Portret i intelektualit Simë Dobreci – Pinjolli atdhedashës i Gjon Buzukut

Prof. dr. Hajrullah Koliqi

Lexoj revistën “Buzuku” dhe menjëherë “fluturoj” në: Shestan, Brisk dhe në fshatra të tjera të Krajës, në Ulqin, Tivar, Shkodër…Udhëtoj në kohë, në shekuj. Kujtoj dhe bashkëjetoj me: zanat e Rumisë, baladat, këngët, vallet, historinë, krajatat, me fate njerëzish të Nënrumisë, me gjuhën arbërishte, me Gjon Buzukun… Atje edhe drurët dhe gurët sikur rrëfejnë diçka. Zërat e tyre gjëmojnë qysh prej shekujsh që ikën. Futem thellë në rrënjët e të parëve të mi, në Krajën e Shkodrës, në këtë rezervat vlerash të mëdha shpirtërore, të cilat sot janë në rrezik nga “dhëmbi” i kohës, nga injoranca dhe tjetërsimi i njerëzve, nga vështirësitë e jetës, ashtu siç ishte në rrezik shpirti dhe ideali i Buzukut në shek. XVI.

Shestani, Ljarja dhe fshatrat tjerë të Anës së Sipërme të Krajës u boshatisën, u tjetërsua identiteti etnik i shumë bijëve dhe bijave tyre. Frikshëm dhe me shpejtësi u zvogëlua dhe po zvogëlohet edhe numri i banorëve të Anës së Poshtme. Por, edhe në këto rrethana, ka njerëz të këtyre anëve që përpiqen t’i ruajnë vlerat dhe shpirtin e brezave të shkuar, ta ruajnë idealin e shqiptarizmës, nëpërmjet të ndriçimit dhe afirmimit të vlarave dhe modelit frymëzues të të parëve. Atë e mbajnë të gjallë pinjollët e tij, ndër të cilët shquhet intelektuali dhe shkencëtari atdhetar me rrënjë nga Dobreci (Ljare) i kontëve të Junkajve, prof. dr. Simë Dobreci.

Simë Dobreci (lindur më 1934, në Braticë të Ulqinit), mjek i shquar dhe i nderuar në Tivar, Ulqin dhe në Prishtinë, doktor i shkencave të mjekësisë, profesor universiteti, autor tekstesh universitare dhe studimesh shkencore- profesionale, tani i pensionuar, sikur të kujton Gjon Buzukun, idealin dhe përpjekjet e tij. Ndoshta edhe rrënjët i kanë të përbashkëta Në këto anë, Doktor Sima është një majemali e lartë, e bardhë si bora e Rumisë. Trashëgoi dhe kultivoi, gjatë gjithë jetës, dashuri të veçantë për vendin dhe për kombin e vet. Emrin e ka Shqiptar, mbiemrin Njeri. Është shqiptar i mirëfilltë dhe altruist i madh, gjithnjë në shërbim të njerëzve, pa asnjë dallim. Është fisnik dhe zemërbardhë. Nuk e ndanë fjalën nga vepra.

Por, Doktor Simës i dhemb shpirti i tij prej atdhetari, i dhemb shpirti për fatin e trevave stërgjyshore, për gjakun dhe gjymtyrët e shprishura të bijve dhe bijave të Nënrumisë. Megjithatë, ashtu si Buzuku shekuj më parë, ai nuk pajtohet me këtë gjendje, me përshkrimin dhe me “vajtimin” e saj. Simë Dobreci është krenar për të parët e tij dhe ka shpresa për të ardhmen. Ka kohë që përpiqet të bëjë diçka me vlerë për brezat e kaluar, për brezin tonë dhe për brezat që do vijnë. Ndonëse me një peshë moshe mbi supe, Doktor Sima, pa ndjer lodhje dhe pa përfilluar asnjë pengesë, ashtu si rilindës i vërtetë, qëmtoi dhe qëmton me akribi dhe me përkushtim për admirim vlera, fakte, ngjarje, personalitete…, sidomos nga e kaluara e Anëssë Sipërme. I evidentoi ato me besnikëri e me korrektesë metodologjike dhe i publikoi në revistën “Buzuku”, në gjuhën e burimit të tyre. Kur lexon njeriu materialet e tilla të kësaj reviste, natyrshëm të duket sikur je duke biseduar me Gjon Buzukun, apo me tezën Tone! Të gjitha ato i shoqëroi dhe diokumentoi me të dhëna të nevojshme për burimet e tyre përkatëse. Doktor Sima, i mbështetur nga bashkëshortja e tij fisnike, zonja Lule, dhe me ndihmën e vullnetmirëve të tjerë, përpiqet me të gjitha forcat dhe me mundësitë që ka në dispozicion të shpëtojë atë që mund të shpëtohet nga pluhuri i harresës, të ringjallë atë që mund të ringjallet. Shumë nga përmbajtjet dhe ilustrimet e kësaj reviste të kujtojnë Krajën, sidomos Shestanin dhe shestanasit e hershëm, të shquar për vlera e vërtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, pasardhësit e të cilëve, dheut dhe varreve të të parëve, fatkeqësisht, u lanë lamtumirën. O Zot, Shestani-pa shestanas! Kanë marrë botën në sy!

Koleksioni i 38 numrave të revistës “Buzuku”, të botuar deri sot, është një burim shumë i çmuar, jo vetëm për kujtesën atërore dhe kombëtare, por edhe për studuesit e gjuhës, historisë, etnografisë, folklorit etj., si të këtyre anëve, ashtu edhe në shkallë kombëtare. Koleksioni i revistës “Buzuku” është një “përmendore” e të parëve, por edhe një “arkivë” shumë e çmuar, njëkohësisht.

Doktor Sima është pjesëmarrës aktiv edhe në aktivitete të tjera shoqërore, shkencore dhe kulturore, që lidhen me Shestanin, Krajën, Anën e Malit, Ulqinin, Tivarin etj., me të tashmen dhe me të kaluarën e tyre. I vogël me trup, por i madh me shpirt dhe me vepër, Simë Dobreci, ky pinjoll dinjitoz i Gjon Buzukut dhe i të parëve të tij, është model për t’u ndjekur nga intelektualët dhe veprimtarët tjerë të këtyre trevave të Arbërisë etnike dhe më gjerë. Personaliteti dhe vepra e prof. dr. Simë Dobrecit të bëjnë të mendosh se këto treva, në të gjitha kohërat, kanë patur dhe do të kenë bijë dhe bija që e duan dhe punojnë për mëmetin, gjuhën, kulturën dhe Atdheun e vet. Ndonëse, shpesh eremitë, ata janë njerëz me dinjitet dhe me integritet shembullor, ashtu siç është edhe prof. dr. Simë Dobreci.

Temë nga projekti “”Ruaj dhe zhvillo identitetin kombëtar duke shkruar, lexuar dhe folur shqip’’ –  Informimi në gjuhën shqipe i shqiptareve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2021”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini