Nga Ismet Kallaba
Në vitin 1995, në kohën e luftërave ndëretnike në ish-Jugosllavi, kur shqiptarëve u rrezikohej edhe qenia fizike në trevat e tyre, për çdo lloj sipërmarrjeje ose duhej të ishe “i çmendur”, ose “trim i marrë”, siç thuhet në Ulqin.
Nisma për hapjen e Shkollës së Muzikës filloi si një ëndërr dhe pasion, e pa dëshirë dhe vullnet të mirë nuk bëhet asgjë. Me siguri që janë shumë persona që kanë kontribuar në realizimin e kësaj ideje, sa fisnike aq edhe largpamëse, por dua të veçoj themeluesin dhe drejtorin e kësaj shkolle, Jusuf Likën, pa kontributin e të cilit kjo shkollë mbase nuk do të kishte ekzistuar, ose edhe nëse do të kishte qenë, nuk do të ishte ajo që është sot.
Në rrugëtimin e deritashëm, sidomos në fillimet e saj, Shkolla e Muzikës ka kaluar nëpër shumë peripeci – që nga mungesa e personelit profesionist dhe e mjedisit të përshtatshëm, përpjekjet e institucionalizimit dhe përfshirjes në sistemin arsimor etj. Ka filluar si paralele e Shkollës së Muzikës në Tivar, për të fituar në vitin 2001 statusin e institucionit të pavarur publik për arsimimin fillor muzikor, të cilin e gëzon sot. Nuk ka qenë e lehtë, po ashtu, të thyhen tabutë dhe veshi me muzikë klasike në një vend të mësuar tradicionalisht me këngën dhe muzikën folklorike.
Si gazetar kam përcjellur nga afër punën dhe rritjen e Shkollës së Muzikës nga viti në vit. Në një vend pa traditë të muzikës klasike, puna e Shkollës së Muzikës mund të krahasohet, kuptohet në një kontekst krejt tjetër, me luftën për zhdukjen e analfabetizmit. Me qindra e mijëra fëmijë (nxënës) kanë bërë në këtë shkollë hapat e tyre të parë të edukimit muzikor, duke nxitur tek ata talentet e fjetura dhe dashurinë për muzikën klasike. Disa prej tyre kanë vijuar më pas shkollimin e mesëm dhe studimet për muzikë, herë-herë të shtyrë edhe me zor prej pedagogëve të tyre, të cilëve u është dashur t’ua mbushin mendjen prindërve konservatorë që të heqin dorë nga ideja se muzika dhe diploma e muzikës “nuk pin ujë” në Ulqin. Një pjesë e tyre sot punojnë vetë pedagogë në këtë shkollë dhe edukojnë brezat e rinj me përvojat e tyre muzikore, të përfituara nga shkollimi dhe specializimi në universitete të ndryshme rajonale dhe evropiane. Krijimi i personelit akademik vendas përbën një sukses tjetër të Shkollës së Muzikës, po aq sa edhe kulturimi muzikor i popullatës, duke ndikuar që me qindra e mijëra vegla të ndryshme muzikore të gjenden sot nëpër shtëpitë e Ulqinit.
Nxënësit e Shkollës së Muzikës kanë marrë pjesë rregullisht dhe fituar shumë çmime në garat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfaqësuar me dinjitet jo vetëm shkollën e tyre, por edhe qytetin e Ulqinit. Ata bashkë me pedagogët e tyre janë po ashtu pjesëmarrës në shumë aktivitete kulturore që mbahen në Ulqin dhe më gjerë.
Neve na pëlqen të themi se Ulqini është qytet i kulturës, por të thuash se je qytet i kulturës, pa institucione muzikore, sikur e gënjen veten. Por a e keni pyetur ndonjëherë veten se si do të ishte sot kultura e Ulqinit pa Shkollën e Muzikës?
Vetë Shkolla e Muzikës është bërë qendër e rëndësishme e jetës muzikore dhe kulturore, ku përpos koncerteve të rregullta vjetore që promovojnë të arriturat dhe sukseset e saj, në sallën e koncerteve shfaqen edhe koncerte apo organizohen edhe aktivitete të tjera kulturore. Shkolla e Muzikës është bërë edhe shtëpi e përbashkët e muzikantëve të Ulqinit dhe jo vetëm, ku të gjithë e kanë derën hapur.
Shkolla e Muzikës ka ndikuar edhe në jetën kulturore të qytetit. Ajo frymëzoi dhe nxiti edhe disa manifestime muzikore, tashmë tradicionale, siç janë: Festivali i Këngës për Fëmijë, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Klasike “Belcanto Dolcionio”, Sezoni koncertor “Vivo” etj.
Në tri dekadat e fundit, prej ndryshimit të sistemit politik, koha sikur ka mbetur në Ulqin, sepse, pak gjë, për të mos thënë hiçgjë e mirë nuk është bërë në Ulqin, në aspektin e arsimit institucional. E nëse ka ndodhur diçka e mirë, atëherë kjo pa dyshim është Shkolla e Muzikës.
Me traditën prej një çerekshekulli, me stadin e pjekurisë ku ndodhet sot, me organizimin e saj model, Shkolla për Arsimin Fillor të Muzikës në Ulqin dëshmon se është një instucion serioz dhe përbën një ndër institucionet muzikore më prestigjoze në tërë Malin e Zi. Ajo e ka rreshtuar Ulqinin në familjen e madhe të qyteteve të kulturës me institucione muzikore të konsoliduara.
Shkolla e Muzikës përbën një pasuri dhe vlerë të Ulqinit. Përvoja na mëson se të ruash dhe të vazhdosh diçka është më e vështirë sesa ta krijosh. Prandaj duhet të bëjmë çmos jo vetëm që ta ruajmë, por edhe ta avancojmë, sepse Shkolla e Muzikës është krenaria dhe nderi i Ulqinit.
Për vendet me traditë në fushën e muzikës klasike 25 vite nuk janë shumë, por për Shkollën e Muzikës dhe Ulqinin ky është një jubile i rëndësishëm. Prandaj urime 25-vjetorin, me dëshirën që Shkolla e Muzikës të shënojë në të ardhmen suksese edhe më të mëdha dhe të kremtojë edhe shumë përvjetorë të tjerë. /KohaJavore/