Kalaja e Ulqinit, kompleks muzeal që nga civilizimi pellazgoil

Ulqini, si rrallë ndonjë qytet shqiptar, hapsirën qendrore të kalasë e ka shndërruar në një ambient të rëndësishme kulturo -historiko, duke ekspozuar brenda asaj hapësire, një trashëgimi me vlerë, filluar nga eksponatet e periudhës ilire e deri tek artefaktet dhe veshjet e krahinave të ndryshme shqiptare të këtyre anëve.

Teksti nga Rexhep Rifati, Prointegra

Të përfshish brenda disa rreshtave tërë atë begati kulturo- historike që ka trashëgua Ulqini me rrethinë, si njëra nga trevat e lashta me një histori të bujshme pellazo -ilire, nuk është aspak punë e lehtë. Por meqë puna ime prej kronisti me këtë rast nuk është të lëshohem në analiza, por regjistrim i disa vlerave të trashëgimisë sonë kulturore që ruhet në muzetë e ndryshme në trevat shqiptare.

Ndaj edhe me rastin e vizitave të mija të fundit në Ulqin, përzgjodha pikërisht kalanë e Ulqinit, ku brenda një hapësire me peshë jo vetëm kulturore e turistike, por edhe etnografike e arkeologjike, janë vendose pos dy muzeve edhe galeria e arteve. Edhe atë je edhe në çfarëdo objektesh, por në kulla me peshë historike, thuaja se që nga periudha e mesjetës.

Kalaja mbi themelet e civilizimit ilir

Siç mësojmë edhe nga historianët shqiptarë, Ulqini është një nga qytetet më të vjetra në Bregdetin e Adritikut, që u themelua nga civilizimi pellazgo-ilir, për çka flasin edhe zbulimet arkeologjike me një histori më se dymijë vjeçare, ndërtuar mbi themelet e një civilizimi ilir, i cili është ende i pranishëm në bazën e Kalasë. Ndaj edhe për vetë kalanë mund të flitet si për një muzë në vete, sepse edhe muret e saja kanë një peshë arkeologjike.

Qyteti i vjetër apo qyteti i Ciklopit

Po në këtë kala, brenda mureve pellazgo-ilire, apo siç thuhet të Ciklopit, për shkak të përmasave të gurëve të mëdhenj, gjendet Qyteti i Vjetër i themeluar qysh në shekullin e pestë përpara erës sonë, me emrin Kolkinium (Colchinium), marrë nga themeluesit e tij, një fis ilirësh i quajtur Kolkin Colchini-um.

Pa u lëshua më tej në histori, mësojmë se Muzeu në Ulqin është themeluar në vitin 1975, si institucion i pavarur me interes të posaçëm shoqëror. Në programin dhe planin e punës së Muzeut përfshihen: Evidentimi, hulumtimet sistematike, mbledhja e eksponateve të ndryshme, mbrojtja e specializuar dhe përpunimi i materialit të gjetur dhe hapja e ekspozitave me vlera kulturore, shkencore dhe artistike.

Brenda kompleksit muzeu e galeria e arteve

Gjatë vizitës sime pash se pranë kompleksit të Muzeut ka dy reparte, gjegjësisht objekte: reparti arkeologjik dhe reparti etnologjik si dhe Galeria e Arteve. Në platonë e epërme të kalasë, menjëherë mbi portën veriore, gjendet kompleksi muzeal i qytetit, ku janë edhe monumentet më interesante të historisë së Ulqinit: kisha-xhamia e shndërruar në muze: Në këtë objekt janë ekspozuar të gjitha gjetjet nga Qyteti i Vjetër e që me vlerë të veçantë është sidomos postamenti antik me mbishkrimin grek kushtuar perëndeshës Artemidë, një kame antike që paraqet perëndeshën Athinë me helmetë, dy sëpata të tipit shkodrano-dalmatin të epokës së bronzit. Në lapidarium janë të ekspozuara kapitele jonike, pjesë të ciboriumit të Kishës së vogël të shekullit IX dhe objekte nga periudha turke.

Muzetë brenda kullave historike

Muzeu i Ulqinit , i themeluar në vitin 1975, muzeu është i vendosur në pjesën e epërme të Kalasë, pranë portës veriore të saj. Pranë muzeut punon reparti arkeologjik (i vendosur në ndërtesën e quajtur Kisha-Xhami e Ulqinit) dhe reparti etnologjik (i vendosur në shtëpinë e Familjes Uruçi) si dhe Galeria e Arteve (e vendosur në Kullën e Ballshajve). Në këto ndërtesa por edhe në hapësirën pranë Kishë-Xhamisë, që njihet si Pazari i Qytetit (ose Tregu i Skllevërve) ku gjenden disa qeli, janë të vendosur monumentet me të rëndësishme të historisë së Ulqinit.

Në Kishë-Xhami janë të ekspozuara mbetje arkeologjike të qeramikës së lashtë greke dhe romake, qelq, numizmatikë, si dhe sendet që janë shfaqur gjatë sundimit të dinastive Vojislavljeviq dhe të Balshajve. Në Kullën e Balshajve jane vendosur fotografi nga Ulqini si edhe qytetare te tij. Ka fotografi te figurave te shquara dhe pamja nga çeljet e shkollave te para. Fotografitë nuk janë ndare ne etapa te caktuara kohore. E veçanta tjetër është se dritaret e kullës së Balshajve kanë një pamje te mire mbi det dhe qytet.

Artefakte fushash të ndryshme

Në programin dhe planin e punës së Muzeut përfshihen: evidentimi, hulumtimet sistematike, mbledhja e eksponateve të ndryshme, mbrojtja e specializuar dhe përpunimi i materialit të gjetur, eksponimi i ekspozitave me vlera kulturore, shkencore dhe artistike. Aty janë të ekspozuara artefakte fushash të ndryshme nga velat shtëpiake. Madje edhe një kame antike që paraqet perëndeshën Atena me helmetë dhe vegla të tjera nga përudhet e më vona.

Gjetjet në Qytetin e Shasit nga periudha ilire

Muzeu i Ulqinit po bën përpjekje për ruajtjen dhe restaurimin e materialeve arkeologjike të gjetura në Qytetin e Lashtë të Shasit. Kërkimet arkeologjike të kohëve të fundit në Qytetin e Shasit, që ndodhet në udhëkryqin mes Ulqinit dhe Shkodrës, nxorën zbulime nga kultura e lashtë shqiptare, me shumë vlerë. Mjaft të pasur janë zbulimet e vorbësve, edhe pse nuk janë të përfaqësuara të gjitha epokat. Më së shumti janë gjetur enë shtëpiake. Copëzat e shekullit VI janë të pakta , por me siguri besohet se ato i takojnë rrafshit ilir nga koha e Marvikisë dhe Iraklisë. Ndërsa, që siç mësojmë zbulimet e stolive nuk janë të pranishme vetëm si separatë në varreza, por edhe në shtresa.

Pse i ndërpreu kërkimet Akademia e Shkencave të Serbisë?!

Gjatë gërmimit janë gjetur edhe shumë sende tjera nga hekuri, midis të cilëve pjesë nga pajime shtëpiake: (veriga, pyka, çivi, brava e të ngjashme) pastaj pjesë të armëve e të tjera. Disa nga këto zbulime janë ekspozuar në repartin e këtushëm të Muzeut arkeologjik. Gjithashtu, mësojmë se në vitin 1985 Akademia e Shkencave të Serbisë me nguti ndërpreu hulumtimet, kur vërejtën se kanë të bëjnë me një qytet të lashtë shqiptar. Sipas prof. Aleksander Qilikov në muzeun e Ulqinit ruhen 100 objekte nga qyteti i Shasit.

Muzeu etnografik dallon me veshjet e Shestanit

Ndërsa në repartin e Muzeut etnografik nga ato eksponate që janë ekspozuar sheh se sa e pasur është veshja e këtyre anëve, sidomos Malësisë së Madhe fituar nga xhubleta mijëvjeçare e deri te veshjet e krahinave të ndryshme. Sidomos veçohet veshja e grave të Shestanit, prej nga edhe migruan 300 vjet më parë arbneshët e Zarës.

Po në kalanë e Balshajve ku edhe gjendet edhe një pjesë e galerisë së arteve mund të hasësh në fotografi të vjetra të familjeve ulqinake, kryesisht grupe kapitenësh e marinarësh të njohur por edhe foto të përfaqësuesve shqiptarë të kësaj ane në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, por edhe një foto e veçantë e nxënësve të Shkollës fillore “Skanderbeg” nga viti 1940, ku shihet se në atë shkollë numri i vajzave thaja se ishte i barabartë me të meshkujve, çka nuk ishte karakteristike atëbotë aspër Tiranën, Prishtinën e Prizrenin.

Disa rreshta për vet Ulqinin

Pak histori sa i përket vet Ulqinit: është themeluar rreth shekullit V p.e.s. nga ilirët. Në vitin 163 p.e.s. u pushtua nga Perandoria Romake dhe pas ndarjes së perandorisë i takon Perandorisë Bizantine. Gjatë mesjetës ishte nën udhëheqjen sllave dhe pastaj nën atë të Balshajve. Në këtë kohë ishte qendër e rëndësishme e pushtuesve të rinj. Më 1405 u morr nga Republika e Venedikut e pastaj më 1571 nga Perandoria Osmane. Më 1880 e pushton Principata e Malit të Zi. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, Ulqini do të përjetojë edhe epokën e tij të artë, që u ngrit nga turizmi i nivelit të lartë, që joshi me dekada edhe shumë kosovarë.

Sot Ulqini është qendra e Komunës së Ulqinit dhe e bashkësisë shqiptare në Mal të Zi. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, Ulqini numëron 10,707 banorë, ndërsa komuna numëron rreth 20 mijë banorë.

Temë nga projekti “”Shkruaj dhe lexo në gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2022”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini