Nga Gani Karamanaga
Rrëfimi 1
Ardhja në Ulqin
Familja e Hasan Ibroçit nga Ana e Malit vjen në Ulqin në fund të dekadës së gjashtë të shekullit XX. Fillimisht jetojnë në Lima në shtëpinë e vjetër të Zejnel-Nelo Resulbegut.
Së shpejti, me mirëkuptimit e Ali Resulbegut nga ai blejnë truallin ku ndërtojnë shtëpi të re. Pak më vonë, gjithashtu në Lima, bëhen pronarët e bylykut të ullishtës së Velko Bulatoviqit. Kjo ullishtë kufizohej me ullishtën tonë.
Për këtë arsye familja jonë ka pasur lidhje miqësore me familjen e Hasan Ibroçit. Ai edhe në fshatin e tij, si edhe në Ulqin gëzonte autoritet të veçantë. Më kujtohet edhe bashkëshortja e Hasanit, ishte grua e qetë, gojë ëmbël. Punonte shtrojca për shtëpia në tullar si dikur. Kanë pasur tre djemë dhe dy vajza.
Isha fëmi. Më kujtohet kur erdhën krushqit nga Ana e Malit kur u martua vajza e tyre.
Djali i madh, Osmani ka krye shkollën për arsimtar. Fillimisht ka punua në arsim. Më pas punësohet në Komunën e Ulqinit si referent për arsim.
Më vonë me bashkëshorten kalojnë të jetojnë në Sarajevë.
Ibrahimi, djali i dytë u regjistrua në Shkollën për Mësuesi në Nikshiq. Ky ishte institucion arsimor me reputacion të vërtetuar, të veçantë. Nxënësit e kësaj shkolle atëherë ishin: Fadil Kroma, Aleksandar-Aco Janinoviq, Agim Qiqri, Shyqyri Pelinku, Jovanka Vujanoviq, Ruzhdi Karamanaga.
Ibrahimi një kohë të gjatë do të jetë mësues në Shkollën Fillore të Ulqinit.
Enveri, djali i tretë ishte zanatli.
Rrëfimi 2
Martesa e Ibrahimit me Elmadijen
Elmadije Kasneci – Ibroçi u lind në fshatin Kosiq në Anë të Malit, në vitin 1950.
Shkollën fillore e mbaroi në Katërkollë, kurse të Mesmen Medicinale në Mitrovicë në vitin 1968. Kthehet në vendlindje dhe punësohet në Stacionin shëndetësor të Katërkollës, atëherë 18-vjeçare.
Elmadija ka qenë infermierja e parë shqiptare nga Ana e Malit. Atëherë ka qenë patologjia më e madhe dhe komplet ekipi medicinal i cili punonte në Anë të Malit, ka dhënë një kontribut të veçantë për një shërbim shëndetësor më të mirë.
Pas 10 viteve pune kalon me shërbim në Ulqin, ku sistemohet si infermiere pediatrie në dispanserinë e fëmijëve shkollor.
Ka dhënë kontribut në zvogëlimin e pasojave pas tërmetit të 15 prillit të vitit 1979.
Në fund të dekadës së gjashtë martohet Elmadija me Ibrahimin. Prej kësaj martese u lindën tre fëmijë: dy vajza edhe një djalë. Etrita, Burbuqja dhe Astriti.
Rrëfimi 3
Emigrimi në SHBA
Në vitin 1994 Ibrahim Ibroçi me familje shkon në SHBA ku edhe stabilizohen dhe fillojnë jetën e re. Vajza e madhe Etrita u bë gazetare e njohur në SHBA.
Në vitin 2009 ishim me bashkëshorten Fitnete në vizitë në Nju Jork në festimin e 10-vjetorit të Spitalit për shqiptar “Illyria”.
Në këtë solemnitet ishte prezente dhe Etrita Ibroçi.
Skena Verore në Ulqin para 10 viteve në Kala.
Duke u ngritur në katin e tretë të Kullës së Ballshajve ku ishte ekspozita e piktorëve nga Ulqini, e takova Elamadije dhe Ibrahim Ibroçin.
Malli për Ulqinin nuk i lëshonte kurrë.
Çdo vit e vizitonin vendlindjen së bashku me familje.
Djali i tyre Astriti disa vite me radhë ka qëndrua në Ulqin. Bashkëshortja e tij punonte në Gjimnazin e Ulqinit.
Egziston thënja:
“Kush e hanë njëherë bukën e Amerikës…”
Dhe Astrit Ibroçi shkoi përsëri në SHBA.
Rrëfimi 4
Covid-19
Përfundimi i muajit gusht më 2021. Pandemia Covid-19 ishte në pikën më të lartë sa i takonte infeksioneve, vdekjeve…
Testi na tregoji se jemi pozitiv në koronavirus.
Me bashkëshorten ishim duke pritur në Kovid ambulancë të Shtëpisë së shëndetit në Ulqin.
Bashkëshortja ka pasur edhe temperaturë të lartë, në radiografinë e mushkërive u manifestua kallja (pneumonia) e dyanshme.
Te unë ishte forma ma e lehtë e infeksionit.
Në anën tjetër të korridorit ishin duke pritur Elmadije dhe Ibrahim Ibroçi. Elmadija ishte më rëndë e sëmurë.
Na përshëndetën.
Infeksioni me Covid-19 i goditi gjatë pushimit veror familjar në vendlindje.
Me rekomandimin e mjekut, Elmadija u transportua për në spital.
Me dëshirën e tyre shkuan në Tiranë. Deri në kufi me Shqipëri e transportoi Ambulanca e Ulqinit, prej aty vazhduan me Ambulancën e Spitalit nga Tirana.
Në dhomën për marrjen e terapisë dy herë kemi kontaktuar Ibrahim Ibroçin. Gjendja e tij ishte duke u përmirësuar.
E kemi pyetur për Elmadijen.
Ibrahimi u përgjigj:
“Nuk e di, nuk është fare mirë…”
Pas disa ditëve Elmadije Kasneci-Ibroçi e humbi luftën me Covid-19.
Ismet Karamanaga (vëllai im) shkruan: “Në vitin 2018 isha në Florida të Amerikës dhe kur nuk do ta harroj mikpritjen e saj (të Elmadije Ibroçit)dhe bashkëshortit të Elmadijes, Ibrahimit. Padyshim ishte ky një çift i mrekullushëm… Elmadija do ti mungojnë më së tepërmi të afërmve, por edhe Floridës, ku ka jetua një kohë të gjatë…”
Shtator 2021. Në maje të Pinjeshit u bë përcjellja e fundit e Elmadije Kasneci – Ibroçit.
Kishte popull shumë, në mesin e të cilëve edhe bashkëpuntorët dhe kolegët e Elmadijes nga Shtëpia e shëndetit.
Pas një kohe të shkurtër ndërroi jetë edhe babai i Elmadijes Manush Kasneci, mësues i vjetër.
Kaluan disa ditë dhe Ibrahimi me familje u kthye për në Amerikë.
Ata do të vijnë prap…
(Nga libri në dorëshkrim “Mërgimtar”)
/Marrë nga Koha Javore/