Lumi im i dashur, pas lamtumirës që i jep Labeatit të thinjur, qysh në pikënisje, pas ngushticës së dy legjendave, atë të skutës së Artë dhe mburojës së malit tim Taraboshit, përqafohesh me Drinin plak dhe, ashtu të njëjtësuar, i merrni njëri tjetrit atë çka u mungoi që lindje: qetësinë dhe rrëmbimin.
Në udhë e sipër stërkalat e tua marrin bekimin në Kishën e Shirqit, në katedralen më të madhe të Ballkanit të Mesjetës së hershme për të përfunduar qetësisht në prehërin e Adriatikut.
Dëshmitar i heshtur i të gjithëve atyre që ndodhen që në kohërat më të hershme deri me sot. Sa gëzime e sa hidhërime lidhen me ty nga breznitë që në kohë të ndryshme.
Sa njerëzve ua shëndove zemrat, e sa të tjerëve ua thave atë! Ngrij e shkrij, ky na paska qenë tik-taku i zemrës tënde, lumi im. Në vite të largët, sunduesit e tregut të qytetit të ngritur mbi kurmin tënd, fatin e tyre të mirë apo të keq e lidhnin me profecinë tënde, lumi im. E thirrnin nëpër netët e tyre të vagullta e tejet të brishta.
Edhe me adoleshentet herë afroheshe e herë të tjera i mbaje peng, për atë zemërimin tënd që shumë rrallë e shfaqe botërisht. Të rinjtë, dhe jo vetem këta, u përballen me shtjellat tua shpesh. Të pamatshme janë gëzimet e tyre kur karliseshin në ujin tënd. Por, mjerisht, pati shkulme të befta, që i moren me vete e s’i kthyen më.
Unë e ndjej kujën e vajit tënd për ata djem të mirë e të urtë. Një paragraf me vete sajojnë bastet e tua për peshkataret. Njerëzit e ujit, thirren ndryshe këta djem nënash, shpërfillës ndaj kapriçove të tua. Në prehërin e barkut tënd gjigand, mbi shpinë të lundrave të ndërtuara ashtu thjeshtë me merak artizanësh, gdhijnë mijëra netë nën qiellin gri a të kthjellët sipas rasttit. Rrjetat mësynin bregun, herë me barqet plot eherë të tjera me një çehre të ngysur. Kur rrjetat ishin bosh, ti ua përmbysje pa mëshirë ëndrrat e një dite me parë për diç më shumë në kuletat e tyre.
Miqtë e tu më të afërm, lumi im, ishin dhe janë fermeret e vegjel që i kanë pronat e veta afër teje. Këta nuk i merr etja as në piskun e vapës së djegagurit. Ua shuan ti, o i miri im. Por edhe më këta banorë të hershëm e të rinj, t’i zemërohesh në të rrallë. I ndëshkon ato me vërshimin e beftë e tekanjoz. Unë e di se nuk është faji yt, por njëriu i thjeshtë qyrkun e fajit e hedh mbi valëzimin tënd.
Lumi im! Nga mitra jote u lindën legjenda të frikshme. Ti u talle me to. I nderove e i përçmove njëherësh.
Është e drejta jote…!
I paqtë, i lundrushëm, me faunë të pëlqyeshme nga eksplorues të andej e këndej detit ku ti shkarkon barrët e tua, shfaqesh nëpër faqet e librave të gjeografisë, historisë a të ndonjë shkence tjetër jo ekzakte. Por, notën nuk ka përse ta vënë tekstet e shumta. Atë kemi të drejtë ta vëmë ne. Ne të njohim përkdhelinë e mallkimin si të pakujt tjeter.
Qetësia jote mbron një valë kontrastesh. Nuk dihet ku nis i pari e ku mbaron i fundit. Ata shkapeten ndër vedi e mandej ja plasin gazit si të krisur që janë. Ata vesin e keq tëndin, rrëmbimin në vërshim, pra me një fjalë: ngutjen, e kanë bërë zakon të vetin mjaft njerëz që njoh unë e të njohin ty. Unë mendoj se arsyeja i kanë lënë jetim këto njerëz e është për të ardhur keq për to. Unë i mëshiroj në kuptimin më human të epitetit në fjalë.
Do dëshiroja ta kthjelloja vetëdijen time, lumi im.
Deri ku shtrihet radha e rrënjëve që na lidhin e na zgjidhin? Raca jonë, ne na duket mocatare me ty. Do t’më pëlqente ta shpërndaja këtë kumt, nisur edhe nga tre vektoret e përshfaqjes së fisit tim.
Ne shqiptarë – ti, Bunë!
Arbër, ne – ti, Bujanë!
Ilirë, ne – ti, Barbanë!
Mirë deri këtu, por më andej, deri ku shtrihet atlasi yt e yni bashkë?
Dola në shteg, lumi im. Ta zgjidha gjuhën dhe po e nxjerr sekretin. Po u them të gjithë njerëzve që i njoh e nuk i njoh, atë që me the në intimitet: ”Gjithçka e kam në shërbimin tuaj, o njerëz të mirë e bujarë, por s’di t’iu ruaj…”.
Refren dalldisës mijëravjçar. Lavjerrës që zukat potershëm. Sa të çuditshëm jemi njerëzit e mijëvjeçarit të tretë! Endemi në rrethin vicioz të vesit e nuk dimë të dalim prej andej…
Tregim nga libri “Identiteti” i autorit Xhevdet Landa
Temë nga projekti “”Ruaj dhe zhvillo identitetin kombëtar duke shkruar, lexuar dhe folur shqip’’ – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptareve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2021”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.