Martin Camaj, ashtu si e konsideron edhe Ismail Kadare, është shkrimtari i lartësive, është shkrimtari i majave të përsosmërisë letrare me një individualitet krijues të rrallë, është autor që e ka sprovuar veten në të gjitha llojet e shprehjeve letrare si në poezi, novela, romane, proza poetike, tregime e drama dhe në secilën ka arritur që ta bëjë penën e tij të spikasë.
Nga Vediha Gjoni
Camaj nuk është autori tipik që lexohet me një frymë, përkundrazi, veprat e tij kërkojnë një lexues të vëmendshëm ndaj detajeve, sepse aty qëndron magjia e tij. Është autor që lexuesin e transferon në dimensione të pashkelura të mendimeve.
Të tilla janë edhe katër novelat “Pishtarët e natës”, “Shkundullima”, “Rrungaja në mars” dhe “Katundi me gjuhë të fshehtë” që janë marrë për objekt studimi në këtë punim i cili synon që të shpalosë disa karakteristika të këtyre novelave dhe çka i bën ato të jenë të veçanta.
Të vetmuarit
Personazhet e novelave në përmbledhjen “Shkundullima” janë unikë në letërsinë tonë. Duket sikur autori i ka ndërtuar me një arkitekturë letrare të mirëmenduar deri në secilin detaj. Janë personazhe melankolike, largpamës, e mbi të gjitha të vetmuar. Fryma vetmitare është ajo çka i përshkon këto novela nga fillimi e deri në fund, duke u bërë kështu motiv kryesor i veprës letrare të Martin Camaj.
Protagonistët e këtyre novelave (Nika, Vito, Ntonia, Jera, I Huaji) janë bartësit kryesorë të konceptit të personazhit vetmitar. Vetmia te këto personazhe manifestohet në forma të ndryshme dhe është shkak-pasojë e rrethanave të ndryshme.
Ashpërsia e ambientit në të cilin jeton Nika, protagonisti i novelës “Pishtaret e natës”, reflekton edhe në karakterin e personalitetin e tij. Në fillim të novelës takohemi me Nikën agresiv e madje edhe të dhunshëm. Nika vendos të tërhiqet në vetmi, larg çdo gjëje. Pyetja më e madhe në këtë situatë, është se vetmia i troket Nikës në shpirt si zgjedhje e njeriut largpamës i cili nuk përshtatej dot me mediokritetin që e rrethonte apo si një dënim hamartian në skenën e absurdit të tij? Në të dyja rastet, vetmia është një rrugë me peripeci emocionale për protagonistin. Duket sikur ai tërheqjen në vetmi e bën për shumë arsye, njëra ndër to edhe për të parë edhe peshën e mungesës së tij në jetën e njerëzve të tij të afërm, e shkëputja nga to duket sikur e zhyt atë në valë trishtimi: “Nika që e kishte lypë aq fort vetminë, tash vuente ngase grue e fëmijë e kishin lanë fare mbasdore. Shkretnim!”. E duket sikur vetmia ishte bërë shoqëruesja më besnike e Nikës dhe ishin bërë një shpirt i vetëm, e shoqëruese e keqe qoftë ajo të paktën nuk e la vetëm:”I mësuem në vetmi, edhe kur mblidhej me familje fliste shumë pak”.
Gjendja e tij psiko-emocionale ndryshon mbasi që tërhiqet në vetmi të plotë ndër Gurra. Distancimi nga çdokush dhe çdo gjë që e bën të ndihet keq e inferior është ndoshta terapia më e mirë e zgjidhjes së problemeve me vetveten. Kjo gjë reflektohet tek personazhi i Nikës, i cili ndryshon si temperament. Ai arrin të pajtohet me vetveten e kjo pasqyrohet edhe me ndryshimin e marrëdhënieve me të tjerët. Kjo veçanërisht dallohet me ndryshimin e marrëdhënies së Nikës me Lenën, distancimi nga njëri-tjetri bën që të gjejnë në thellësinë e vetvetes dashurinë e harruar për njëri-tjetrin:” Ndonëse nuk ua shpërblente goja, përjetonin ditët më të bukura të jetës, tue ndie edhe ngrohësinë e pranverës që vinte, dicka të fshehun me shekuj në zemra të forta e të ndezuna si vullkan pa flakë në gjirin e dheut”. Nika arrin të avancojë aftësitë e veta duke mësuar mjeshtëri që vetëm ai i posedonte në Fundinë. Tërheqja e tij në vetmi dhe strehimi në gjirin e natyrës ka pasur edhe dobinë produktive.
Fataliteti i personazhit është që vdes i vetëm, mirëpo vetmia për personazhin është më e rëndë se vdekja dhe kjo e fundit është shpëtim për “arnyellin e vetmuar“:”..Nikën e pushtoi vetmia, diçka më e tmerrshme se vetë vdekja..”
Vetmia nuk i kursen as personazhet e novelës “Shkundullima“, Vitoin dhe Ntonian. Vitoi, inxhinieri me një jetë dinamike në qytet, kthehet në vendlindje për t’u çlodhur e njëkohësisht për një projekt të rëndësishëm që kishte në mendje. Në anën tjetër, Ntonia jeton në pallatin e vjetër, në kullën më të lartë të tij, e vendosur që mos ta lë kurrë atë, sikur ai pallat ishte streha e saj e sigurisë. Vitoi e Ntonia kishin vendosur që ta ndajnë së bashku vetminë e tyre, derisa ndodh tërmeti, i cili ndryshon rrjedhën e pritshmërive të protagonistëve.
Vetmia te Jera, protagonistja e novelës “Rrungaja në mars”, manifestohet si një vendim i saj, si një produkt i fatalitetit që i ndodh Dakut e që e prek në mënyrë direkte edhe atë. Jera jep provën më të lartë të besnikërisë ndaj të dashurit të vdekur. Mbas vdekjes së Dakut ajo vendos që nga dhimbja mos t’ia marrë jetën vetes, por të jetojë si një e vdekur mes të gjallëve, duke pritur që vdekja t’i vijë në mënyrë natyrale, të vijë ta shpëtojë e ta bashkojë me të dashurin e saj:”..sepse Jera kishte vdekë dalëngadalë shumë mote maparë“.
Vetmia na shfaqet edhe në kuadër të izolimit kolektiv. Të gjitha krahinat nëpër të cilat udhëtojmë gjatë leximit të këtyre novelave, shfaqen si krahina të izoluara nga pjesa tjetër e botës dhe indiferente ndaj zhvillimeve të teknologjisë dhe urbanistikës bashkëkohore. Rasti më ekstrem i kësaj dukurie na shfaqet tek novela “Pishtarët e natës” e vjen duke u zbehur në novelat e tjera.
Të huajt
Pasoja e vetmisë është shndërrimi në të huaj, i huaj për njerëzit e afërt e i huaj edhe për veten e vet. Përpara kemi personazhe të njëjta me ato të absurdit, të cilat nuk përshtaten dot me ambientin në të cilin jetojnë. Janë personazhe të veçuara për nga intelekti dhe mënyra e të menduarit mbi ndodhi të caktuara.
Bartësit më të mirë të konceptit të të huajit dhe absurdit janë personazhet e novelës “Katundi me gjuhë të fshehtë”. Janë personazhe që spikasin që nga emërtimi e deri tek ndërtimi i karaktereve të tyre psikologjike. Kemi dy vendësit që në pjesën e dytë mësojmë që quhen Sandër dhe Stratiko, Të Huajin dhe Florën. Në pjesën e parë këta persona janë të paemër, të paidentitet. I huaji në pjesën e dytë merr edhe pseudonimin Shtrigani, e për Florën asnjëherë nuk e marrim vesh emrin e saj të vërtetë, sepse Flora ishte emri që I huaji e quan. Kjo zgjedhje e emrave dhe mënyra e nxjerrjes së tyre në dritë në pjesën e dytë, është jo i paqëllimshëm, përkundrazi, nxjerr në pah absurdin e fiksionin që karakterizon pjesën e parë dhe realen e të logjikshmen që pasqyrohet në të dytën. Prandaj, edhe novela apo më mirë protagonisti i saj, si një personazh që kishte humbur mes irracionales dhe racionales dhe kufirin e hollë mes tyre. Në pjesën e dytë të novelës kuptojmë që kemi të bëjmë me një person i cili po kalon një post traumë të madhe, të nxitur nga një vështirësi reale që e kishte bërë t’i humbë lidhjet me realitetin dhe të endet në një botë të imagjinuar, i shoqëruar nga halucinacione e déjà vu.
Kjo ndjesi, ajo e të ndjerit i huaj, e shoqëron edhe Nikën. Duket sikur ai lind e vdes i tillë. Ndjesia e të qenurit i pakuptuari, të cilit i bëhen padrejtsi, figurativisht Camaj e paraqet si diçka që ka lindur e zhvilluar së bashku me të:”E ama kishte thanë për Nikën,se ky e kishte fillue grindjen me të vëlleznit qysh në djep, atëherë kur kishte kujtue se ajo po ia pret gjijtë për të nisë përsëri të kuente të parin djalë, Kolën. Edhe aty e mrapa ngushtohej drita e diellit mbi krye sepse të vëlleznit ashtu si kishin fillue prej gjijve të s’amës, lypnin pjesën e vet në cdo gja. Andaj i mbeti në tru se atij e padrejta i bahej gjithkund prej të vëlleznëve ose për shkak të tyne”. Nika rritet dhe plaket me idenë që vëllezërit nuk e duan, e madje duan t’i bëjnë keq. Kjo dukuri është e lidhur ngusht me teorinë e personalitetit të njeriut, gjegjësisht me fazat e formimit të personalitetit të njeriut. Sipas kësaj teorie, personaliteti i njeriut fillon të formohet që në moshën e hershme të fëmijërisë. Xhelozia ndaj vëllezërve fillimisht për nënën e më vonë edhe për tjera gjëra, duket si një ndjenjë të cilën Nika e ka ujitur që në fëmijëri, e çdo gjë që ujitet, rritet. Pra, në aspektin psikoanalitik, raporti i Nikës me të vëllezërit është fryt i një traume të kultivuar që nga fëmijëria. Në këtë traumë të personazhit, rol kyç luan nëna, e cila do duhej të ishte munduar që t’ia largojë Nikës këtë mendim që fëmijë, në mënyrë që kjo ndjesi mos të rritej e të merrte përmasat që do shohim se do marrë në jetën e protagonistit të novelës. Kjo prapë na lidh me teorinë psikologjike mbi formimin e personalitetit, e cila nënvizon rëndësinë e ambientit familjar në formimin e një personaliteti të shëndetshëm të fëmijës. Lidhur me ndikimin e marrëdhënieve kontradiktore familjare në jetën e një personi, mund ta shohim edhe në analogji të marrëdhënies së Kafkës me të atin, një marrëdhënie shumë kontradiktore, çka ndikon edhe te vetë Kafka në mënyrën e përceptimit të botës, por edhe të vetvetes, gjë që absolutisht reflektohet edhe në veprën e tij letrare dhe mënyrën si ai i ndërton personazhet e veta, me nuanca mbizotëruese të autobiografikes.
Kulmin e kësaj dukurie e shohim në momentin e vdekjes së Nikës dhe si ajo përjetohet te rrethi i tij i ngushtë. Kjo vërehet që vdekjen e tij, fëmijët nuk e përjetojnë siç do ishte normale të përjetohet vdekja e babait: “Kur të bijtë e shtrinë Nikën në ballin e votrës, nuk ndien pikëllim:u dukej si mos me qenë i jati. Si me pasë përpara një burrë të madh që dheu i vet e kishte qitë përjashta për të mos u kalbë dhe, jo, në shej mospranimi, por për të mos e damtue. Ndaj tij ndienin vetëm tmerr e nderim të pamasë”. Sa do ta kishte lënduar Nikën fakti që fëmijët e tij ndiheshin në këtë mënyrë. E sa u përket të tjerëve, as që kishin pasur idenë më të vogël mbi Nikën, as që e njihnin, e madje e kishin menduar të vdekur kohë më parë: “S’e kam ditë që ashtë ende gjallë”. E megjithatë, autori na tregon që :”Nuk pati njeri atë ditë që nuk u ngi me bukë, mish e djathë”, është kjo poetika e absurdit në të cilën vdekja e Nikës dhe ceremonia e tij mortore u shndërrua në një gosti për njerëz që as nuk e kishin njohur.
“…dhe ju lutem të mos më mbani si të huaj. Jam një jush”. Janë këto pjesë nga dialogu i Vitoit me disa nga vendasit në fillim të kthimit të tij në vendlindje, çka na tregon se si ai nuk donte të ndihej, ose edhe si në fakt ndjehej. Duket se Vitoi ishte kthyer në vendlindje për të rigjetur paqen shpirtërore që i mungonte, në vendin e tij, me njerëzit e tij. Ndoshta në metropolet që kishte jetuar, nuk kishte mundur ta shmangte dot ndjesinë e të huajit, e prandaj ishte kthyer në vendin ku i kishte rrënjët e veta. Vitoi është personazhi tipik që përfaqëson të mërguarin (ndoshta edhe vetë Camajn), i cili në asnjë mënyrë nuk mund të ndjehet se i përket vendit ku kishte mërguar, e as vendit të lindjes, sepse distancimi fizik nga ai dhe distancimi i intelektit të tij me vendasit ishte ajo që e bënte të mos jetë më personi i cili ishte para se të largohej. Kjo bën që ai të gjendet mes një purgatori, sikur në fakt nuk i përket asnjë vendi, sikur e ka humbur Itakën e tij përgjithmonë.
Këtë dukuri e shohim edhe te personazhi i Jerës, e cila ishte ndryshe nga vajzat e tjera, me vizion tjetër për jetën, e kjo e bën që të jetë e huaj dhe e pakuptuar nga njerëzit e saj më të dashur të gjinisë femërore si nëna dhe motrat, me të cilat shohim se ka një raport mjaft të tendosur.
Te novela “Katundi me gjuhë të fshehtë”, shohim të pasqyruar edhe frikën ndaj të huajës, e manifestuar si frikë ndaj vdekjes: “Banorët e këtyne viseve në shmang janë të përndjekun nga mosbesimi kundrejt të huajve, andaj mos pritni, që edhe për një orë të hyni ndopak në kuvend me ta”.
Ndjesia e të qenurit i huaj dhe i pakuptuar është shumë e rëndë nëse merr përmasat e absolutes. Është barrë e rëndë për t’u mbajtur e vetme. Karakteret e mësipërme duket sikur e kanë gjetur atë, një person që i kupton dhe beson në ta, dhe kjo mjafton për të qenë i lumtur. Këtë paqe shpirtërore e kanë gjetur te partnerët e tyre.
Në frymën e popullores
Letërsia popullore është një burim i pashtershëm në të cilin janë larë muzat e shumë autorëve të epokave e vendeve të ndryshme. Kjo letërsi ka qenë themel i fuqishëm edhe për shumë autorë shqiptarë, të cilët janë mahnitur nga pasuria popullore e letërsisë dhe kulturës shqiptare, dhe e kanë marrë si model krijimi. Në këtë frymë të të shkruarit kanë spikatur autorët tanë romantikë. Mirëpo, kjo letërsi ka vazhduar e vazhdon të frymëzojë edhe autorët modernë, të cilët inkuadrojnë pjesë nga kjo letërsi në veprat e tyre autoriale. Martin Camaj, mund të themi që ndoshta është autori i cili ndër autorët modernë, ka risjellë elemente më të shumta nga kjo letërsi në veprat e tij. Rikonfigurimi i orales në veprat e tij bëhet në mënyrë natyrale dhe simbolike. Prandaj, do mundohemi të hetojmë disa elemente të orales në novelat e përmbledhjes “Shkundullima”.
Ambienti në të cilin zhvillohen novelat është ambienti tipik baritor e idilik. Ngjarjet zhvillohen nëpër bjeshkë e vërri, toponime tipike ku janë zhvilluar edhe këngët e legjendat popullore. Edhe emri i toponimeve si: “Përtejqafë”, “Fundinë”, “Gurra”, “Maja e Cilkokut”, “Vorri i Murtajës” etj, duket sikur janë toponime që tingëllojnë si ato që kemi hasur te letërsia popullore.
Personazhi i Nikës në momente na duket sikur është nxjerrë nga antikja e eposit të kreshnikëve, si një vëlla i tretë i Mujit dhe Halilit. Marrëdhënia e tij e supozuar me Zanat e Orët, e nxitur nga thashethemet e fshatarëve ngaqë nuk dinin asgjë për mënyrën e jetesës së vetmuar të Nikës e prandaj sajonin, bën që protagonisti të marrë formën e një heroi legjendar. Supozohej se Nika kishte rrëmbyer një Zanë e prandaj edhe ai në fund të veprës fillon edhe vetë të besojë që ishte i pushtuar nga Zanat, të cilat donin që t’i hakmerreshin. Edhe fiziku i Nikës paraqitet i ndryshëm nga ai i të tjerëve, si i gjatë dy metra. Kjo është po ashtu karakteristikë e përshkrimit të heronjve kreshnikë.
Vetë emri i personazhit Nikë mendoj që është jo i paqëllimshëm dhe mund të lidhet me emrin e të parit të fisit të Nikaj Merturëve mbi të cilët ka shumë legjenda e janë zhvilluar hulumtime të shumta historike e arkeologjike, sipas të cilave katundi i Nikajve del i formuar që në vitin 1330. Polemikat kanë qenë të shumta rreth këtij fisi dhe origjinës së tij, por duket se ekspertët e fushave kanë rënë dakort që pohimi më i besueshëm është se i pari, nga i cili u formua fisi i Nikajt, ka qenë Nikë Mekshi. Ky, pasi u nda nga vëllai Kolë Mekshi, u largua nga Krasniqja dhe u vendos diku në territorin e Nikajt të sotëm. Pra, emri i Nikës dhe Kolës mendoj që i shërben këtij qëllimi duke e lidhur me historinë e formimit të fiseve Nikaj dhe Krasniqe. Këtë argument e përforcon edhe informacioni që na jep vetë autori që novela “Pishtarët e natës” tregon ngjarje që zhvillohen në veri, dhe kjo pëputhet edhe me vendodhjen e fisit të Nikajve që janë në veri të Shqipërisë, madje edhe dëshira e Nikës për të pasur shumë fëmijë e për t’iu siguruar tokë shfaq intencën e tij për të shtuar fisin. Edhe vetë koha e ngjarjeve duket sikur i përket kohës së daljes nga paganizmi.
Nika të huajve u dukej si një personazh homerian, me dallim të madh mes atij dhe atyre, çka na bën të mendojmë që novela në fakt është një komunikim i dy epokave. Është interesant fakti që vijnë shumë të huaj për të hulumtuar zakonet e folklorin e këtyre viseve, mirëpo ktheheshin të zhgënjyer mbi faktin që vendasit nuk dinin t’u tregonin asgjë në lidhje me të. Ky pasazh është ironi e qartë, jo ironi therëse, por ironi e dhimbshme, mbi faktin e lënies pas dore të folklorit nga vendësit dhe duhet të vijë një i huaj t’u kujtojë vlerën e tij:”Ndër këta kalimtarë ka pasë edhe asish të cilët e kishin caktue me ndejë disa vjet në këto vise.Kishin pasë ndërmend me mbledhë kangë trimnish, doke të vjetra dhe me u vllaznue me burrat e malësisë, tue pi gjakun e gishtit. Por ata, po në hymjen e maleve humbën rrugëve. Ju e dini se unë nuk di të këndoj, as t’i bie fyellit as lahutës. Për njëzet e katër orë u ka dalë për hundësh malësia”. E njëjta ide na paraqitet edhe në novelën “Katundi me gjuhë të fshehtë” në pjesën:”Fajin e keni vetë që nuk e keni zbulue deri tash vendin tuej. Keni pritë të vij një nga jashtë për të shty të njihesh me katundin ma karakteristik të atdheut tonë të bukur”. Ky interesim i hulumtuesve për folklorin shqiptar shfaqet pak a shumë në të katër novelat.
Fryma popullore shfaqet në shumë pjesë të këtyre novelave, në frazeologji si psh: “Jo vetëm njeriut, por gurit e drunit qenka me iu dhimbë Nika”, “Si ai që hjedh gurin e fsheh dorën”, “Mali për mal nuk piqet, por njerëzit po”, “trima me fletë e sypatrembun”, në doke, në mentalitet e besëtytni të shumta që bëhen pjesë e novelave. Këngët popullore janë po ashtu një element i rëndësishëm që i hasim disa herë, si në këngët që këndonte Ntonia apo këngët hyrëse në novelat “Shkundullima” e “Rrungaja në mars”.
E autori shpalos frikën më të madhe që kishte (që ndoshta është edhe ideja që i bashkon të katër novelat), harrimin, zhdukjen e asimilimin e tyre. Këtë e vërejmë fillimisht në një dialog të Vitoit me bashkëmoshatarët e tij që nuk ishin larguar nga fshati të cilët e pyesin:”A të kujtohen këto këngët tona,Vito?”, e kjo frikë pikën e vet kulminante e prek në fundin e novelës “Katundi me gjuhë të fshehtë” në pasazhin që një vendës tregon i trishtuar se si kishte humbur gjithçka nga folklori dhe identiteti i vendit të vet: “Ka pasë të drejtë!-Ndërhyni vetja nga grumbulli i vendasve.-Vërte, ka pasë të drejtë në këtë pikë: merrnje me mend se cfarë pasunije shpirtnore janë tu na humbë, këtu para sysh!Merrnje me mend! Unë nuk kam ma vendlindje pse fshati ku kam lindë nuk figuron ma në kartën gjeografike. Askush nuk banon sot atje. Kangët popullore, vallet e bukura, të folmet e posaçme…. Atij që fliste gati sa nuk i dolën lotët.
Prandaj edhe këto novela mund të cilësohen si intencë e autorit për të ruajtur e shpalosur grimca nga folklori.
Simbolet kryesore:
- Lumi
Këtë simbol e hasim dendur në thuajse të gjitha novelat e kësaj përmbledhjeje. Lumi është simbol i ndërmjetësuesit mes dy realiteteve, mes dy botërave që shfaqen vazhdimisht në novela. Këtë rol e luan deri diku edhe personazhi i Nikës, i cili priste e niste të huaj vizitorë.
- Ura
Ndërtimi i urës mbi greminën (“Shkundullima”), është simbol përveç si një siguri për popullatën që mos të mbesë e izoluar nga pjesa tjetër e botës, por ç’është më e rëndësishmja, ura është simbol i kalueshmërisë së fshatit në avancim, që ta përqafojë bashkëkohoren.
- Mali
Mali në këto novela simbolizon të kundërtën e asaj që simbolizon lumi, pra ndarjen qoftë në aspektin e fizikes, qoftë në të asaj emocionale. Këtë figurë me fuqinë e vet më të madhe simbolike e shohim të shfaqet te novela “Rrungaja në mars”.
- Ujku
Ujku në novelën “Rrungaja në mars”, është një figurë qendrore. Daku fundoset bashkë me tufën e ujqve në ortekun e borës, kjo na bën të mendojmë për afrinë mes ujkut dhe njeriut, luftën mes tyre, madje edhe një gërshëtim të të dyja qenieve, pra idenë e njeriut ujk. Kulti i ujkut ndër ilirë është një ndër kultet më të lashta.
5 .Shungullima (Tërmeti)
Në novelën me të njëjtin emër, simbolizon “tërmetin”, “shkundjen” mendore dhe shpirtërore të njerëzve të fshatit. Shohim që njerëzit mbas atij “tërmeti” shfaqen shumë më ndryshe se në fillimet e novelës, me më tepër energji, ide e vullnet. Këtë na e argumenton edhe pjesa:”shkolla ishte e vetmja që nuk kishte pësuar dëme të mëdha gjatë shkundullimës”
“Tërmeti” më i madh është ai që ndodh në zemrën e Ntonias:”Mbas njëzet e katër orësh, erdhi Vitoi te ajo dhe kur e mori në grykë, ndjeu si ajo forcohej e bahej gurë në krahët e tij”.
- Dimri simbolizon shkallën më të lartë të vetmisë në zemrat e protagonistëve dhe ardhjen e diçkaje të keqe. Nikën në këtë stinë e kaplojnë mendime të ç Qetësia e natyrës e bënte të mendonte më tepër e të ndihej më tepër se asnjëherë i vetmuar.
- Maja
Këtë figurë simbol e shohim në disa raste. Tek novela “Katundi me gjithë të fshehtë” katundi misterioz tregohet se gjendet në maje të malit. Vendodhja në maje bëhet simbol për rrugën e vështirë që duhet të kalojë udhëtari për të mbërritur atje. Bëhet simboli i luftës me vdekjen, e ndoshta simbol edhe për vetë vdekjen.
Tek novela “Rrungaja në mars” ngjitja e Jerës në majën e malit në të cilin kundron fshatin e Dakut, një ngjitje e ndaluar për vajzat e fshatit të saj, bëhet simbol për ngjitjen e njeriut në majat e kapaciteteve të veta. Prekja e majave është karakteristikë për njerëzit këmbëngulës në ëndrrat e tyre. Në këtë novelë është interesante fjalia:”Në shkollë po jua mësuakan rrugën se si kapërcehen majat”, çka simbolizon realizimin e qëllimeve dhe ëndrrave nga rruga e dijes dhe edukimit.
- Yjet
Yjet në novelën “Pishtarët e natës” simbolizojnë mendimet metafizike të protagonistit, i cili tek yjet shikonte atë që i mungonte atij vetë, harmoninë, vëllazërimin e dashurinë. Në këtë mënyrë yjet me largësinë e tyre simbolizojnë dëshirat më të thella e më të paarrira për njeriun dhe udhëtimi e vrojtimi i yjeve simbolizojnë ëndrrën e madhe për realizimin e këtyre dëshirave.
- Qetësia shurdhuese
Novela “Shkundullima” hapet duke treguar një gjendje e cila do eksplikojë edhe vazhdimin e ngjarjes. Qetësia që sundonte vendin ishte një qetësi e jashtëzakonshme, shenjë për diçka që do ndodhte: “Ndër shpirtën dhe në botën e jashtme të katundit mbretnonte një paqe me të përqethë shtatin. Para kësaj heshtje e gjumësie ndiente shtangim e frikë vetëm ai që vinte nga jashtë.” Kjo qetësi nënkupton pamotivimin dhe kotësinë që e kishte kapluar fshatin, që do i prishë ardhja e Vitoit. Pra, është simbol i absurdit dhe nevojës për zgjim e dinamikë. Është qetësi që nuk i bën mirë shpirtit, por përkundrazi, e trazon atë më tepër se tingujt më të zhurmshëm.
- Kali
Gjatë tërmetit të fuqishëm, Vitoin e shpëton një qenie mistike, në nivelin e mitikes, një kalë. Ai e ul protagonistin në tokë shëndosh e mirë dhe ikë në mënyrë misterioze. Figura e kalit na vjen nga mitologjia greke e ajo ilire. Ndër ilirë, prania e figurës së kalit konsiderohej fatsjellëse.
Vitoit i ngel mendja te ky kalë dhe mbasi i ndihmon vendësit mbi dëmet e tërmetit, vazhdon rrugën nga ka vazhduar ky kalë, cka mund të simbolizojë që në zemrën e Vitoit është ngjallur dashuria për zbulimin e pasurisë folklorike e vazhdon të ndjekë gjurmët e kësaj historie për të zbuluar misteret e saj. Gjithashtu, ndjekja e kalit simbolizon edhe ndjekjen e ëndrrave, që edhe si kali kalojnë nëpër rrugë të panjohura.
- Toka (Dheu)
Në fund, po paraqesim simbolin më të rëndësishëm të këtyre novelave, simbolin e tokës. Lidhja e personazheve me tokën është një lidhje e fuqishme dhe e veçantë. Personazhi i Nikës është ai që e dëshmon më së miri këtë lidhje, me dëshirën për ta punuar e shtuar tokën dhe me dëshirën për të qëndruar aty e për të mos u larguar nga ajo. Për Nikën çdo sakrificë për tokën ishte një sakrificë që ia vlente: “Edhe jeta do dhanë për një copë tokë, thoshte ky me vete”. Sipas Nikës cdo gjë vinte nga dheu dhe ai ishte zanafilla e çdo gjëje:”E përsëriti edhe para të shoqes bindjen se sëmundja zhvillohej ma së pari në dhe, dheu ia ngjiste bimës të ligën e bima, tue dalë përjashta,përlyente shtazë e njerëz. Gjithçka delte nga zemra e dheut,e mira dhe e keqja”.
Ntonia paraqitet si një personazh e cila “pa vdekë nuk e lëshonte pragun e të parëve”. Lidhja e saj e fortë me të parët e saj qëndronte në pallatin ku jetonte dhe me shembjen e tij, Ntonia ndihet sikur ka humbur edhe veten.
E dheu bëhet simbol i përjetësisë së dashurisë: “Dashnorët e vërtetë, mendonte ajo, nuk i qesin në treg ndjesitë e veta, si ata të dy. Malli i madh, për së gjalli, mbulohet thellë në zemër e mandej në dhe”.
Dheu po ashtu di të zemërohet e të ndëshkojë fajtorët, të ndëshkojë ata që e lënë pas dore: “..dhe e shihte si dheu përbindësh që gëlltitë pa dhimbë pjellën e vet, përpinte në hepe gjithçka, gur e frymorë, gjithçka i binte në fulçij”. Dheu merr edhe trajtën e njohur simbolike si krijues i njeriut e si destinacion i fundit i tij në këtë botë. Pra, si simbol i fillimit dhe fundit të gjithçkaje. Çdo gjë një ditë mund të zhduket, por jo dheu.
Dykuptimësia e fatalitetetit dhe kronologjia harmonike e novelave mes njëra-tjetrës
Novelat janë të ndërtuara në atë mënyrë që fundi i tyre mund të ketë dy shtigje interpretimi. Interpretimi i parë mund të na lidhë me folklorin dhe ruajtjen e traditave të të parëve, ky mund të quhet edhe një interpretim në kuadër të kolektives, dhe interpretimi i dytë është ai që fatalitetin e lidh me fatin e individit, me individualen.
Kështu në kuadër të rrugës së parë interpretative, Nika e pëson sepse prish vëllazërimin me kafshët (siç pasqyrohet në vepër), i tradhton e i vret ata e prandaj e pëson sepse ngjallë zemërimin e qenieve mitike. Është pak a shumë dënim për një gjueti të jashtëligjshme. Daku vendos që të ndjekë rrugën e kalit, të vazhdojë të ndjekë misteret e folklorit, kurse Ntonia me shëmbjen e monumentit që e kishte si gjënë më të shtrenjtë, që e lidhte atë me të shkuarën e saj e jo vetëm të saj, vendos të largohet. Daku dhe Jera e pësojnë, sepse duket sikur ishin bërë gati të lënë pas komplet të shkuarën folklorike dhe të përqafojnë bashkëkohoren. Familja e Dakut, në fakt, mbas dimrit mendojnë edhe të shpërngulen nga Përtejqafa, mirëpo rrungaja dhe vdekja e Dakut nuk e bën të mundur. As Jera mbas vdekjes së Dakut nuk largohet dot, sepse nuk ikte dot nga kujtimet që kishte me Dakun, sikur ai vend ia kujtonte atë. Në këtë qasje interpretative, mund të interpretohet edhe takimi i të huajit me vdekjen dhe dëshira për ta kërkuar katundin misterioz, si dëshirë për ta shpëtuar një krahinë nga asimilimi e humbja e autoktones së vet.
Në planin tjetër, novelat mund të shihen në kuadrin e individuales. Në këtë mënyrë, Nika vdes sepse jetonte në një ambient të egër dhe rreziku nga egërsirat ishte shumë i madh. Daku vendos të ikë nga fshati e të shkojë në vendet e zhvilluara ku ishte mësuar ose edhe ndoshta pas Ntonias, për të fituar përsëri zemrën e saj. Ntonia e zhgënjyer nga raporti me Dakun ndoshta, vendos të ikë. Është interesant fakti që Ntonia vendos të ikë te fisi i nënës së saj, e cila po ashtu kishte shkuar atje e sëmurë për t’i kaluar ditët e fundit të jetës. Sikur edhe Ntonia kishte shkuar atje për të pritur vdekjen, e zhytur në nihilizëm për jetë. Daku vdes duke ndjekur aventurat e veta të rrezikshme, duke lënë Jerën në vuajtje të mëdha. Për të huajin mund të konkludojmë se kemi të bëjmë me një person i cili po kalon një post traumë të madhe, të nxitur nga një vështirësi reale që e kishte bërë t’i humbë lidhjet me realitetin dhe të endet në një botë të imagjinuar, i shoqëruar nga halucinacione e déjà vu.
Autori i lë pezull qëllimisht këto pyetje që u krijohen lexuesve dhe për t’ju lënë këtyre në dorë se cili mendim do t’u duket më i përshtatshmi. Mirëpo, arsyeja tjetër që autori e bën këtë zgjidhje është për t’i shërbyer natyrës së novelave, të cilat sikur gërshetojnë të kaluarën me të tashmen.
Parë në raport me njëra-tjetrën, duket sikur novelat kanë njëfarë koherence. Katër novelat, në fakt, tregojnë për faza të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë, që nga paganizmi e deri te shekulli i kaluar.
Novelat e mësipërme na tregojnë për pozicionimin e njeriut mes mitikes e modernes, mes vetëdijes e ndërdijes, mes rrezikut dhe zonës së komfortit. Janë novela që shtrojnë pyetje të thella të filozofisë ekzistencialiste, një depërtim i thellë në psikanalitikën individuale e atë kolektive. Personazhet e novelave janë Odise të dëbuar nga Itaka që jetojnë vetëm me vizionin e saj, me vizionin e Itakës së mohuar. Prandaj janë edhe të huaj në çdo vend që shkojnë e të vetmuar mes secilës turmë. Janë kërkimtarë të një Itakeje të re, të cilën nuk e gjejnë kurrë, vetëm ndonjë grimcë nga ajo. Kjo i bën të jenë personazhe melankolike, por ngulmues në kërkimin e vet, në gjetjen e nje vendi të ri që do i bëjë të përjetojnë grimca nga Itaka e mohuar. /FolDrejt/