Nga Dr. Maksut Xh. Haxhibrahimi

Para hyrjes jugore të Kalasë është barutana turke nga shekulli XVIII e mbuluar me kalote. Të dhënat më të rëndësishme për ketë periudhë i përkasin udhëtarit turk të njohur me pseudonimin Evlia Çelebia, i cili ne çerekun e trete te shek. XVII ka vizituar Ulqinin. Të dhënat e Çelebiut, tregojnë qartë për zhvillimin e Ulqinit të kohës, i cili kishte zgjidhur problemet themelore urbanistike. Në “Udhëpërshkrimin” (Putopis, fq.337), E. Çelebiu përmend xhaminë e Sulltan Mehmed-hanit, në Kalanë e Ulqinit. Dyqanet ku prodhohej dhe shitej prodhimi zejtar, fillojnë të shoqërohen edhe me dyqane për shitje. Rrjeti i përafërt i dyqaneve prej vitit 1830-1840, në Ulqin kishte 150 dyqane. Krahas dyqaneve përdhese, në shekullin XVIII dhe XIX, fillojnë të ndërtohen dyqane dykatëshe. Pazari i qytetit të Ulqinit ndien nevojën e ndërtimit te sahat-kullës për disiplinimin e kohës së punës. Kulla e larte e sahatit me kambana shfaqet në Pazarin e Ulqinit në vitin 1754. Rritja e mëtejmë demografike e popullsisë së Ulqinit në vitet e para të pushtimit osman, na jep këto te dhëna: Ulqini në vitin 1614 kishte 300 shtëpi dhe 800 familje ushtarake. Në mes ushtarëve ishin 300 ullafexhi. Gjatë kohës së sundimit venedikas në Ulqin, në vitin 1669, vetëm na Varosh jetonin 1000 banorë. Në fillim të shekullit XVIII, sipas konsullit venedikas të Durrësit P. Roza, Ulqini ishte një qytet me 10000 banorë. Po ashtu, sipas konsullit, Ulqini kishte një ekuipazh prej 4000-5000 vetash, do me thënë detare. Në fund të shekullit XVIII, Felix de Bozhur, tregonte se Ulqini kishte 6000 banorë, aq sa kishin në atë kohë qytetet Shkodra dhe Durrësi Autorët H. Thesprotu dhe A. Psalidha në veprën: “Geographia Alvanias kai Epeiru ex anekdotu”, Janin, 1964, fq 33, shkruajnë: “Edhe Ulqini ka një kështjellë të fortë në grykën e portit, të armatosur me topa dhe me komandantë garnizoni”. Historiani turk i shekullit XIX, A. Lytvi, shkruan: “Kështjellat (në Shqipëri) u ndërtuan qëmoti për sigurimin e vendit. Mirëpo, në disa vise si në Ohër, Elbasan, Dukagjin, Prizren e Shkup, ato e kanë humbur qëllimin dhe për më tepër janë bërë fole qëndrese kundër qeverise…..Prandaj qeveria vendosi (nga viti 1832) shembjen e tyre, duke lënë vetëm disa nga ato që janë brigjeve të detit si në Shkodër, Ulqin e Tivar. Shtëpia fortese, veçanërisht ajo e tipit kulla, ku dallohej kalaja me sarajet, kullat e larta prej guri dhe banesa dytrekatëshe, të pajisura me kopshte dhe oborre të shtresave të pasura të borgjezisë qytetare dhe të aristokracisë feudale çifligare, ushtarake dhe klerikale. Deri në fund të shekullit XV, rëndësi të dorës së parë pati Kalaja e fortifikuar, pranë së cilës kishte edhe lagje të jashtme. Prandaj në fillim të shekullit XVII, kryesisht me investimet e feudalëve të mëdhenj u ndërtuan xhamitë, që i përmendëm më parë. Këto ndërtime, do të luajnë më vonë një rol të rëndësishëm në krijimin e lagjeve të reja banimi dhe në tiparet urbanistike të qytetit të hapur, i cili kishte tani një perspektive të gjerë përpara. Rritja e fuqisë ekonomike të Ulqinit dhe theksimi i funksionit të tij, bënë që pazari, si qendra ku realizohej prodhimi dhe shitja e prodhimit zejtar, të pësojnë një rritje të shpejtë. Kështu sheshet i merrnin emërtimet nga më të ndryshimet, si: Pazari i bagëtive, i peshkut, etj. Shekulli XVII, shënon një etapë me rëndësi në zhvillimin e qytetit të Ulqinit të mesjetës së vonë, i cili fuqizon dukshëm rolin e qendrës së prodhimit dhe këmbimit. Rritja e mëtejshme demografike, rritja e veprimtarisë ndërtimore, zgjerimi i qytetit të hapur me lagje të reja banimi. Së bashku me ndërtesat e kultit, xhamitë, kishat, medresetë, banjat publike dhe kullat etj., këto dalloheshin nga të parat dhe binin në sy për bukurinë, madhështinë dhe vendosjen e tyre në pjesët më të dukshme. Shtëpi fortese e tipit kulle, është Kulla e Balshajve, Pallati i Beqirbegut, Pallati i Bajazidit, Kulla Qylidel Zades, ajo e Rronjës turkut, Kulla e Elezit Elezages Banushages, Kulla Ymer-Begut etj. Çezmat (krojet) dhe puset publike zakonisht ndërtoheshin në sheshet e pazareve dhe pranë xhamive, për të përmbushur edhe nevojat funksionale të riteve fetare. Në kalanë e Ulqinit dallohen këto kroje: kroi turk i vitit 1749, që e ndërtoi Halilag Skura dhe kroi i Rophanës, kalasë. Sferat e ujit paraqesin ndërtime të lashta, aq të përhapura, veçanërisht në Kalanë e Ulqinit ku sigurimi i ujit me mënyra të tjera, më pak të kushtueshme, ishte i vështirë. Sferat si rezervuare që grumbullonin ujërat e reshjeve, nëpërmjet ulluqeve nga çatitë e ndërtimeve të ndryshme janë një dukuri e zakonshme për Kalanë e Ulqinit të fortifikuar. Për arsye strategjike, kalaja që ngrihet mbi lartësi shkëmbore, bën të vështirë sigurimin e ujit të pijshëm, prandaj në shumë nga qytetet e fortifikuara, siç ishte Kalaja (e Ulqinit), ndërtimi i sferave kolektive, ka qenë një dukuri e zakonshme. Po ashtu ndeshim gjerësisht ndërtimin e sferave individuale në trupin e shtëpisë dhe rrallë jashtë saj. Veçanërisht i përhapur ka qenë ndërtimi i këtyre rezervuarëve ujëmbledhëse në Kalanë e Ulqinit. Aty dallohen stere të ujit: Taphanet e Shkallas (dy rezervuare me ujë) dhe Saranxhi Jaho-Begut. Ujësjellësit, si vepra të rëndësishme për furnizimin me ujë, kanë qenë të njohura në periudhën e mesjetës së vonë në qytetin e Ulqinit, pikërisht në Kala. Ndër ta mund të përmendim: Pusin e Çinarit dhe Pusin e Latinit në Lima (në të Metën), që furnizonte kalanë e Ulqinit. Gjurmë ujësjellësi janë gjetur gjatë kërkimeve arkeologjike. Ky ujësjellës ka pasur gjatësinë 3,5 km. Sundimi i gjatë osman që ndikoi në jetën shoqërore e kulturore të vendit, la gjurmë të thella në strukturën urbanistike dhe arkitektonike të Kalasë së Ulqinit. Ulqini, i mbyllur brenda mureve të Kalasë së vjetër, kishte një numër të kufizuar shtëpish, të vendosura mbi një sipërfaqe të vogël të banuar në formë trekëndëshi, të ndara me mure të larta në mes tyre dhe të ndërprera nga rrugët e ngushta që përfundonin tek portat e mëdha të kësaj qyteze me histori të lashtë mijëravjeçare. Nga arkitektura dhe objektet e tjera publike në Kalanë e Ulqinit, përmendim këto: Tabja (ku ndodhet sot Pallati i Venedikut); Kishllahi Turkut (këtu ka banuar ushtria turke); Xhebehanet e Turkut; Gubati (qyp shkëmbor i thelluar në ponten e Saranxhit; gjendet te shtëpia e dikurshme e Hilmi Nimanbegut dikur shtëpia e Musa Nag Resulages; Sallatashi (gjendet te Kroni i Kalasë); Buma si Kishllah (me katër gurë e Zejnelag Caces); Pazari i Gjytetit: Shkallani; Tophanet e Shkallas (dy rezervuare me ujë); Vendi i Topit të Ramazanit (ndodhet afër murit “Johani Bolani”- Shkallaja e Sipërme); Ujësjellësi; Karvani i Beqiragve (njësi shtëpish të bashkuara me njëra tjetrën); Taphana Ahmet-agve (Duli Sutes Ahmetages); Shkalla e virgjineshave Ilire; Guri Kalit Beqir- Begut (të Pallati i Venedikut); Tabja e Rukijes Resulages; Saranxhi Jaho Begut; Bedeni i Kanunës (ku ndodhet restoranti “Teuta” i Jakup Nimanbegut; Themeli i shtëpisë në Taphane; Viranet e Hava Xhurës (oborri pranë shtëpisë së Ali Peshkut); Shtëpia Hanko Zonja; Fusha Çaban Begut; Kroni Halil Skures; Mejtepi; Kisha dhe Xhamia e Kalasë; Kroni i Kalasë (afër portës veriore, që e ndërtoi Halilag Skura); Rruga Beqiragve; Rruga e Fushës Topit (ndodhet nën shtëpin e Maksut Bushatit); Fusha Qehajes (ndodhet në fund të Taphanes së Kalasë); Kisha e Ilirëve; Kroni i Taphanes Kalasë etj.

Temë nga projekti “”Shkruaj dhe lexo në gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2022”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini