U mbajt Kuvendi i IV-të zgjedhor i Forcës së Re Demokratike

Forca e Re Demokratike, sot me 30 tetor 2021 mbajti Kuvendin e IV-të zgjedhor. Kuvendi u mbajt në Ulqin, në hotelin Mediteran, thuhet në një kumtesë për opinion të Forcës së Re Demokratike.

Në Kongres morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, partive politike dhe sektorit joqeveritar, si: Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Mal të Zi SH.S. znj. Songul Ozan, Konsull i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi z. Adi Hoxha, nënkryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) Abaz Dizdareviq, shefi i Klubit Parlamentar të Frontit Demokratik (DF), z. Sllaven Radunoviq, deputetët e Malit të Zi Demokratik znj. Zdenka Popoviq dhe znj. Tamara Vujoviq, nënkryetari i Lëvizjes Qytetare URA, z. Goran Gjuroviq, në emër të Partisë Popullore Socialiste (SNP) z. Andrija Qetkoviq, kryetari i Social Demokratëve të Malit të Zi z. Ivan Brajoviq, deputeti i Kuvendit të Malit të Zi, nga Partia Socialdemokrate e Malit të Zi Dr. Draginja Vuksanoviq Stankoviq, kryetari i Partisë Boshnjake të Malit të Zi, z. Ervin Ibrahimoviq, kryetari i Partisë Liberale dhe deputeti i Kuvendit të Malit të Zi z. Andrija Popoviq, kryetari i Iniciativës Qytetare Kroate, z. Adrijan Vuksanoviq, kryetari i Listës për një Tivar më të Mirë z. Radomir Novakoviq-Cakan, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik dhe deputeti në Parlamentin e Serbisë z. Shaip Kamberin, kryetari i Kuvendit të Bujanovcit z. Enver Ramadani, kryetari i Alternativës shqiptare z. Nik Gjeloshaj, njëherit edhe kryetar i Komunës së Tuzit, kryetari i Partisë Demokratike z. Fatmir Gjeka, njëherit edhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi, kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve z. Mehmet Zenka, drejtori politik i Lidhjes Demokratike Shqiptare z. Bujar Hasangjekaj, njëherit edhe kryetar i Kuvendit te Komunës së Gucisë, kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi z. Saubih Mehmeti, kryetari i Lëvizjes qytetare Perspektiva z. Amir Hollaj, kryetari i Partisë qendrore shqiptare për integrim dr Isat Jakupi.

Në këtë kuvend Forca ka bërë ripërtëritjen e organeve udhëheqëse me struktura të reja, duke vënë në funksion pozicione të reja të strukturave partiake të cilat do të ndikojnë pozitivisht në avancimin dhe përfaqësimin  e partisë dhe të popullit të cilin e përfaqëson, duke aprovuar edhe Statutin dhe Programin e ri politik.

Momente të reja në ndryshimin e strukturës politike të Forcës është zgjedhja e Këshillit të ri qendror dhe zgjedhja e kryetarit të ri të partisë, ku në këtë funksion të rëndësishëm politik, pas udhëheqjes 16 vjeçare të Nazif Cungut, sot Kuvendi i Forcës ka zgjedhur liderin e ri, deputetin Genci Nimanbegun.

Zotëri Cungu në fjalimin e tij përshëndetës gjatë punës së Kuvendit, tha se Forca është themeluar me qëllime të sinqerta, si kombëtare, ashtu edhe qytetare, duke tentuar të mbrojë dinjitetin e secilit individ drejtë një jete më të mirë.  Zotëri Cungu në fjalimin e tij potencoi se Forca sot po bëhet edhe më e fortë. “Po forcojmë strukturat tona politike dhe po krijojmë bazë për fitoret e radhës, të cilat do të japin kontribut në sigurimin e paqes dhe stabilitetit për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme”, deklaroi Cungu. 

Kryetari i sapo zgjedhur dhe lideri i ardhshëm i Forcës, Genci Nimanbegu, në fjalimin e tij të parë në cilësinë e kryetarit, para delegatëve  tha se Kuvendi i IV-të zgjedhor i Forcës, është standard i ri demokratikë për subjektet shqiptare dhe dëshmon që ndryshimi i pozitave vjen natyrshëm, rrjedhshëm dhe si maturi politike dhe njerëzore.

“Shpresa është këtu fjala e ditës, duhet t’ia kthejmë shpresën njerëzve që shoqëria jonë do të jetë jo vetëm e barabartë me të tjerat sa i takon drejtave dhe shanseve këtu në Mal të zi por edhe më shumë se aq, shoqëri e dialogut, maturisë në marrjen e vendimeve dhe respektimit të principeve më të larta morale njerëzore dhe politike.

Si parti kombëtare, kemi nevojë që të rikthejmë shpresën tek shqiptarët se shqiptari është i pathyeshëm kudo që të jetë, se të jesh shqiptar është krenaria më e madhe, se të flasësh shqip është dashuria më e madhe dhe të rrisësh fëmijën si shqiptar është arritje e madhe. Prandaj, shqiptarët në Mal të Zi duhet të kuptojnë se problemet e tyre fitojnë zërin më të drejtë dhe më të mirë përçuar vetëm me Forcën e Re Demokratike si parti kombëtare.

Më përshkon një ndjenjë gëzimi kur kuptoj se e gjithë sakrifica ime, puna e pa ndalur, angazhimi i madh dhe çdo përpjekje e bërë është vënë re, është vlerësuar nga ana juaj dhe aq më shumë, ka bërë që sot ju të më nderoni me përgjegjësinë e re”, theksoi kryetari i sapoemëruar i Forcës, Genci Nimanbegu.

Me rifreskimin e kuadrove dhe mënyrën e re të funksionimit të partisë, duke shfrytëzuar përvojën e deritanishme, Forca do të vazhdojë me prioritetet programore dhe strategjike siç janë përfaqësimi autentik i shqiptarëve në Mal të Zi, zhvillimi ekonomik në komunat me shumicë shqiptare, reduktimi i dallimeve programore dhe bashkëpunimi më i mirë me subjektet  tjera politike shqiptare dhe subjektet tjera me strategji progresive demokratike nga vendi dhe jashtë, demokratizimi i shoqërisë dhe vazhdimi i të qenit partner i sigurt në rrugën drejt përmbushjes së kushteve për anëtarësim të plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, përfundon kumtesa për opinion e Forcës së Re Demokratike.

By admini