Botimet shqip në Mal të Zi, një hartë e vogël
Botimet shqip në Mal të Zi, një hartë e vogël Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Mal të Zi kohë më parë kanë mbajtur në Tiranë forumin “Botimet shqip në Malin e zi”. I ftuar nderi në këtë forum është Pavle Goranoviq, akademik dhe poet, njëherësh edhe drejtor i Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Malit të Zi.
Teksa do të flitet për arsimin shqip në Mal të Zi, bëhet me dije se pas reformës arsimore evropiane, e nisur në vitin 2004 dhe me shtrirje pothuaj 10-vjeçare, arsimi në shqip zhvillohet rregullisht. Atje ka 12 shkolla fillore, 4 të mesme, një gjimnaz privat në Ulqin dhe një fakultet të mësuesisë ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.
Të gjithë librat shkollorë nxënësit shqiptarë i kanë në shqip dhe është miratuar dhe Abetarja mbarëkombëtare shqiptare. Letërsia (në shqip) që mësohet në shkollat tona nëntëvjeçare në Malin e Zi, përfshihet sipas programit të bërë nga mësuesit më eminentë shqiptarë, program i cili është realizuar me sukses në librat e letërsisë, po nga autorët shqiptarë, nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë. Sipas programit të miratuar në vitin 2006, për lëndët gjuhë shqipe e letërsi në Malin e Zi, paraqitet kjo strukturë në tekstet letrare, pa llogaritur orët në dispozicion brenda programit me 20%.
Kësisoj nga i gjithë programi letërsi shqipe janë 169 tema ose 81%, letërsi e huaj janë 38 tema ose 19%. Nga vetë letërsia që zhvillohet brenda Malit të Zi, nga autorët shqiptarë që jetojnë në Malin e Zi ka 15 tema mësimore ose 7.5% dhe letërsi nga autorët malazezë që jetojnë në Malin e Zi – 17 tema mësimore ose 8.5%.
LETËRSIA SHQIPE NË MAL TË ZI
Liridona Sinishtaj do të flasë për autorë dhe vepra të letërsisë shqipe në Mal të Zi. Në një informacion paraprak, Sinishtaj thotë se zhvillimi i letërsisë shqipe në Mal të Zi është parë nën ndikime historike, gjeografike dhe kulturore, elemente këto që e kanë bashkëshoqëruar ecurinë e saj. Përfshirja e të gjitha botimeve shqip në Mal të Zi është e pamundur për një forum, prandaj ajo merret me letërsinë dhe autorët e saj duke u nisur nga disa piketa, të cilat i konsideron të rëndësishme për të njohur dhe kuptuar procesin letrar në këtë letërsi.
Botimet e para. Në Mal të Zi fillon të botohet me themelimin e revistë “Koha” në vitin 1978, përveçse promovoheshin krijuesit shqiptarë të Malit të Zi, botoheshin edhe përkthime të letërsisë malazeze dhe të huaj. Për arsye të mungesës së institucioneve botuese, deri në vitin 1990 botohej kryesisht në revista, ndërsa botimet libër bëheshin në kuadër të bibliotekave shkollore.
Shkrimtarët shqiptarë në Mal të Zi. Autorët që krijojnë edhe sot janë Asllan Bisha, Ibrahim Berjashi, Fran Camaj, Haxhi Shabani, Anton Gjuravçaj, Anton Gojçaj, Hajredin Kovaçi, Lumnije Hoxha, Enver Mollabeqiri, Suzana Llola, Rrok Gjolaj, Nikollë Berishaj, Syme Kokaj, Mark Lucgjonaj, Argëzon Sulejmani, Flutur Mustafa etj.
Të ikur në Kosovë. Përbërës i rëndësishëm janë edhe autorët shqiptar nga Mali i Zi që jetojnë dhe botojnë në Kosovë dhe diasporë si: Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Nikollë Ivanaj, Nol Berisha, Rexhep Qosja, Idriz Ulaj, Ali M. Ahmeti, Ali Llunji, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi, Anton Berishaj, Ndue /Nokë Sinishtaj, Jaho Kollari etj. Disa nga këta autorë janë pjesë e autorëve më të mirë të letërsisë shqipe, në këtë mënyrë ata janë marrë si modele shkrimi. Mund të themi se mungesa e tyre në krijimtarinë dhe jetën intelektuale në Mal të Zi ka shkaktuar një boshllëk kulturor.
Shoqatat botuese. Sot kjo letërsi ka dy qendra ku krijohet dhe botohet: Tuz dhe Ulqin. Në Tuz (Malësi) më parë ka pasur edhe disa shoqata botuese përveç revistës “Koha” që krijonin hapësira për botime si “Illyricum”, “Jehona”, ndërsa sot është vetëm një revistë “Malësia”. Ulqini si qendër më e madhe vazhdon të botojë, dhe çdo ditë e më shumë krijon hapësira të ndryshme për botimet letrare dhe jo vetëm. Duke filluar nga Shoqata e Botueseve “Art Club” me drejtues Ismet Kallaba, “DITI E OLI”, me botues Gazmend Çitakun, i cili mbështet krijuesit e rinj, revistat: “Lemba”, “Dija” dhe “Buzuku”, të cilat promovojnë zhvillimin e letërsisë dhe kulturës shqipe në Mal të Zi.
Dhjetëvjeçari i fundit. Nëse për një kohë të gjatë ka pasur një rënie të shkrimit dhe botimit të letërsisë, ose më saktë ishin vetëm disa emra që krijonin/njiheshin, sot kjo gjë ka ndryshuar. Sot, kemi disa shkrimtarë të rinj si në krijimtari ashtu edhe në moshë si: Argëzon Sulejmani, Mark Lucgjonaj, Flutura Mustafa etj., që janë zë i ri i domosdoshëm për zhvillimin e letërsisë shqipe në Mal të Zi.
Projekti ”Të lexojmë shqip” është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.