Ilustrim

Nga Gladiola JORBUS

E fillova duke cituar Jorge Luis Borges; romancierin, përkthyesin, poetin dhe eseistin e famshëm argjentinas. Është e ditur dhe e stërditur se gazetari duhet të merret me zbulimin, analizimin dhe përshkrimin e lajmit. Boshti i gazetarisë përbëhet nga fjalia ose titulli bombastik, ndaj secila syresh duhet konsideruar si fjalia më e rëndësishme e jetës, dhe kështu me radhë, kjo vlen dhe për fjalitë e tjera vijuese. Përgjegjësia e së zezës mbi të bardhë duhet të jetë e plotë. Dhe këtu nuk është fjala, vetëm për përgjegjësinë ligjore.
Fjalët kanë një drejtshkrim dhe një kuptim që duhet respektuar. Nuk përbën “sakrilegj” nëse gazetari, herë pas here i drejtohet fjalorit të gjuhës shqipe. Përkundrazi !
Gazetarët apo zëdhënësit e lajmit, sot më shumë se kurrë po luajnë rolin e shpërndarësve të informacionit, pa marrë mundimin ta selektojnë apo ta vërtetojnë atë. Rendin kush e kush të impresionojë më parë. Ann Friedman, gazetarja dhe publikuesja e mirënjohur amerikane shprehet se “Ta bësh më mirë” është “Më mirë, se sa ta bësh më parë”. Por jo të gjithë e kuptojnë kështu!
Histeria e ankthi për të shkaktuar sensacion deduktojnë në zero integritet, zero intelekt, zero korrektësi, zero profesionalizëm. Atëherë, zero gazetari?! Jo, nuk dua të tregohem skeptike, as nihiliste. Sigurisht që ekziston ndonjëri/a që e ka lexuar Kodin e Mediave të Shkruara dhe përpiqet ta respektojë. Të paktën!
Nëse i referohem gazetarisë në botë, vërtet që numërohen shumë reporterë të apasionuar dhe kurajozë të cilët pasqyrojnë nga afër luftërat civile, protestat masive etj. Ata cilësohen si vlera dhe shembuj integriteti, janë simbol i dashurisë, autoritetit dhe sakrificës për hir të profesionit. Anembanë globit kanë ngjallur respekt e admirim të madh. Plotësisht të merituar!
Përpos përcjelljes së lajmit, gazetari duhet të ketë si qëllim në vetvete, përmirësimin e shoqërisë, emancipimin e saj. Nëse artikujt e tij janë seriozë dhe të shkruar bukur e me nerv, do t’i mbijetojnë konsumit mediatik. Pavarësisht se rëndom gazetarët mendojnë se në treg reziston vetëm skandali. Por, nëse ky i fundit qëndron gjatë mes nesh, rrezikon të shndërrohet në një kancer vrastar për mirëqenien shpirtërore e psikologjike të lexuesve.
Shpeshherë, gazetarët harrojnë se profesioni i tyre është një mision fisnik në kërkim të së vërtetës. Përveç se nuk ngurrojnë të shfaqen plot mangësi në artikulim, sintaksë, gramatikë, kulturë, ekonomi, histori, sport etj., ata kanë harruar se padrejtësitë duhet t’i luftojnë, dhe jo t’i krijojnë për të përligjur dështimet profesionale.
Pashmangshmërisht, shkëmbimi i informacionit gjeneron vazhdimisht mendime. Por argumenti i vetëm mbetet një: lajmi duhet trajtuar si gazetar; as si gjykatës, as si moralist, as si predikues. Duhet të përmbushësh me devocion detyrën, të respektosh kodin e etikës e mbi të gjitha të verifikosh burimet. Teksa botohen gazeta e revista, ndahen postime e foto në facebook, tëitter, instagram bëhet gjithnjë e më shumë thelbësore, përgjegjësia për fjalët. Nuk është ide e mirë të disinformosh, të spekullosh apo të mashtrosh për të fituar interesin publik, ose për të shitur lajmin.
Gazetari duhet të jetë objektiv, koherent, pse jo dhe ironik, nëse është e nevojshme, por mbi të gjitha i lirë e kryekëput i pavarur.
Në fakt, këtu hasim një ngërç. Pothuajse gjithçka është e kontaminuar. Ndoshta dikur, gazetaria kishte pavarësinë e saj. Po sot? Shpeshherë, gazetat janë shndërruar në reklama politike të atyre që kanë “fuqi supreme” mbi fatin e njerëzve të thjeshtë. Madje Karl Kraus shprehej dhe më ekstremisht se unë: “Si fillojnë luftërat? Diplomatët thonë gënjeshtra për gazetarët dhe pastaj besojnë, atë që lexojnë”.
Vazhdoj unë; shumë mundësisht, gazetaria e vërtetë po shkon drejt kapitullimit?! Sa keq!
Audiencës i serviren me pafytyrësi propaganda të pavlera, fiasko të vazhdueshme, hakmarrje personale, mllefe të brendshme për mospërmbushje interesash, përdhosje reputacioni e shkelje me të dyja këmbët të fjalës së lirë. Dhe askush nuk merr përsipër, asnjë përgjegjësi.
Pra gazetari, “në emër të lirisë së shtypit” mund të thotë një mal me broçkulla, të tregohet i paskrupullt e të abuzojë me fjalën, e cila duhet fetishizuar si perëndi në këtë fushë. Struktura e gazetarisë, tashmë është përmbysur dhe pyetjet ndërtohen ndryshe. Doni një shembull? Në vend të pyetjes “Kush” përdoret “ Kush do të jetë viktima e radhës”?
Tashmë, gazetari i (mos)varur shkon më larg, mjafton fakti që ai të dalldisë lexuesit, qoftë edhe duke ngritur hipoteza absurd apo duke u shndërruar në një fanatik të fiksuar. Ai nuk ngurron që ta shesë, dhe sapunin për djathë!
Siç thoshte dhe Oscar Wilde:”Gazetarët na kërkojnë gjithnjë falje privatisht, për atë që kanë shkruar kundër nesh, publikisht”.
Tragjikomizmi i këtij fenomeni po rritet me përmasa të frikshme. Lajmet provokuese, shantazhuese dhe të rreme e kanë anatemuar totalisht gazetarinë e pastër. Kjo është e trishtë dhe e rrezikshme njëkohësisht!
Vite më parë, gazetarët transmetonin emocione, sepse ata nuk ishin thjesht raportues lajmesh, por ndjenin përgjegjësi dhe ndjeshmëri ndaj audiencës. Një gazetar i tillë ka qenë Garcia Marquez. Në një intervistë, ai thotë se “Gazetaria është një pasion që s’njeh kufij, që mund të përvetësohet e të humanizohet vetëm nëpërmjet një përballjeje që nxjerr shkëndija kur ndeshet me realitetin. Vetëm ata që e kanë këtë pasion në gjak mund ta kuptojnë këtë tërheqje magnetike që ushtron ajo, pasion që ushqehet nga paparashikuesh-mëria e jetës”.
Në kaosin e artikujve të sotëm mungojnë paanshmëria, kredibiliteti, hulumtimi, raportimi i së vërtetës. Madje vihen re dukshëm mosrespektimi i standardeve ndërkombëtare të mirësjelljes, gjuha e mbushur me urrejtje, sulmet personale, shkeljet e privatësisë, manipulimi etj. Zhgënjyese dhe e padrejtë !
Gazetarin e mbron ai që e mbështet, ai që e blen apo e korrupton duke e depersonalizuar kështu, qoftë nga ana profesionale dhe nga ana humane. Rezultati i kësaj çmendurie është sendërtimi i tij në një buratin mediokër, që shikon vetëm hijet e aspak dritën. Kur vallë do të ndërgjegjësohet media, se po na imponon pa mëshirë idenë që bota është emfazë e së keqes ?!
Gazetari harron se karakterizohet nga dy veçori themelore. 1- ai mund të ofrojë një shërbim të çmuar, lajmin e saktë; 2- ai ka në dorë një armë metaforike, por po aq të fuqishme sa caduceo ose bastuni i Hermesit (lajmëtarit të Perëndive) ; mundësinë për të reaguar, sfiduar, promovuar, standardizuar të vërtetën, pse jo dhe për të përgenjeshtruar lajmet e rreme. Kështu mund të vendoset një lloj ekuilibri moral.
Gazetari është ai që dallon të vërtetën nga gënjeshtra dhe publikon gënjeshtrën, – po citoj Mark Twain.
Gjithsesi dua të tregohem pozitive dhe të them me bindje, se jo të gjithë gazetarët janë njëlloj. Paanshmëria duhet të mbetet alfa dhe omega e gazetarisë.

By admini