Nga Ali Salaj

Shqiptarët si popull e kanë zakon që gjatë historisë të bëhet kurban për themelet e shteteve të ndryshme në rajon. Si të tillë u pozicionuan edhe me rastin e pavarësisë së Malit të Zi, duke treguar për të satën herë se shqiptarët kanë një problem serioz: imponimin në politikat madhore të shteteve tjera, pa rregulluar dhe përfituar asgjë për qenien e vet kombëtare. Shqiptarët në Malin e Zi e mbështetën pa kushte pavarësinë e Malit të Zi dhe nuk kërkua asnjë të drejtë për komunitetin e vet.

Dy partitë më të mëdha të  shqiptarëve në Malin e Zi, Lidhja Demokratike në Malin e Zi (LD në MZ) dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) hynë në projektin e pavarësisë pa strategji dhe me një amatorizëm të theksuar politik. LD në MZ me kryetarin Mehmet Bardhi, e cila para opinionit u paraqit si parti neutrale, me ti marrë paratë e fushatës për referendum zhvilloi një miting pro pavarësisë në Ostros të Krajës dhe heshti. Në anën tjetër, përfaqësuesi i UDSH-së, Ferhat Dinosha ishte midis katër subjekteve kryesore strategjike për shtetin e pavarur të Malit të Zi dhe me mish e me shpirt luftoi, më shumë se malazezët, për këtë vizion. Qëndrimet e tyre dhe të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në pushtetin e atëhershëm të Malit të Zi, në forma të ndryshme, i nxitën shqiptarët nga diaspora për të udhëtuar në mënyrë të organizuar në procesin e votimit pro pavarësisë. Dhe sipas analistëve të njohur malazezë, ishin shqiptarët ata që e bënë në këtë votim pikën e kthesës duke mundësuar përmbushjen e censusit të referendumit për pavarësinë e Malit të Zi.

Mirëpo, çka përfituan shqiptarët me këtë angazhim të nxituar dhe emocional për pavarësinë e Malit të Zi. Shqiptarët jo që nuk fituan asgjë, por i humbën edhe ato pak të drejta që kishin. Nga pala malazeze u duk se bashkëjetesa me shqiptarët është një fatkeqësi e domosdoshme, të cilën duhet zhytur në baltën e mosmarrëveshjeve ndëretnike. Denimet për simbolet kombëtare, shpallja si “terroristë” përmes proceseve të montuara, përvetësimi në mënyrë të njëanshme të pasurisë ekonomike, turistike dhe detare, pabarazia gjuhësore, përfaqësimi i pamjaftueshëm në institucionet shtetërore etj.,  i detyruan të rinjtë dhe familjet shqiptare të mërgojnë jashtë vendit. Që në fillim u pa se pavarësia e Malit të Zi i ngjanë një produkti me gabime, ku për shqiptarët, që në nismë i skadoi afati.

Pse ndodhi kjo gjë në raport me shqiptarët?! Sepse partitë politike shqiptare, të dehura nga vetëbesimi dhe duke imagjinuar veten si faktorë gjeopolitikë në rajon, nuk kërkuan asnjë marrëveshje që do të synonte dhe do ti adresonte të gjitha çështjet e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi. Është e  njohur se në politikë po nuk e kushtëzove tjetrin, do të kushtëzojë ai ty dhe do të mbetesh përherë jashtë lojës. Në shtetin e së drejtës, marrëveshjet politike  në formatin e „nolens volens“(„do apo nuk do“) duhet të jetë në funksion të zbatimit dhe etikës të dispozitës kushtetuese dhe ligjore. Mirëpo, për fat të keq, për dallim nga marrëveshjet politike, shqiptarët u përcaktuan për marrëveshjet xhentëlmene të bazuara në besimin e ndërsjellë të partive me pushtetin për disa poste qeverisëse, gjë që vazhdon të praktikohen  edhe sot. Partitë politike shqiptare ende nuk e kanë kuptuar se marrëveshjet e tyre xhentëlmene obligojnë vetëm moralisht, por jo edhe juridikisht, sidomos në vendet më pak demokratike siç është  Mali i Zi dhe disa vende tjera në Ballkan.

 Partitë politike shqiptare nuk e kanë të qartë konceptin e politikëbërjes në Malin e Zi, duke e humbur gjithnjë e më shumë besimin e elektoratit shqiptar. Paradoks më vete është fakti se zyrtarët e komunës me shumicë shqiptare të Ulqinit ndër të parët i kanë nisur aktivitetet e ndryshme për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, duke ia kaluar edhe kryeqytetit historik të malazezëve, Cetinës. Kjo sinjalizon edhe një herë politikën inferiore të partive politike shqiptare, të cilët me dashje mbyten në ujin e turbullt të servilizmit për tu treguar më katolik se Papa.

By admini

Leave a Reply