Forca e Re Demokratike, të shtunën me 30 tetor 2021 do të mbajë Kuvendin e IV-të zgjedhor. Kuvendi do të mbahet në Ulqin, në hotelin Mediteran.
Në këtë kuvend Forca do të bëjë ripërtërirjen e organeve udhëheqëse me struktura të reja, duke vënë në funksion pozicione të reja të strukturave partiake të cilat do të ndikojnë pozitivisht në avancimin dhe përfaqësimin e partisë dhe të popullit të cilin e përfaqëson, mësohet nga një kumtesë për opinion e Forcës, transmeton Ulqini Online.
Përveç formimit dhe ristrukturimit të organeve udhëheqëse, Kuvendi do të shqyrtojë dhe aprovojë Statutin e ri dhe Programin e ri politik.
Parashihet që të ndryshojë edhe struktura partiake me zgjedhjen e Kryetarit të Partisë dhe të Këshillit Qëndror. Organi i ri parasheh edhe vendin e Sekretarit të përgjithshëm i cili do të ketë kompetenca politike dhe ekzekutive.
Një ndër organet e reja është edhe Këshilli politik. Në këtë Këshillë do të inkuadrohen anëtarët me përvojë politike por edhe personat që nuk janë anëtarë të partisë me kredibilitet profesional. Ky këshillë duhet të jetë një tryezë e këshillimit të Kryesisë apo Këshillit Qëndrorë për çështje të ndryshme politike dhe zhvillimore.
Me rifreskimin e kuadrove dhe mënyrën e re të funksionimit të partisë, duke shfrytëzuar përvojën e deritanishme, do të vazhdojë me prioritetet e strategjisë së FORCA-s të cilat do të jenë përfaqësimi autentik i shqiptarëve në Mal të Zi, zhvillimi ekonomik në komunat me shumicë shqiptare, reduktimi i dallimeve programore dhe bashkëpunimi më i mirë me subjektet tjera politike shqiptare dhe subjektet tjera me strategji progresive demokratike nga vendi dhe jashtë, demokratizimi i shoqërisë dhe vazhdimi i të qenit partner i sigurt në rrugën drejt përmbushjes së kushteve për anëtarësim të plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Këshilli Qëndror i Forcës në mbledhjen e fundit ka aprovuar kandidaturën e Genci Nimanbegut për Kryetar të partisë. Gjatë organizimit të kuvendit është dakorduar që të formohet edhe Kryesia e re me emrimin e nënkryetarëve të rinj dhe Sekretarit Gjeneral.