Nga Gjekë Gjonaj

Se fëmijët kanë nevojë çdo ditë për aktivitet fizik,  sidomos sot  që lojërat e zakonshme  fizike janë  zëvendësuar  nga ato elektroniket  që ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre, para të gjithëve e kuptuan  mërgimtarët  anamalas  të bashkuar në  Fondin Humanitar “ Trojet tona”.  Këta njerëz humanistë, duke e ditur  rëndësinë  dhe ndikimin shumë të madh që ka sporti në mirërritjen dhe në edukimin fizik dhe mendor të fëmijëve, ndihmuan financiarisht  formimin e Shkollës së Volejbollit për Femra. Themelimi i kësaj shkollë, më 6 nëntor 2021,  me donacione të FH “ Trojet tona” u mirëprit me kënaqësi nga e gjithë popullata vendase, prindërit, fëmijët dhe mësimdhënësit e  SHF” Bedri Elezaga” në Katërkollë, e cila ofroi sallën sportive për stërvitje.

Drejtuesit e Shkollës së Volejbollit punuan me vullnet e përkushtim  gjatë gjithë vitit të kaluar  me rreth 70 vajza  të cilat treguan interesim të  madh. Çdo fillim është i vështirë, por drejtuesit e kësaj shkolle të volejbollit, duke parë interesimin e vajzave të  grupmoshave  2008, 2010 dhe 2012 për  t’u marrë me këtë sport, i motivoi  që  këto vajza  të  përfitojnë  gjatë tërë jetës së tyre nga përvojat  që fitojnë gjatë marrjes me sport. Dhe, pas një pune të suksesshme njëvjeçare të trajnerëve  të klubit Kadri dhe Herodit Sinani, profesorë të  fiskulturës, sivjet  u themelua Klubi i Volejbollit për Femra “ Barbana”.

Kryetari i klubit, Valdet Kurti,   thotë se më 6 nëntor ka kaluar një vit nga fillimi i projektit të Shkollës së Volejbollit për vajza në Katërkollë-Anë të Malit  dhe se në një kohë të shkurtër arritëm ta themelojmë klubin, falë interesimit  të madh të vajzave dhe punës së  suksesshme e trajnerëve tanë, Kadri dhe Herodit Sinani.” E gjithë kjo mrekulli, siç do ta quaj unë, do të ishte e pamundur pa mbulimin e plotë të të gjitha shpenzimeve nga ana e Fondacionit  shqiptaro-amerikan “Trojet tona. Ne i detyrohemi shumë donatorëve të këtij fondacioni, sepse investimi në sport, veçanërisht tek vajzat, ka një dimension më të gjerë. Gjithashtu na ka ndihmuar edhe  udhëheqësia e Shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, duke na ofruar shfrytëzimin e sallës së shkollës ku mbahen ushtrimet. Këtë vit marrim pjesë  në gara të organizuara nga Federata e Volejbollit të Malit të Zi me 3 ekipe të moshave: U14, U12 dhe U10.  Ndjesia jonë pas dy javëve të përfunduara dhe sukseseve që duhet të vlerësohen,  edhe pse nuk i kemi primare rezultatet, është e papërshkrueshme,  ndoshta e njëjtë si edhe e vet vajzave”, shprehet Kurti.

Kënaqësinë e madhe nuk e fsheh trajneri i Klubit të Volejbollit të Femrave “Barbana”, Kadri Sinani. “Jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur që po marrim pjesë në kampionatin malazez të volejbollit. Ndeshjet e para i kemi pasur më 30 tetor dhe 6 nëntor. Na befasoi atmosfera fantastike, pritja e mirë dhe shoqërimi i të gjitha ekipeve pjesëmarrëse, si dhe rezultatet e mira. Si ekip i ri, ne nuk kemi ambicie të mëdha. Synimi ynë është të marrim pjesë në këtë kampionat dhe të vazhdojmë garën vitin e ardhshëm. Edhe pse nuk i njohim skuadrat pjesëmarrëse, mendoj se kemi cilësinë për të qëndruar në këtë kampionat”, thotë Sinani.

Vlen të theksohet se buzëqeshjet e  vajzave të këtij klubi, miqësitë e sinqerta dhe të reja, puna në grup dhe vendosja e vlerave të sportit që në moshë të re janë të një rëndësie të veçantë.

By admini