Me iniciativë të Sekretarit të Përgjithshëm të Unionit të Sindikatave të pavarura të Malit të Zi, z. Srgja Kekoviq, në selinë e Forcës së Re Demokratike në Ulqin, është zhvilluar takimi me deputetin e Listës Shqiptare, z. Genci Nimanbegu. Në takim morën pjesë edhe znj.Ivana Mihajlloviq, zëvendës-sekretare e përgjithshme dhe z. Asllan Zeneli udhëheqësi i zyres në komunën e Ulqinit.
Temë e takimit ishte iniciativa për aprovimin e Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për fondin e punës dhe iniciativa për aprovimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për falimentimin.
Iniciativat iu dorëzuan deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi dhe USPMZ prezantoi arsyet dhe domosdoshmërinë e saj.
Po ashtu është diskutuar edhe për pozitat dhe problemet e punëtorëve në ndërmarrjet në falimentim në Mal të Zi, e veçanërisht në komunën e Ulqinit. Dialogu që USPMZ zhvillon me përfaqësuesit e popullit është mënyra e duhur për të përfaqësuar interesat e punëtorëve dhe qytetarëve në përgjithësi në Malin e Zi.