Marrëdhëniet e Shasit me trevat veriore dhe verilindore shqiptare gjatë mesjetës

Prof. ass. Dr. Muhamet Mala

Trevat veriore dhe verilindore të Arbërisë mesjetare, si për nga kuptimi politik ashtu edhe për nga kuptimi fetar ishin zona kufitare ku prekeshin interesat e katolicizmit dhe ortodoksisë, si dhe vende ku gërshetoheshin interesat arbërore, sllave dhe venedikase, për t’u shtuar më vonë këtyre gërshetimeve edhe interesin osman, të përcjellur me procesin e islamizimit. Në një situatë të tillë, roli i qendrave të banuara të këtyre trevave del i dyfishtë. Në radhë të parë, ato janë qendra politike e ekonomike, por edhe qendra fetare prej nga rrezatonte ndikimi fetar i njërës apo tjetrës fuqi politike.

Në të vërtetë, qytetet veriperëndimore të trevave arbërore që nga antikiteti ishin nën ndikimin e përendimit dhe në kontakt të vazhdueshëm me Romën latine duke marrë parasysh edhe elememtin roman dhe lidhshmërinë e hershme të arbërorëve me krishtërimin.

Ngulmimet sllave dhe ndarjet kishtare u dhanë këtyre trevave një rëndësi të posaçme, kështu që peshkopatat e Dalmacisë jugore dhe të Arbërisë veriore u bënë mbështetja më e fuqishme e papatit në luftën kundër Bizantit dhe ortodoksisë sllave në Ballkan. Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe rolin e formimit të Kryepeshkopatës së Tivarit si dhe rëndësinë e qendrave të tjera ekonomoke e peshkopale, si Ulqini, Shkodra, Shasi, Drishti, Pulti, etj. Konkretisht në rastin e Shasit, apo siç e hasim në burime, Suacium, Suvacium, Sovacium, Soacio, etj., vërehet shkëlqimi dhe rënia e rolit ekonomik e kishtar të këtyre trevave.

Ç’është e vërteta, Shkodra, Ulqini, Tivari e Lezha nuk e patën fatin e keq të Shasit që të shuhen tërësisht, por rëndësia e tyre në periudhën osmane shënon mbetje evidente dhe ndërprerje të kontakteve me perëndimin latin.

Shasi mesjetar ishte vazhdimësi e selisë ipeshkvnore që përmendet qysh në shek. VIII.[1] Në gjysmën e dytë të shek. XI, gjatë luftës për supremaci brenda Kishës Katolike, Shasi, Kotorri dhe Ulqini përmenden si ipeshkvni, ndërkaq pas themelimit të Kryepeshkopatës së Tivarit, ipeshkvitë e Kotorrit, Ulqinit, Shasit, Shkodrës dhe Drishtit përmenden nën jurisdiksionin e Tivarit.

Mirëpo formimi i Kryepeshkopatës së Tivarit nuk shkoi pa fërkime të brendshme. Kësaj Kryepeshkopate në fillim nuk iu dhanë të drejtat e emërtimit të peshkopëve në selitë vartëse sufragane. Së bashku me kishat e Ulqinit, Shkodrës, Shasit, Drishtit e Pultit, Kryepeshkopata e re u vu nën vartësinë e kishës së Raguzës.[2]

Për më së nje shekull, peshkopatat shqiptare luftuan për t’u shkëputur nga vartësia e Raguzës duke e kurorëzuar më në fund këtë të drejtë në kohën e pontifikatit të Papës Inoçenti III (1199-1211)[3].

Lidhur me rolin fetar të peshkopatave dhe abacive mesjetare të zonës së Arbërisë veripërendimore dhe marrëdhënieve të tyre me qytetet veriore flet akti i19 qershorit të vitit 1166, me ç’rast titullari i kishës së Arbrit, peshkopi Lazar, i shoqëruar nga abati i manastirit benediktin të Shelbuemit (Rubik), Gjergji, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të kishës katolike të Shën Trifonit në Kotorr. Në ceremoninë në fjalë ndodheshin edhe përfaqësues të peshkopatave katolike arbërore nga Drishti, Shirgji, Ulqini, Tivari dhe Shasi, si dhe Priori Andrea i Arbërit. Më konkretisht Shasin e përfaqësonte si i zgjedhur Pjetri i Svaçit.[4]

Ndikimet katolike në trevat e Arbërit, veçmas në Kosovë, përcilleshin nga pjesa veriperëndimore e vendit, respektivisht nga kisha e Dioklesë apo Kryepeshkopata e Tivarit e cila me peshkopatat e tjera katolike shqiptare u shndërruan në baza operacionale të katolicizmit kundër ortodoksisë.

Duke u nisur nga kufijtë e dioqezës së Tivarit, Kisha Katolike dëpertoi thellë në drejtim të Lindjes (Kosovë ) dhe të Jugut (Principata e Arbërit). Në këtë aspekt edhe roli i Shasit si qendër peshkopale del i rëndësishëm.

Që nga fillimi i shek XIII, më saktë në vitin 1204, burimet historike flasin për herë të parë për ekzistencën e selive peshkopale katolike në Kosovë, si në Prizren e Shkup. Në vitet në vazhdim Kisha Katolike dëshmohet edhe në qendra të tjera, si në Graçanicë, Trepçë, Novobërdë, etj. Madje edhe në lokalitete e fshatra të vogla, që tregon përhapjen e gjerë të ritit katolik.

Shtrirja e këtij riti në viset e Dardanisë së Vjetër apo Kosovës, të banuara kryesisht me shqiptarë, përkon me kalimin e pushtetit nga sundimi bizantin në atë serb të Rashës, si element rezistues ndaj nacionalizmit fetar serb, të shprehur përmes Kishës Nacionale Autoqefale Serbe nga viti 1219.

Në aspektin fetar, mbretërit serbë zbatuan një politikë diskriminuese ndaj katolikëve, që gjeti shprehjen e qartë edhe në Kodin e Stefan Dushanit (1349), disa nga nenet më të rëndësishme të të cilit i kushtoheshin herezisë katolike. Për hirë të së vërtetës duhet thënë se disa tolerime në këtë aspekt patën ndaj sasve apo dubrovnikasve për interesa xehtarie apo tregtie, por në raport me vendorët ishin të pakompromis.

Edhe në bregdet serbët, në gjysmën e dytë të shek. XIII pushtetin laik ia besuan një princeshe katolike – Helenës franceze, gruas së Stefanit të parë Uroshit. Por ky ishte një qëndrim i rastit i cili nuk ndeshet më.

Në kujtësën e popullsisë shqiptare të Dioklesë, emri i mbretëreshës besimtare katolike u ruajt për shumë kohë si mbrojtëse e bamirëse e besimtarëve dhe objekteve të kultit katolik. Sido që të jetë, qëndrimi tolerant i serbëve ndaj katolikëve, veçmas atyre shqiptarë, nuk ishte dominues në politikën e tyre fetare.

Për rolin fetar katolik të Shasit flet fakti se Ipeshvi i Svaciumit ishte ai që në vitin 1367 i kishte kthyer në besimin katolik tre vëllezërit Balshaj.[5]

Përveç në aspektin fetar, roli i trevave veriperëndimore, e në këtë drejtim edhe i Shasit, në raport me qytetet e tjera ishte edhe i natyrës ekonomike e diplomatike. Megjithatë, emërues i përgjithshëm i historisë së Shasit gjatë tërë mesjetës mbetet identiteti i një qyteti kishtar. Madje edhe kur kemi të bëjmë me raporte diplomatike apo ekonomike, ato kalojnë përmes figurave kishtare.

Ç’është e vërteta, klerikët mesjetarë shqiptarë përgjithësisht u morën edhe me veprimtari jofetare, si bie fjala me diplomacy, që gradualisht u bë atribut i njerëzve të fesë.

[1] Istorija Crne Gore I, Titograd, 1970, f. 324;

[2] Acta et diplomata…,I. 95., Vindobonae, 1913, Collegerunt et digeserunt, Dr.L.Thaloczy, Dr.C.Jirecek et Dr.E.Sufflay;

[3] Historia e popullit shqiptar I, Tiranë 2002, f. 246;

[4] Acta et diplomata…,I.93, Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Tiranë 1962, f.57-58;

[5] Acta et diolomata…II, f. 242;

Shënim: Kumtesa nuk është e plotë. Për pjesen tjeter të kumtesës mund te merrni nga librin “Shasi i lashtë, monument i kulturës“

Temë nga projekti “”Shkruaj dhe lexo në gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2022”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini