Bajram Rexha

Nga Mr. Riza Rexha*

Bajram Rexha u lind në fshatin Kllezën të Sipërme të Anës së Malit. Jetoi fëmijërinë në një familje të nderuar që kishte bërë emër të mirë dhe gëzonte respekt nga të gjithë.

Bajrami me shokë mori rrugën e shkollimit, me dëshirën në zemër për të plotësuar nevojën e madhe të asaj kohe për kuadër të shkolluar. Shkollën fillore e kreu në Katërkollë (Vlladimir) ndërsa në Prishtinë kreu shkollën e mesme (normalen) dhe Fakultetin filozofik-dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Bajrami me shokë, duke pasur vullnet të fortë për punë, disiplinë dhe vizion për jetën, u bënë shembull i kapërcimit të vështirësive ekonomike në shkollim. Rrugën e tyre e ndoqën edhe të tjerët , duke e arsyetuar sakrificën e prindërve dhe ndihmën e shoqërisë. Tërë jetën, punën dhe aktivitetin e tij, Bajrami e orientoi në tri fusha të pandara: në fushën e arsimit, kulturës dhe atdhetarizmit.

Personalitet i arsimit-Punën edukativo-arsimore e filloi në vitin shkollor 1955\56 në shkollën fillore në Katërkollë si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Posedonte aftësi të jashtëzakonshme për zbatimin e anës ideore të procesit mësimor. Punonte shumë me nxënës. Kërkonte nga shoqëria, por edhe vetë dëshironte t i ndihmonte asaj. Për punën edukativo-arsimore, Bajrami shpesh thoshte: „ Profesionin e mësimdhënësit e dua sa jetën. Nëse profesioni dashurohet me gjithë zemër, s ka se si të mos zotërohet mirë e me themel. Ky profesion është disi i veçantë, i shenjtë. Ai që përcaktohet për të, duhet të jetë përherë i përgatitur për të ndihmuar nxënësin që të përparojë. S ka punë më të bukur dhe më të ndershme se puna e përgatitjes së njeriut për jetë. Mësimdhënësi të riut ia zgjeron horizontin e diturisë dhe e aftëson atë të bëjë mrekulli’’. Brezin e ri e ka dshur me zemër. E ka çmuar dhe e ka udhëzuar për jetë. Duke u nisur nga parimet e shëndosha pedagogjike, për të u bë moto e punës dashuria e kujdesi i thellë për nxënës dhe kërkesa e madhe për rregull, disiplinë e punë sistematike me ta. Ai kërkonte që nxënësit të ishin shembull në mësime dhe edukatë. Këtë kërkesë e shprehu gjatë tërë karrierës në arsim, i prirur nga kujdesi dhe dashuria atërore për brezin e ri.

Për punën që bëri në drejtimin e femrës së parë nga Ana e Malit, Rukie Lika në Normalen e Prishtinës, Bajrami u shprehte: „ Do të kemi nesër mësuese të mirë, të aftë, të ndërgjegjshme dhe me plot ideal kombëtar. Do të kemi femrën shqiptare të qytetëruar, përparimtare, punëtore e fisnike.’’ Kjo vajzë e arsyetoi punën e bërë nga kolektivi i mësimdhënësve. Ajo jo vetëm që ishte e shkëlqyeshme në mësime dhe në sjellje, por njohuritë e përvetësuara i zbatoi me përpikëri më vonë si mësuese.

Personalitet i kulturës- Gjatë periudhës dhjetëvjeçare të mësimdhënies në Gjimnazin ‘’Vëllzërim – bashkim’’ në Ulqin, është e madhe puna e Bajramit në aktivitetet e lira me nxënës dhe të rinj. Me të mbahej gjallë jeta kulturore e shkollës dhe e qytetit.Puna e tij motivohej nga dashuria për lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, përmes së cilës ngulitej te nxënësit dashuria për kombin. Aktivitete në kulturë në këtë kohë në Ulqin kishte shumë pak. Këtë zbrazëti duhej ta plotësonte gjimnazi në qytet, i cili atëherë ishte i vetmi institucion shkollor i mesëm në Mal të Zi me mësim në gjuhën shqipe. Punoi me nxënës të talentuar në grupin letrar ‘’Shpresa’’. Në revistën ‘’Fillimet’’ botoi punimet më të mira të nxënësve. Me grupin recitues, përgatiste herëpashere shfaqje me recitime.. Me grupin e dramës shfaqi recitalin bashkë me këngë korale ‘’Me këngë deri në fitore’’, për të vazhduar me pjesët skenike ‘’Burri burrë, ‘’Sikur të isha djalë’’, Halili e Hajria’’, ‘’Toka jonë’’, ‘’Familja e peshkatarit’’, ‘’Shpartallimi’’, ‘’ Përmbajtja e madhe’’ dhe me komedinë njëaktëshe ‘’Letra e humbur’’. Me tri nga këto mori pjesë ne Festivalin në Bijello Pole. Zgjedhja e repertorit ishte bërë me qëllim dhe kritere të caktuara. Qyteti i Ulqinit u begatue me këtë lloj arti. Kur shfaqeshin këto drama salla mbushej me shikues. Këtij suksesi nuk i gëzohej çdokush. Kishte edhe të atillë që hartonin plane dhe kurtha për të penguar këtë aktivitet. Për sukseset e arritura, Bajrami thoshte: ‘’S ka kënaqësi më të madhe se kur njeriu mbledh frutet nga pema e mbjellë me dorën e tij’’. Me punën e tyre, nxënësit e përtërinin atë, ia shtonin fuqinë, guximin dhe dëshirën për jetë.

Personalitet i atdhetarizmit- Vullneti i jashtëzakonshëm për punë dhe rezultatet e arritura me nxënës në shkollë, e bënë atë personalitet të dalluar edhe të atdhetarizmit. Ai e donte shumë atdheun dhe shkollën shqipe. Ky ideal e bëri të ndiqet dhe të persekutohet. Gëzohej që shkolla shqipe po hapte sytë e popullit dhe po e ushqente atë me ndjenjën kombëtare. Pa shkollë s ka dituri, pa dituri s ka komb. Ai theksonte se ‘’shpirti i shqiptarit nuk u ligështua nëpër kohë të këqija, por u mbajt gjallë dhe me sakrifica qëndroi. Ne të gjithë jemi bijt e këtij populli të lashtë e fisnik. Sa më të ngritur që të jemi, aq më të fortë e më të pasur do ta kemi kombin dhe ne vetë do të jemi të lumtur’’. Apelonte që shqiptarët të shkojnë mirë njëri me tjëtrin. Të mos e shfaqin para të huajve edhe ndonjë inat të vogël që mund ta kenë. Të tregohen se janë të lidhur dhe të bashkuar. S ka më nder e fisnikëri se sa ta begatosh kombin, t ia ushqesh shpirtin e t ia kthjellosh mendjen, t i japësh dorë e krah, theksonte Bajrami.

Vepra që krijoi ai në fushën e arsimit, në fushën e kulturës, në fushën e atdhetarizmit është aq e pastër, aq e ndershme, siç është vetë jeta e tij me plot respekt e dinjitet.

Jeta dhe veprimtaria e Bajram Rexhës është shembull i përkushtimit të intelektualit për qëllimin e lartë të zhvillimit e të përparimit të kombit. Me veprimtarinë që ushtroi, me karakterin e fortë, moralin, shpirtin e qëndresës dhe atdhetarizmit, u bë personalitet i respektuar. Mbeti simbol i optimizmit për jetën.

* Personazhi dhe autori i këtij shkrimi nuk jetojnë më, por veprat e tyre janë të pavdekshme

Temë nga projekti “”Shkruaj dhe lexo në gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2022”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini