
Nga data 18 deri më 22 maj 2026 do të zhvillohet Turi i 83‑të Çiklistik i Shqipërisë, një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive në vend, ku pritet të garojnë rreth 20 skuadra elitare nga Shqipëria, rajoni dhe Europa, shkruan Ulqini Online
Gara do të zhvillohet në pesë etapa, duke përshkuar disa prej akseve kryesore të Shipërisë. Ky tur konsiderohet një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për sportin shqiptar, por edhe për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Në këtë event prestigjioz nuk mungon as përfaqësimi nga klubi çiklistik ”Buna” nga Ulqini si përfaqësues të reprezentacionit të Malit të Zi. Në këtë mënyrë në Turin e 83-të çiklistik të Shqipërisë do të jenë: Florian Zeneli, i cili do të garojë si çiklist, si dhe Skënder Lika në rolin e menaxherit të ekipit.
Përfshirja e tyre në një kompeticion të tillë ndërkombëtar është një arritje e rëndësishme për klubin nga Ulqini dhe një konfirmim i punës dhe përkushtimit të tyre në sportin e çiklizmit.
Turi do të nisë në Tiranë dhe do të vijojë në disa qytete si Lezha, Elbasani, Vlora dhe Fieri, duke përfunduar më 22 maj.
