndëretnike e të shteteve multinacionale, që nga Perendimi deri në Lindje, japin shpjegime se në përcaktimin e shtetit qytetar duhet të kemi si pikënisje njeriun – qytetarin si poliidentik, d.m..th. si qenie totale, të përgjithshme, si qenie të familjes, të kombit, konfesionit, kulturës, traditës, regjionit përkatës etj. dhe se të gjitha ato forma janë me rëndësi si hapësira për njeriun – qytetarin për t’i shprehur dhe manifestuar fuqinë, forcën dhe aftësinë e tij. Kjo ndryshe quhet dhe unitas multipleks. Në të vërtetë, ato janë qelizat themelore e bazë të pluralizmit, të shoqërisë multietnike dhe multikulturore. Ndërsa, në anën tjetër regjimi apo pushteti i unifikuar i rregullave e statuseve në shoqëritë plurale rrezikon të shpie deri te mosnjohja e specifikave, veçantive, të cilat kërkojnë njohje e mbrojtje, repektivsht kjo sjell deri te diskriminimi i pakicave etnonacionale. Andaj, njohja nga teoria politike tregon se barazia nacionale është pa dyshim ideja për të cilën duhet luftuar, gjithmonë, sikurse edhe për lirinë, meqenëse pa liri dhe barazi nacionale në shoqëritë multietnike, nuk ka as barazi njerëzore, as demokraci, as pushtet ligjor.
Një shtet multinacional duhet në mënyrë permanente kushtetuese-juridike, institucionale dhe praktiko – politike t’i zjidhi marrëdhëniet ndëretnike, dhe ajo në bazë të bashkëpunimit dhe partneritetit, në vend të dominimit të një bashkësie nacionale mbi të tjerat. Njëherazi, kjo është edhe mënyra më e mirë që të sigurohet dhe forcohet lojaliteti i pakicave ndaj bashkësisë së gjerë politike ku bahkëjetojnë.
Asnjë koncept i rendit kushtetues-juridik nuk mund të bëjë tejkalimin e njëmendësisë multietnike. Sot njeriu – qytetari, vështirë që mund ta trancendojë realitetin e tillë. Tezat mbi shuarjen e nacionaliteteve janë vënë në dyshim sepse u mungon një bazë më e gjerë e konzistencës dhe koherencës. Prandaj, çështja e multukulturalizmit do të jetë aktuale gjithnjë derisa të ekzistojnë kombet, respektivisht pakicat kombëtare. Andaj, nga kjo rrjedh edhe roli, pozita dhe barazia e tyre.
Kuadri dhe themeli i çdo rendi të suksesshëm demokratik dhe zgjedhja e marrëdhënieve etnonacionale është zgjedhje e filozofisë politike adekuate dhe e strategjisë së zhvillimit. Kjo është veçenarisht me rëndësi për Malin e Zi si shoqëri e cila është thellë e ndarë. Esenca e zgjidhjes së drejtë të marrëdhënieve ndëretnike, prandaj dhe të popujve pakicë, sikurse janë shqiptarët në Mal të Zi, shikohet në atë horizont, kur kurrkush nuk ndien presion, nga më i madhi dhe më i forti, por kur çdo popull pavarësisht nga madhësia numerke, e ndien veten të barabartë e të lirë. Njohja e kërkesave legale e legjitime dhe të arsyeshme të pakicave, në asnjë mënyrë nuk mund ta rrezikojë sovranitetin dhe integritetin e shtetit. Ajo vetëm krijon mundësi e parakushte për afirmimin e tyre kombëtar, pa çka se nuk ka, as që mund të ketë emancipim të përgjithshëm njerëzor, as stabilitet të bashkësisë shtetërore.
Pëkundrazi, mos respektimi dhe injorim i kërkesave të pakicave, pra edhe të shqiptrëve në Mal të Zi, krijon ndjenjë të pabarazisë e diskriminimit dhe nxit tensione ndënacionale, çka nuk është në interesin e kurrkujt. Në lidhje me këtë demokracia, respektivisht tipi liberalo-komunitar i sistemit politik, është më i përshtatshëm për shoqërinë tonë plurale, multietnike dhe multikulturale.
Kocepti liberalo-komunitar i sistemit politik përmban filozofinë qytetare, të plotësuar me parimet dhe mekanizmat përkatëse të artikulimit të lirë dhe mbrojtjes së të drejtave kolektive të popujve pakicë, pra edhe të shqiptarëve në Mal të Zi.
Më në fund, shqiptarëve në Mal të Zi nuk u lypen disa parti politike, por më së shumti dy parti të forta kadrovike, të cilave nuk do t’u mungojë profesionalizmi, po as përgjegjësia politike. Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi duhet të jetë i depolitizuar. Ai duhet të zgjedhet në zgjedhjet e lira dhe të drejtpërdrejta. Anëtarët e tij duhen të jenë intelektualët më të njohur dhe reprezentativë të shqiptarëve në Mal të Zi.

