Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi 18 shtete, përfshir Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me anë të një deklarate të përbashkët, si më poshtë, dënuan këcënimet dhe sulmet e Rusisë ndaj gazetarëve në atë vend. Joint Statement on Media Freedom Coalition on Media Freedom in Russia – United States Department of State.  18 vendet në fjalë kanë shprehur “shqetësimin e tyre të thellë” ndaj atyre që i kanë cilësuar si “kërcënime dhe ngacmime në rritje”, të qeverisë ruse ndaj gazetarëve të pavarur edhe mediave tjera në atë vend.

Deklarata, e botuar nën emrin “Koalicioni për Liri të Mediave”, është nënshkruar nga Australia, Kanadaja, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Islanda, Letonia, Lituania, Holanda, Zelanda e Re, Sllovakia, Sllovenia, Ukraina dhe Maqedonia e Veriut.  Moska është akuzuar për shtypje të mediave të pavarura, grupeve të shoqërisë civile, aktivistëve dhe anëtarëve tjerë të shoqërisë, si dhe për përdorim të të ashtuquajtuarit ligj që shpallë gazetarët si “agjentë të huaj”.  Në deklaratë thuhet se “liria e mediave është shumë e rëndësishme për funksionimin e shoqërive të lira dhe të hapura dhe është thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive bazë”. Në deklaratën e nënshkruar nga 18 vende, përfshir Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënvijohet se autoritetet ruse kanë vazhduar në vitin 2021, “Që sistematikisht të arrestonin dhe të trajtonin shumë keq gazetarët, ndërsa ata po raportonin për protestat e organizuara në mbështetje të figurës së njohur të opozitës ruse, Z. Aleksei Navalny”, thuhet ndër të tjera, në deklaratën në fjalë, shpërndarë medias ndërkombëtare me 28 tetor, 2021. Në përmbyllje të deklaratës së 18 vendeve në fjalë theksohet fakti se, “Ndërsa janë shtuar shhqetësimet në lidhje me lirinë e fjalës dhe sigurinë e gazeztarëve në Rusi, ato shqetësime nuk janë të reja. Ne jemi në solidaritet me gazetarët rusë të cilët marrin mbi vete përgjegjësinë për ushtrimin e veptimtarive të tyre profesionale, ndërkohë që nderojmë kujtimin e atyre gazetarëve të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës”. Deklarata e 18-shteteve i bën thirrje Moskës që të zbatojë angazhimet dhe detyrimet ndërkombëtare dhe të “respektojë dhe të sigurojë lirinë e fjalës dhe sigurinë për gazetarët” në ushtrimin e lirë të detyrës së tyre, përfundon deklarata drejtuar Kremlinit, nënshkruar nga 18 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me të thenë të drejtën nuk u habita fort kur nuk pashë Shqipërinë si një prej vendeve nënshkruese të kësaj deklarate se Tirana zyrtare nuk na ka mësuar që ta shohim Shqipërinë “krah për krah” me vendet e demokratike – qoftë edhe me një nënshkrim të tillë — në mbrojtje të fjalës së lirisë dhe lirisë për tu mbledhur pa frikë ndëshkimi.  Më duhet të rrëfej se gjatë karierës time në Zërin e Amerikës, frazën, “liri e fjalës dhe liri e tubimit ose mbledhjes”, mund ta kem përdorur e shqiptuar në ushtrimin e punës time në radio me mijëra herë. Është një frazë që nuk harrohet kollaj, pasi mësova që në fillim, me të arritur në këtë vend të bekuar, gjysëm shekulli më parë – se nga të gjitha liritë që ofronte Amerika për një refugjat si unë,  nuk kishte asgjë më me rëndësi se e drejta e lirisë së fjalës dhe e medias si dhe liria për tu mbledhur në log të kuvendit, si të thuash, për të diskutuar lirisht problemet e ditës me të cilat përballet një shoqëri. Në Amandamentin e Parë të Kushtetutës amerikane kjo e drejtë sigurohet me fjalët se, “Kongresi nuk do të miratojë asnjë ligj që kufizon lirinë e fjalës ose të shtypit dhe as të drejtën e njerëzve që të mblidhen në mënyrë paqësore…”, për të debatuar hallet dhe ankesat e tyre.

Deshta ta lidhë disi deklaratën e javës që kaloi të 18-shteteve — përfshir Shtetet e Bashkuara — në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të medias për gazetarët rusë, përballë kërcënimeve të Kremlinit, me një fenomen të aktualitetit të këtyre ditëve në Shqipëri, atë të “foltoreve”, të ish-Kryeministrit të vendit, Dr. Sali Berishës dhe reagimeve ndaj tyre. Vej re se jo vetëm politika shqiptare – si pozita ashtu edhe opozita — kundërshtojnë mbajtjen e “foltoreve” nga Z. Berisha anë e mbanë vendit, por ka edhe shumë organizata mediatike dhe gazetarë “të pavarur” që kritikojnë, kundërshtojnë dhe sulmojnë Dr. Berishën dhe prëkrahsit e tij për mbajtjen e këtyre takimeve, me pjesëmarrës që ai i konsideron si baza e Partisë Demokratike.  Për më tepër, sipas disa lajmeve të përhapura në Tiranë, ditët e fundit, mësova me shqetësimin më të madh, sikur një ambasadë perëndimore u ka bërë thirrje disa televizioneve kryesore të Shqipërisë që të mos mbulojnë zhvillimin e “foltoreve” të Dr. Sali Berishës.

Pa ditur se çfarë mund të jetë thenë me atë rast dhe cilat mund të kenë qenë rrrethanat e një “urdhëri” të tillë, nuk dua të akuzojë askënd, por më duket disi si e pa precedencë që një përfaqësi diplomatike të bëjë një gjë të tillë, sidomos nga një ambasadë perendimore që duhet të mbroj lirinë e shtypit si një vlerë dhe e drejtë pa të cilën demokracia është e pamundur.  Nëqoftse kjo është e vërtetë, se një diplomat/e e huaj ka inkurajuar ose edhe më keq ka “urdhëruar” televizionet shqiptare të mos mbulojnë “foltoret” e Dr. Berishës — një ndërhyrje e tillë përbën një shkelje të rëndë dhe flagrante, jo vetëm të rregullave të diplomacisë, por edhe një shkelje të rëndë të lirisë së medias dhe fjalës së lirë në Shqipëri dhe të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, për të mos thenë asgjë për ligjet vendore dhe ligjet e shtetit nga vijnë diplomatët.

Unë nuk kam asnjë fakt në dorë që të them me siguri se Dr. Sali Berisha është fajtor ose jo për akuzat e Departamentit të Shtetit dhe për deklarimin e tij “persona non grata”, kështuqë do të rezervoj gjykimin tim në lidhje me këtë çeshtje derisa të kam në dorë disa fakte — pasi nuk jam as hetues, as gjykatës as prokuror, e as avokat. Sot për sot, kemi këtë dokument Public Designation of Albanian Sali Berisha Due to Involvement in Significant Corruption – United States Department of State, i lëshuar bazuar në raportin publik, dërguar Kongresit  nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) për vitin 2021 — Public Listing, Fiscal Year 2021 – United States Department of State.

Ndryshe nga kundërshtarët e tij politikë dhe megjithë akuzat nga DASH, unë besoj në të drejtën e lirisë së fjalës edhe për Sali Berishën ashtu si dhe për çdo shqiptar tjetër, si edhe në të drejtën e tij për të mbajtur “foltoret”, si një mjet për të folur lirisht në mbrojtje të vetes së tij dhe për të pasqyruar ankesat që ka ai dhe mbështesit e tij me partinë e tyre dhe me udhëheqjen e saj.  Ata gazetarë, politikanë e madje qofshin ata edhe diplomatë huaj, janë gabim që ngulin këmbë në censurimin e Sali Berishës duke i bërë thirrje medias që të mos mbulohen “foltoret” e tija.  Unë për vete, siç ka thenë Voltaire, mund të mos jem dakort për shumë gjëra me Sali Berishën, me Edi Ramën ose Lulzim Bashën dhe me shumë politikanë shqiptarë, por ama nuk do t’ua mohoj kurrë të drejtën e tyre të fjalës së lirë, lirinë të thonë atë që mendojnë e dëshirojnë dhe të ushtrojnë këtë të drejtë qoftë edhe në një vend publik, siç janë “foltoret”, mitingjet. 

Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojmë të drejtën e mbledhjeve ose mitingjeve politike, qofshin ato edhe protesta paqësore — nganjëherë edhe jo aq paqësore — si gur-themeli i lirisë dhe i demokracisë së shoqërisë sonë, megjithëse jo e përsosur, si diçka të shenjtë që duhet të ruhet e të mbrohet me çdo kusht dhe për çdo person pa dallim. Prandaj, për derisa këto tubime të “foltoreve” në Shqipëri janë paqësore, as politikanët e pozitës e të opozitës, as gazetarët të cilët duhej të ishin të parët të mbronin të drejtën e lirisë së fjalës për të gjithë, përfshir diplomatët e huaj, nëqoftse besojnë në lirinë e fjalës – nuk duhet të sulmojnë e të kritikojnë, sidomos të drejtën e pjesëmarrësve në ato foltore të organizuara nga Sali Berisha. Shqiptarë janë edhe ata, ndonëse mund të mendojnë ndryshe, por me të drejta e liri të barabarta me ju, bazuar në ligjet e vendit dhe në marrëveshjet ndërkombëtare, në mbrojtje të drejtave bazë të njeriut, sidomos të drejtën e lirisë së fjalës. Të gjithë i njohim shpenzimet e miliona dollarëve gjatë tre dekadave të fundit nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian për trajnim të gazetarëve shqiptarë. Poshtërimi i pjesëmarrësve shqiptarë në ato foltore, nga disa përfaqsues të medias si dhe nga politikanët e ditës, nuk u bën ju aspak më të mirë se ata shqiptarë të foltoreve të cilët në ato takime po shprehin zemërimin dhe shqetësimet e tyre për hallet e jetës me të cilat ata, si shumica e shqiptarëve, përballen çdo ditë.  Në vend që të talleni me ta, siç po bëni tani, do të ishte më njerëzore të dëgjonit se çfarë thonë dhe për çfarë ankohen ata dhe të raportoni problemet e tyre, pa marrë parsysh se ç’mendoni ju për Sali Berishën. Të pakën, ju gazetarë e analistë dhe ente të medias shqiptare, të pakën ju, duhet ta mbroni lirinë e fjalës për të gjithë pa dallim – nëqoftse vërtetë e quani vetën pjesëtarë të profesionit të gazetarisë. Është turp dhe fatzi fakti që një shumicë e gazetarëve shqiptarë janë bërë pjesë e proceseve të montuara politike.

Deklarata e sipër përmendur e 18 shteteve – përfshir Shtetet e Bashkuara — në mbrojtje të lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës në Rusi –i bën thirrje qeverisë ruse — por ajo vlen edhe për Shqipërinë, megjithëse Tirana zyrtare nuk ka gjetur guximin ta nënshkruaj siç bënë disa shtete evropiane, “që t’i japë fund shtypjes së zërave të pavarur dhe proceseve të motivuara politikisht kundër gazetarëve dhe organizatave mediatike.”

Duke kritikuar të drejtën e “foltoreve” të Sali Berishës, ose pjesëmarrjen e kujto qoftë tjetër në ato mitingje, kritikët e të gjitha ngjyrave, po i mohojnë vet-vetes lirinë e fjalës dhe nuk i bën ata më të mirë se ai dhe as më të pranueshëm dhe më të mirë se pjesëmarrësit e thjeshtë në ato foltore. Ata nuk janë as politikanë të privilegjuar si Sali Berisha, Edi Rama e Lulzim Basha, por janë shqiptarë të thjeshtë të cilëve u ka ardhë shpirti në hundë nga problemet e krijuara nga politika e dështuar shqiptare e këtyre tre dekadave. Ata thjeshtë, po ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe natyrale, falë nga Perëndia gjithë neve, për të jetuar të lirë, për tu shprehur lirisht, si individë dhe si shoqëri, qoftë edhe si pjesëmarrës në “foltore” të tilla. Liria për tu mbledhur, (Freedom of speech and assembly) qoftë edhe në një “foltore” si kjo njihet, ndërkombëtarisht, si e drejtë e njeriut, e drejtë politike dhe e drejtë civile!  Kushdo qofshi ju kritikë, mos abuzoni me liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, sidomos me lirinë e fjalës dhe të drejtën për të marrë pjesë në mitingje dhe për të shprehur lirisht mendimet, pa frikë ndëshkimi, qoftë nga partia që I përkasin, qoftë nga autoritetet qeveritare!

By admini