Akademik Mehmet Kraja do të jetë në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës edhe për katër vjetët e ardhshëm. Është rizgjedhur në këtë pozitë enjten, pa kundërkandidat. Akademikja Justina Shiroka – Pula është zgjedhur nënkryetare, përderisa sekretar shkencor, anëtari korrespondent Luan Mulliqi. Kundërkandidat i Mulliqit ishte anëtari korrespondent, Bardh Rugova.
Kësaj radhe zgjedhjet janë mbajtur në afat të rregullt ligjor dhe mandati i kryesisë është katërvjeçar. Paraprakisht Mehmet Kraja kishte marrë këtë pozitë më 3 tetor 2019. Asokohe organet e Akademisë kishin nxjerrë vendim se akademik Nexhat Daci nuk mund të vazhdonte të mbajë pozitën e kryetarit, pasi kishte mbushur 75 vjet. Më pas Akademia nuk ia doli ta zgjedhë kryetarin në një garë midis Krajës dhe Anton Berishajt. Por në tentimin tjetër, Kraja kishte prirë bindshëm me vota në raport me Isuf Krasniqin. Por kësaj radhe, Kraja nuk e kishte vështirë pasi katër seksionet e kishin propozuar atë për kryetar.
Sipas njoftimit të AShAK-ut, akademik Sabri Hamiti është zgjedhur sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, anëtarja korrespondente Gjyljeta Mushkolaj, Sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, anëtari korrespondent Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, kurse akademik Rauf Dhomi, u caktua ushtrues i detyrës së sekretarit të Seksionit të Arteve.
Siç ka marrë vesh KOHA, seksionet kanë qenë të kënaqura me udhëheqjen e Mehmet Krajës dhe që të gjitha e kanë propozuar atë për kryetar.
Kraja ka lindur më 27 qershor 1952 në Kështenjë të Krajës, fshat afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Shkollimin e mesëm e kreu në Ulqin, ndërsa të lartin në Universitetin e Prishtinës, Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Gjatë viteve 1974-76 ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, “Bota e re”, më pas punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja”, ku botoi tekste të shumta publicistike për çështje të ndryshme nga problematika kulturore dhe recensa e shkrime diskursive për letërsinë. Siç shkruhet në biografinë e tij, në uebfaqen e ASHAK-ut, në fund të viteve tetëdhjetë u inkuadrua në lëvizjet politike të kohës, duke u bërë njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë viteve 1992-99 jetoi dhe punoi në Tiranë. Në atë kohë e pushoi angazhimin politik dhe iu përkushtua letërsisë dhe publicistikës. Pas luftës së Kosovës ishte redaktor i kulturës në të për ditshmen “Zëri”, më pas redaktor i shtojcës për kulturë në gazetën “Koha Ditore”. Është autor i disa romaneve, si “Gjurmë në trotuar”, “Portali i perëndive të fyera”, “Sëmundja e ëndrrave”, “Muri i mjegullës”, “Sëmundja e ëndrrave” “Edhe të çmendurit fluturojnë”, “E zeza dhe e kuqja” etj.; vëllimeve me tregime si “Dritat e mesnatës”, “Portat e qiellit”, “Hija e qershisë nën dritën e hënës”, “Njëzet tregime për kohën e shkuar” etj.; dramave “Krishti qëndroi tri ditë në Kosovë”, “Im atë donte Adolfin”, “Hëna prej letre”, “Grafitet” etj., dhe disa librave nga fusha e publicistikës si “Shoqërime”, “Vite të humbura”, “E shtuna ime” etj. Kraja po ashtu është fitues i disa çmimeve si: Çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Moti i Madh”, 1981); Çmimi “Hivzi Sulejmani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për prozën më të mirë (për përmbledhjen e tregimeve “Vdekja pa emër”, 1995); Çmimi i shtëpisë botuese “Toena” për prozën më të mirë nga pesëqind titujt e botuar (për romanin “Muri i mjegullës”, 1998); Çmimi “Pjetër Bogdani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për përmbledhjen “Njëzet tregime për kohën e shkuar”, 2001); Çmimi “Azem Shkreli” të Ministrisë së Kulturës së Kosovës për veprën më të mirë (për romanin ”Edhe të çmendurit fluturojnë”, 2004) e të tjerë.
/Koha Net/