Gazetarja dhe publicistja e dalluar prishtinase, autorja motivuese e shumë brezave, Sanije Gashi, sjell librin unik, i cili përfaqëson fuqizimin e gruas, ‘Zonjat intelektuale që lanë gjurmë në kulturën shqiptare’. Libri u dedikohet grave të shquara, që, me punën e tyre vetëmohuese, me inteligjencën krijuese dhe me pasurinë njerëzore, bënë emër në profesionet e tyre, duke lënë gjurmë me vlerë të paperëndueshme. Është ky një libër i fuqishëm, i shkruar me shumë përkushtim, i cili shpalos udhëtimet e protagonisteve, përmes rrëfimeve historike të zonjave, të cilat kishin guximin të sillnin ndryshime në shoqëri.
OPINIONE PËR LIBRIN
“Libër i përgatitur me aq kujdes e me aq profesionalizëm, si në përzgjedhjen e figurave, si në përmbajtjen, si në formën brenda e jashtë tij. Shkurt, libër me dinjitet përmbajtjesor e me dinjitet artistik, grash të zonja, secila në fushën e vet, zonja me integritet njerëzor e profesional. Më e rëndësishmja – përfaqësojnë mbarë hapësirën tonë kombëtare!” – Dr. Shefkije Islamaj
“Libër me vlerë enciklopedike, vepër e rallë!” – Dr. Fadil Grajçevci
“Autorja, grua e veçantë dhe vërtet e jashtëzakonshme, që nuk reshti së ngrituri lart gruan shqiptare, duke dhënë një kontribut të çmuar e të padiskutueshëm në historikun e ecurisë së saj në përpjekjet e vullnetin e pashoq për të kontribuuar në kulturën, por edhe më gjerë në shoqërinë shqiptare andej e këtej kufirit. Na ka bërë të pavdekshme! Sinqerisht, i përulem me respekt për këtë vullnet titanik e përpjekje në vijueshmëri që bën për të lartësuar figurën e grave!” – Kozeta Mamaqi, gazetare
TEUTA Botimet
Prishtine