Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” organizoi më 27-29 korrik 2022, në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, edicionin e 30-të jubilar të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”. Pas tre viteve, për shkak të pandemisë, “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” u rikthye në Kalanë e Ulqinit, në vendin ku dhe në kohën kur organizohet zakonisht.
Në fjalën e hapjes, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se pavarësisht faktit se të jetosh nga letërsia sot është (pothuajse) e pamundur, shkrimtarët e vërtetë përpiqen ta ruajnë rolin e saj iluminues në shoqëri.
Duke folur për manifestimin letrar “Kalimera Poetike”, ai ka thënë se ky manifestim është përpjekur dhe ka arritur të ruajë cilësinë e vet, duke ftuar jo shkrimtarët më në “modë” të kohës, por ata që me shkrimin e tyre kanë lënë gjurmë në letërsi.
“Ajo ka krijuar një traditë të mirë, por të ruash vazhdimësinë dhe traditën është gjëja më e vështirë. E personifikuar me emrin e poetit dhe studiuesit të ndjerë Basri Çapriqi, edhe pas 30 vitesh ajo zhvillohet me po të njëjtin pasion të fillimit, duke ruajtur identitetin shqiptar në këto treva”, ka thënë ai.
Gjatë tri netëve u mbajtën mbrëmje autoriale me shkrimtarët Ylljet Aliçka, Donika Dabishevci dhe Dragan Radulloviq, tre autorë ku secili krijon në mënyrën e vet, në forma dhe tematika të larmishme, te krijimtaria e të cilëve mishërohet më së miri letërsia si art i fjalës dhe na përkujton se e para është (mbetet) fjala.

Lehtësia e papërballueshme e rrëfimit
Mbrëmja e parë autoriale iu kushtua shkrimtarit Ylljet Aliçka, i njohur për lexuesin e huaj po aq sa për atë shqiptar, letërsia dhe skenaret e të cilit ironizojnë absurditetin komunist dhe të transicionit shqiptar.
Në bisedë me shkrimtarin Mark Lucgjonaj, Aliçka ka folur për krijimtarinë e tij të dyzuar ndëmjet letërsisë dhe kinematografisë, arsyen pse ka filluar të shkruaj vonë, rëndësinë e takimeve promovuese për shkrimtarët etj.
Ai ka treguar se ka mbaruar për biologji dhe nuk ka pasur ndonjë ëndërr për t’u bërë shkrimtar ndonjëherë.
“Letërsia e ndaluar na ka nxitur shumë në atë kohë që të lexojmë sa më shumë, të gjurmonim libra në gjuhë të huaj, të ndaluar. Kjo ka diktuar edhe shijen e leximit, që qe shumë e lartë. Pra, gjatë diktaturës, një nga ato ‘meritat’ që mund t’i quajmë, ka qenë shija e leximit dhe vëmendja ndaj kulturës, kryesisht asaj të ndaluar. Ndërsa sot ka një ndryshim të madh ndaj asaj që do ta quaja shije e letërsisë”, ka thënë shkrimtari.
Aliçka ka theksuar se të shkruarit i jep kënaqësi.
“Ato pak libra që kam shkruar, më kanë dhënë kënaqësi, janë përkthyer në disa gjuhë. Mbi librat e mi janë bërë edhe disa filma, me të cilin krenohem me filmin “Slogans” (Parullat), i cili në vitin 2002 u përzgjodh në Festivalin e Filmit në Kanë dhe mori një çmim kritike aty. Që nga ajo ditë, unë tregimet e mia ose librat e mi i përshtas për skenare filmi. Pra, merrem me të dyja tani, edhe me letërsi, edhe me kinematografi”, është shprehur shkrimtari.
Për krijimtarinë e tij ka folur studiuesja e letërsisë dhe pedagogia Prof. dr. Persida Asllani, e cila ka thënë se nëse ka diçka që e bën kaq të paharrueshme përvojën e leximit të veprës së Ylljetit është lehtësia e papërballueshme e rrëfimit.
“Do të thotë, është një rrëfim që nuk mund ta harrosh më, sepse është një rrëfim që trondit.
Dhe mendoj që kjo tronditje, ky sëmbim që të lë gjatë leximit, por edhe pas leximit, mënyra e shkrimit të Ylljetit ushqehet ose buron tek ai paradoks, shumë lëndues për mua, por edhe shumë i vërtetë, i rrëfimit të absurdit dhe të tragjikes, përmes ironisë. Është kjo një gjendje shumë e veçantë e shkrimit, që nuk e gjen lehtë, ndonëse tradita shqiptare është e pasur me shkrimin e satirës apo shkrimin ironik”, ka thënë ajo

Poetja e lirikave të fuqishme të dashurisë
Mbrëmja e dytë autoriale i është kushtuar poetes Donika Dabishevci nga Kosova, një zë femëror i veçantë dhe i fuqishëm në letërsinë shqipe, e cila lirinë poetike e përdor për të thyer tabutë.
Në bashkëbisedim me poetin, studiuesin e letërsisë dhe profesorin universitar Arben Prendi, poetja ka folur për receptimin, kuptimin dhe mënyrën e interpretimit të poezisë së saj nga kritika dhe lexuesi.
Ajo ka thënë se më mirë se vetë poezia, nuk beson se asnjë lloj interpretimi mund të flasë, aq më pak interpretimi i vetë autorit.
“Dihet që në momentin që botohet një tekst, ai nuk i përket më autorit. Është i lexuesit dhe kuptimi… Domethënë, secili lexues ia mvesh tekstit atë përvojën e vet, dhe tashmë ai është pjesë e secilit prej tyre në variantet e tyre”, ka thënë poetja.
Duke folur për temat që mbizotërojnë në krijimtarinë e saj poetike, si dashuria dhe vdekja, Dabishevci ka thënë se “Dashuria dhe vdekja janë prej atyre temave të përbotshme që e kanë sunduar letërsinë prej antikitetit deri më sot. Besoj se për çdo autor është kënaqësi të vetëidentifikohet me këto dy tema”.
Për krijimtarinë e saj ka folur poetja Vlora Ademi, sipas së cilës, Dabishevci shquhet për poezi me karakter personal e intim, pra për lirika të fuqishme dashurie.
“Lirika ku shohim trupin e shpirtin e gruas tek tundohet fort e jepet me tërë qenien, pa pyetur për barriera konvencionale e as morale. Pra, në poezitë e Donikës gjejmë erotizimin, që kritika ndonjëherë e ka cilësuar edhe si ekstrem e që merr vlerë më spektakolare në shoqërinë tonë, pasi shkruhet nga një grua”, ka thënë ajo.
Ademi ka thënë se duke qenë se Dabishevci ka studiuar dhe doktoruar në letërsi, në forma dhe diskurse letrare, e njeh teorinë, e njeh letërsinë, e njeh traditën e të shkruarit dhe domosdo me vetëdije ka zgjedhur të hudhet në këtë terren jo të lehtë të të shkruarit duke i njohur sfidat, qoftë në aspektin ideor, por njëkohësisht edhe atij të receptimit.
“Pra, Donika shkelmon kufijtë tradicionalë që i kanë vënë rol gruas. Them barrikadat. Shpërthen si vullkan pa frikë. Pa frikë për atë se si pranohet nga të tjerët e po ashtu edhe pa merak për pasojat. Sepse ajo – pra subjekti lirik në poezitë e saj, e ka të qartë rrugën për ku është nisur, e po ashtu edhe mënyrën se si do të shkojë, si do të vrapojë”, ka thënë ajo.
Gjatë mbrëmjes vetë Dabishevci ka lexuar vargje të saj për publikun e pranishëm.

Letërsia si pjesë e angazhimit shoqëror
Dita e tretë e manifestimit ka filluar me përurimin e antologjisë në prozë “Kalimera rrëfen” në liqenin e Shasit. Në antologji janë përfshirë 21 autorë pjesëmarrës në “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” ndër vite. Përzgjedhjen e ka bërë studiuesja e letërsisë Liridona Sinishtaj – Doçe, e cila ka shkruar edhe parathënien që i paraprinë antologjisë.
Edicioni i sivjetshëm ka përfunduar me mbrëmjen autoriale me shkrimtarin malazias Dragan Radulloviq, i cili letërsinë e sheh si pjesë e angazhimit të tij shoqëror. Në bisedë me poetin Enes Haliloviq, ai ka folur për krijimtarinë e tij dhe shumë çështje aktuale në fushën e letërsisë.
Ai ka thënë se vitet ’90 kanë pasur ndikim vendimtar në mënyrën e perceptimit të gjërave dhe në krijimtarinë e tij.
“Realiteti në të cilin kam qenë dëshmitar dhe ajo çfarë ka ndodhur më vonë, ka përcaktuar edhe krijimtarinë time. Ajo periudhë nuk ka përcaktuar vetëm mënyrën e mendimit tim, por edhe mënyrën e leximit të librave, mënyrën në të cilën e kuptoj realitetin dhe atë çfarë ndodh.
Mendoj se çdo gjë që ndodh sot i ka rrënjët diku në vitet ’90”, ka thënë Radulloviq.
Krahas letërsisë, publiku i pranishëm ka shijuar tingujt muzikorë të instrumentistëve nga Shkodra – Ares Fani në kitarë dhe Anton Kaftalli e Elvis Buraniqi në violinë. Ediconi i sivjetshëm u mbajt në kuadër të Festivalit “Skena Verore”.
“Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” është ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Malin e Zi. Ajo i ka dhënë impuls jetës kulturore në Ulqin, sidomos gjatë verës, dhe ia ka rritur namin Ulqinit në rrafshin kulturor gjithëkombëtar. Përgjatë viteve, në skenën e “Kalimerës Poetike” kanë parakaluar shumë shkrimtarë të shquar, pastaj piktorë akademikë, disa prej të cilëve nuk jetojnë më, por që me emrin dhe veprën e tyre kanë krijuar historinë e këtij manifestimi.

/I.K. Koha Javore/

By admini