Nga Sami Flamuri
Platforma shkëmbore e Kalasë së Ulqinit gjendet në lartësinë mbidetare 35 metra. Shkrepi që mbart qytetin shtyhet nga toka në det, në formën e gjethit të rrapit, me një mori shkëmbinjsh që zhyten ngathët në ujë.
Ulqinin nuk e përmendë asnjë burim grek. Së pari, ai shfaqet në burimet shkresore, në vitin 167 p.e.s., në një fragment të Tit Livit. Sipas tij, menjëherë pas mbarimit të luftës së tretë Iliro-Romake, pretori “L(ucius) Anicius, në krye të qyteteve strategjike (urbibus opportunis) (Olcinio) caktoi konsullin C(ainus) Licinium…”
Më tej, Ulqinin e përmendë natyralisti Plin dhe gjeografi Ptolome. Sipas Plinit (70-75 e.s.), Olciniumi përpara quhej Kolhin (Colchinium), pasi ishte ndërtuar nga kolkidasit.
Tani po e përshkruajmë kështjellën, që të mbërrijmë deri te dita kur edhe muret e saj u shembën te bedemi i “Fushës së Topave”.
Në vitin 1664, kur ajo funksiononte si mekanizëm ushtarak, e sjell udhëpërshkruesi i mirënjohur osman Evlija Çelebiu. Shkurt dhe ngjeshur, ai bën të ditur: “Fortesa trëndafili (Ülgün) ndodhet në skajin e largët (të Perandorisë). Fortesa e ndërtuar prej gurëve të latuar ka formë gjashtëkëndëshi… Ajo është e mirëmbajtur dhe e pajisur me kulla, mure mbrojtëse, bedena, frëngji dhe hendeqe, e plotësuar me tërë gjërat e duhura”.
Ulqini ishte qyteti i fundit shqiptar i pushtuar nga osmanët, në vitin 1571.
Shembja e murit në Fushën e Topave ndoshta do të ndikojë më në fund tek ata që duhet dhe e kanë për detyrë të angazhohen për revitalizimin e Kalasë së Ulqinit. Hapi i parë duhet të jetë zgjidhja e çështjes së objektit, i cili ka devastuar pjesën më të bukur të Kalasë sonë.
Simbolikë e kohës dhe e njerëzve… “Ato mure u rezistuan sulmeve me topa dhe tërmeteve të shekujve me radhë… Por nuk i rezistuan heshtjes sonë në këtë sulm që iu bë Kalasë përbrenda. Dhe vazhdon t’i bëhet. Modus vivendi i qytetit ka vite që është maksima: ‘më mirë doli ai që s’foli’. Dhe ky koncept i mbrapshtë po e shkatërron një nga një bërthamën e këtij qyteti. Filloi me hotele, vazhdoi me Kripore dhe normal mbërriti edhe në Kala”. (huazuar nga miku im Mentor Llunji). /KohaJavore/