Çfarë propozojnë disa botues për leximet e verës me vepra e emra autorësh shqiptarë? Shpesh e vështirë për të klasifikuar letërsinë shqiptare si më të lexuarën, ndërsa botimet e autorëve tanë vazhdojnë të mbeten pothuaj “inferiorë” përballë letërsisë së huaj, edhe pse nuk ka një anketë sociologjike se çfarë lexojnë shqiptarët. Gazeta “Mapo” hap rubrikën e leximeve të verës, ku çdo javë do të sjellë sugjerime e propozime nga shtëpitë botuese jo vetëm për lexime shqiptare, por dhe autorë të huaj
….një libër, cilido libër, është për ne një objekt i shenjtë; Servantes, që ndoshta nuk ua vinte veshin gjithçkaje që flitnin njerezit, lexonte deri “kartat e grisura në rrugë”. Zjarri, në një nga komeditë e Bernard Show, kërcënon bibliotekën e Aleksandrisë; dikush bërtet se do digjet kujtesa e njerëzimit, dhe Çezari thotë: lëre të digjet. Eshtë një kujtesë poshtërsish….
Kur Borges flet mbi kultin e librave shfaqen dy komplekse: lexuesi dhe teksti, ku lexuesi si individ ka krijuar tashmë komunitetet interpretuese. Ajo çfarë vlerësohet si kritikë në diskutimet mbi veprën letrare, duke u mbështetur në eksperiencën e leximit është e vështirë në këtë mjedis letrar për të dhënë, interpretuar, e përshkruar efektet që vepra letrare ka mbi lexuesin. “Ne duhet t’i lëmë lexuesit të vendosin vetë…” – thotë Ann Jefferson dhe ka parasysh debatet që shtrihen tek kritika, për të zbutur tendencën e studiuesve që zhgënjejnë lexuesit. Deri vonë vërehej se lexuesi kishte një rol mjaft të vogël, pothuaj i mohuar në sfondin e komunikimit letrar. Kur tani pozicioni i tij, reagimi i lexuesit kërkohet me ngulm dhe shihet i veçantë, duke e nxjerrë rolin e leximit nga termat e sofistikuara. Në këtë kontekst leximi mbetet sfida më torturuese edhe për letërsinë shqipe, sidomos pas ’90-ës ku shteti nuk është makineria që nxirrte dikur mijëra kopje për konsum të ideologjisë. Botuesit e sotëm janë të alarmuar me shifrat e tirazheve, edhe pse kufinjtë e shqipes janë zgjeruar e shkruhet për 6 milionë banorë, ndërsa librat vështirë të arrijnë 300 kopje, tirazh. Në këtë sfidë botuesit ndajnë me vështirësi prurjet letrare nga autorë shqiptarë. Kur u kërkuam të ndanin me lexuesin tituj nga autorë shqiptarë, hezitimi ishte i natyrshëm. Vetëm disa prej tyre ndjekin procesin letrar, atë që konsiderohet jetë e brendshme letrare në vend, duke mos “sakrifikuar” me shkrimtarin shqiptar që ende mbahet nën raftet e librarive, pa asnjë motivim në treg, edhe pse stimujt si çmimet letrare ngjajnë pa impakt. Sporadike dhe shumë komerciale janë edicionet e verës kur propozimet u lihen në dorë shitësve të kioskave që mbajnë libra, pa ditur ç’mall është. Po ashtu lexuesi i çorientuar nga mosdija, dhe mospasja e informacionit gjen në të njëjtën tavolinë si librat bulevardeske, ato rozë dhe klasikë, pa dallim të huaj apo shqiptarë. Sidomos në stinën e verës kur pretendimet mbi leximin janë shumë herë rezultative, gazeta “Mapo” hap rubrikën e propozimeve që shtëpitë botuese në vend japin për autorë bashkëkohorë, dhe klasikë shqiptarë. Përzgjedhjet vijnë si më poshtë:
Zef Skiro di Maxho: Nëpër udhat e parajsit shqipëtar dhe arbëresh
Zef Skiro di Maxho që ngjan një poet që zbret nga bota arbëreshe e shekullit të 15-të krijon një udhëtim irreal: pamje nga bota “fizike” e parajsës dhe ferrit, si zgjim i udhëtarit të Horës në vende, në njerëz, me virtyte e të meta, të dashur e armiq…Ndërpër udhërat e parrajsit shqipëtar dhe arbëresh, Skiro sjell dy poema “gjysmë serioze” arbërisht me përkthim të lirë italian. Në një botim luksoz të shtëpisë botuese “Ombra GVG”, “Poemat arbëreshe”, janë poemat e sprasme tetërrokëshe të një tradite shumëshekullore, ku vetë poeti i ka quajtur 390 faqet e tij, se “këtu kullohet ari i letërsisë arbëreshe”!. Zef Skiro Di Maxho njihet si poet epik e satirik, lirik, dramaturg, përkthyes dhe publicist. Është autor i njëzet përmbledhjeve poetike, i disa poemave epiko-satirike, i pesëmbëdhjetë dramave e komedive, duke qenë i pranishëm në sa e sa antologji letrare brenda dhe jashtë Italisë. Në këtë botim dy poemat e mëdha: Nëpër udhat e Parrajsit shqipëtarë dhe t’arbëreshë (Udhëtim në Parajsën shqiptare) dhe Fatosat –trimat e rinj arbëreshë apo arsyeja e gjëravet, japin tablo të gjera, si afreske me shtrirje në hapësirë, skena që i lënë vendin njëra-tjetrës, skena rustike dhe onorike, personazhe të njohur për poetin në një poemë epike. Në udhëtimin e Skiro-së, ai shkel më këmbë në fusha, pyje, male, kodra, e përmes peripecive përshkrimi ka ironi, e mbushur me sarkazëm e humor, ku poeti krijon një vision satirik mbi pseudo intelektualët, e ligjeratat e ashtuquajtura punime shkencore, por njëkohësisht nderon ata që punuan e mbajtën gjuhën arbërishte.
Botimet Pika pa Sipërfaqe
Idlir Azizaj: Armiku i popullit pa emër
Botuar nga Pika pa Sipërfaqe, libri Idlir Azizajt, “Armiku i popullit pa emër”, është promovuar në Prishtinë, në këtë vit. Një libër që mban një temë aktuale, por pa qenë ekskluziv në aktualen, në të njëjtën kohë, të përbotshme e universale. Identiteti e tëhuajësimi me një rrjet referencash prej eruditi, dramaturgu, përkthyesi, autori Idlir Azizaj, sjell te lexuesi një “përrallë therrëse” apo, siç e quan vetë ai “përrallë politike”, me shkas deportimin e një shqiptari jashtë Kosovës me vulën ‘i huaj’. I gjendur në ‘tokën e askujt’, B.A., motivi, personazhi kryesor dhe narratori i veprës, fillon të meditojë rreth temës/ave që e preokupojnë… Nje aktivist politik shqiptar arrestohet nga policia e Prishtines, qe e hedh mandej në tokën asnjanëese mes Kosovs dhe Shqipërisë. Pa pasaportë, pa identitet zyrtar, pa mundur të lëvizë, i riu shqiptar detyrohet të endet në këtë no man’s land mes dy vendeve. Por me kalimin e kohës, nga problemi vetjak ai nis persiatjet mbi fasadën e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Kosovës. E pastaj mbi problemet e Ballkanit, mbi kulturën e harruar e të neglizhuar ballkanike.
Botimet “Dritëro”
Dritëro Agolli; Dashuri në moshën e Krishtit
Shtëpia botuese Dritëro, këtë vit dha për lexuesit librin “Dashuri në moshën e Krishtit”, i cili sjell një anë të panjohur të shkrimtarit. “Dashuri në moshën e Krishtit” përmban letrat intime të Dritëro Agollit shkruar për Sadijen në vitet 1964-1965, menjëherë pas njohjes dhe lidhjes së fortë me njëri-tjetrin. Njëri në Tiranë e tjetri në Shkodër, gjatë atyre dy viteve pritjeje për t’u bashkuar për gjithë jetën, ata shkruan shumë letra dashurie. Letra shkroi dhe Sadija për Dritëro Agollin, dhe ato përfshihen në këtë vëllim. Janë 44 letra të shkruara nga Dritëroi dhe 20 nga Sadija. Kanë qenë pa dyshim më shumë, por, në fashikullin Letërkëmbimi me Sadijen, 1964-1965, që shkrimtari e kishte sistemuar në gjallje të tij si një koleksion i gatshëm për botim, kaq janë ruajtur. Letërkëmbimi intim i Dritëro Agollit me Sadijen është vetëm një pjesë e epistolarit të tij. Si fashikuj më vete ruhen gjithashtu letrat me njerëz të njohur, letrat me lexuesit dhe letra të ndryshme. Por pjesa më e madhe e epistolarit të Dritëro Agollit ruhet në arkivat familjarë të miqve të tij. Koleksioni që botohet në këtë libër ka shumë rëndësi jo vetëm për të njohur botën brenda shkrimtarit, por dhe për faktin se tradita e letërkëmbimit intim në Shqipëri është shumë e varfër. Kanë ndikuar shumë faktorë për kufizimet e kësaj forme të shkruari, që nga analfabetizmi deri te kontrolli shtetëror mbi korrespondencën. Letërkëmbimi i Dritëro Agollit, si çdo letërkëmbim, i është adresuar një lexuesi të vetëm, së dashurës. Por nuk mund të përjashtohet dhe një lexues i projektuar, lexues i së ardhmes, lexues publik.
Botimet Dudaj
Enkelejd Lamaj: Ajo e errëta
Dy autorët që sugjeron botimet “Dudaj”, janë Enkelejd Lamaj dhe Esmeralda Petrela “Ajlen”. Libri “Ajo e errëta” ka një histori epike ku çdo vend ka (të paktën) një shtëpi të braktisur dhe çdo shtëpi e braktisur ka historinë e saj. Në Stora – fshat bregdetar pranë Sarandës – historia e shtëpisë së braktisur është e trishtë, e dhimbshme dhe e mbushur me terror. Ajo është djegur dy herë dhe në secilën prej herëve, një fëmijë ka vdekur mes rrënojave. Por kjo është vetëm njëra anë e historisë – ajo që dinë të gjithë. Ana tjetër është ajo e një bote të harruar e plot hije, që ekziston kudo, por nuk është askund dhe ku çdo gjë që ndodh, ndodh gjithmonë dhe përgjithmonë. Tre shokë – Lira, Alma dhe Oresti – duke rrëmuar mes viteve të pluhurosura dhe hijeve të harruara, zbulojnë se e shkuara kërkon të përsëritet. Njëkohësisht njerku i Lirës – shkrimtari Vilson Leka – mëson se gjithë suksesi i është shenjuar nga një prezencë e errët, që e ka tërhequr, dalëngadalë, drejt shtëpisë së braktisur. Ka ardhur vallë koha që një çmim të paguhet?! Dikush duhet ta zbulojë të vërtetën, përpara se të jetë tepër vonë. Sepse diku, mbi një shtrat prej hijesh, të një bote që aty është, por dhe nuk është, ajo e errëta hap sytë e saj prej zjarri.
Botimet Toena
Arben Braçe: Një jetë në tri botë, roman
Ky libër u kushtohet të gjithë atyre që kanë vuajtur pasojat e një sistemi politik të papërshtatshëm dhe të një drejtësie të korruptuar. “… gjithë jetën e vështirë që kishte kaluar, njerëzit kishin qenë makthi i tij. Ishte deri në kockë i zhgënjyer. Nga shtëpia nuk kishin mundur ta nxirrnin as në kohën e diktaturës. Tashmë s’ishte veçse një i moshuar. I kishte kaluar të tetëdhjetat. Nuk kishte kohë të priste drejtësinë e vonuar. Kishte jetuar në tri botë të ndryshme, shumë të ndryshme, tri botë që mund të çmendnin çdo gjeni, që nuk ngjasonin askund me njëra-tjetrën. Në trupin dhe në shpirtin e tij ishin zhvilluar eksperimentet më të çuditshme, sepse në vendin e tij eksperimentet sociale ishin krejtësisht të lejueshme. Jeta në botën ku ai kishte jetuar për dekada me radhë, përbënte truallin ku ushtroheshin “shkencëtarët e praktikës shoqërore”, të cilët i trajtonin si kavje në Laboratorin e Madh, pa u merakosur asnjë grimë për vuajtjet e tyre. Edhe atëherë kur ishte dukur sikur eksperimenti kishte përfunduar, duke pritur komunizmin që nuk do të vinte kurrë, mbi shpinën e tyre kishin hedhur “terapinë e shokut”, si një eksperiment tjetër në vazhdën e eksperimenteve të pafundme…”
Besart Varfi: Ne – novelë poetike
Një novelë poetike me fillim dhe mbarim. Një dritare e hapur në jetën e dikujt dhe po aq e vërtetë sa ç’është e vërteta e jetuar. Një ndërthurje, bashkëbisedim dhe bashkëvuajtje, dhe pse ndarë në qenie të ndryshme, në një zgjatje kohe, e cila s’matet vetëm me sekonda, orë dhe ditë, por me një shtrirje ndjenjash, me degëzimet e tyre, në sjellje a gjendje shpirtërore, që lindën e lindin mendime në një varg të pafund, të lidhura ngushtë në ekzistencën njerëzore. Janë ndodhi, diku aty nga fundi i viteve ’70 dhe fillimit të viteve ’80, siç tregohet nga ato që u shkruan ditë pas dite, disa herë në ditë; letra, poezi dhe aty-këtu disa biseda në tejzë (telefon), që u shndërruan në një gjuhë krejt të re, ku fjalët s’ishin më shenja a mbartëse mendimesh. Është historia e dy njerëzve dhe e një maceje. E asaj që, pas kaq mijëvjeçarësh, ka mbetur e pandryshuar, si të ish një perëndeshë e Nilit, ajo që ruante Pemën e Dijes dhe të Jetës, pjesa femërore e çdokujt. Është një kërkim i vetes brenda vetes, për të zbuluar thjesht dhe për të zhveshur nga çdo e tepërt, ndjesi dhe gjendje shpirtërore si të ishin fletë të saposhkruara të një rrëfenje nga Një mijë e një netët.
Shtëpia botuese Zenit
Dy libra të Konicës me pseudonim: Martesa e Lejlës; Sotiri dhe Mitka
Shtëpia botuese “Zenit” e vlerëson si ngjarje ardhjen e dy librave të Konicës, me pseudonim Gjoni i Krujës. Dy vepra krejtëissht të panjohura: Martesa e Lejlës dhe Sotiri dhe Mitka. Kultivimi i jetës, aftësive, individuales dhe qytetarisë drejt përparimit, të cilin, ‘kush nuk e kupton, e merr cakun e mendjes së tij për kufirin e botës’. “Dy romane, një libër. Dy emra, një autor: Gjoni i Krujës alias Faik Konica! Dy subjekte nga dashuria dhe atdheu, një objektiv: atdhedashuria. Dy kohë, mes shkrimit dhe zbulimit edhe botimit shqip: në mes, një shekull. E nëse shkruesi këtu është vërtet Faik Konica, sa është ky Faik këtu një Konicë i vërtetë? Sa është distanca nga një Faik te një Konicë, dhe cila do të ishte, në këtë rast, njësia matëse në domenin letrar, lëvruar prej shkrimit, dhe ajo e lëruar në terenin e kontekstit historik, prej rolit e përfshirjes edhe si misionar? Ç’peshë specifike ka jeta dhe shkrimi te jetëshkrimi i një tribuni të kësaj rëndësie, që e shpërngulte, sa lehtësisht aq me voli, ngado gjendej vetë edhe qendrën e rëndesës mbi artikulimin e lëvizjes kombëtare? Në ç’rrethana, emergjenca për akte veprash atdhetare, kushtëzon pakte me haraç tributi ndaj artit të veprës letrare, gjer flijimin e saj, caktuar për ujdi në këmbim kontributi, qoftë për çështjen kombëtare? Pa qenë korpusi “Albania” nuk do të qe Konica edhe i romaneve këtu, pse nuk do të qe as dyshimi kurajoz i zbuluesit të tyre se autori këtu është Konica. Sidoqë mbetet pezull pikëpyetja që si ky fakt të mos ketë qenë dëshmuar, më qartë se veç tërthorazi, nga epistolari i gjerë i tij apo te korpusi shumëpërfshirës “Albania”. Porse, kështu, nuk do të vinte as zbulimi i rrallë dhe nxitës drejt botimit këtu. I tillë që, duke përndjekur rastin e vet, i gjegjet nevojës sonë për shumëçka më tepër se vetë rasti. Si dhe domosdoshmërisë së njohjes më përtej, të një perkursori të gjuhës e letërsisë sonë moderne dhe ligjërimit urban. E prej këtej, edhe mirënjohjes. Madje, vetvetiu na bën për herë të parë kureshtarë që, në harkun kohor njëshekullor, të ndjekim lakoren qerthullore dhe ciklin që kryen një vepër e panjohur më parë e prej një stature me barrë historike dhe njëherit autor.”, shënon botuesi, Krenar Zejno
Botimet Dituria
Grigor Banushi: Simfonia e pambaruar
Inspektori Byzh nuk kishte asnjë koment për të dhënat personale të qytetarit Adrian Mara, viktimë e një sulmi më 18 shtator, në orën 18:10, në të dalë të Sen Orionit. Ngjarja u raportua nga polici i zonës, Zhylien Larme. Më pas qytetari Mara u dërgua në spitalin rajonal në Sen Deni. Megjithatë, Byzhi nuk duroi dot pa thënë dy fjalë, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen dhe nuk ndihmonin në zbardhjen e saj. Komentet e inspektorit ishin mënyra më e mirë për të mbushur disi boshllëkun e krijuar nga mungesa e të dhënave. Qytetari Mara nuk kishte kombësi franceze, çka mund të linte shteg për të dyshuar rreth ndonjë sulmi për arsye raciste. Byzhi ishte pak i çuditur dhe i befasuar nga kombësia e viktimës. “Un albanais”, tha me vete i habitur, pasi kombësia shqiptare e Adrian Marës nuk i thoshte ndonjë gjë. Ishte njëlloj si të ishte shkruar “pa kombësi”.
Ah, u kujtua më pas, Albanie. E vetmja gjë që dinte për Albanie dhe albanais ishte diçka që kishte lexuar në gazetë. Me sa mbante mend, para pak kohësh kryeministri i këtij vendi kishte vrarë veten. Një ngjarje e rrallë dhe e çuditshme për një vend europian, edhe pse krejt të panjohur. Ideja e kryeministrit të vetëvrarë iu duk intriguese dhe ndoshta shërbeu edhe si nxitje për t’u thelluar edhe më te qytetari Adrian Mara. Byzhi arriti ta shqiptonte në mënyrë korrekte emrin dhe mbiemrin e shqiptarit që kishte humbur kujtesën. Në fillim e shqiptonte Adrien Maré, apo Maró, por pastaj u mësua me shqiptimin jo francez të emrit dhe mbiemrit të personit, të cilit, ndoshta, do t’i kushtonte kohën e mbetur si inspektor i policisë së krimeve.
Botimet Mapo Editions
Duke qenë një ent botues që prioritet ka letërsinë dhe autorin shqiptar, së bashku me anekset e kritikës letrare, si dhe suplementin Mapo letrare, Mapo Editions shënon në axhendën e saj vetëm autorë shqiptarë, që për këtë vit kapërcejnë shifrën 10 të botimeve. Por në këtë rast kemi përzgjedhur vetëm dy romane, botuar së fundi si Kim Mehmeti, dhe fituesin e çmimit Kadare 2018, Virgjil Muçin.
Kim Mehmet: Pusi
Pusi – sepse njeriu është një pus kujtimesh e shkallë shprese. Me kalimin e viteve, njeriu bëhet pus i thellë, dhe shkurton shkallë të shpresave. Një ditë i mbeten vetëm kujtime si ato lulet që kacavjerren në buzet e pusit, atij real, e mbijnë brenda tij, ku fenomene të çuditshme lidhin gjithë historinë familjare, dhe imagjinatën nga fëmijëria, në rini e deri kur zhduken plotësisht shkallët prej tij, – ja, në këtë arkaikë sureale, shkrimtari Kim Mehmeti duket se ka “marrë mbeturinat” e romaneve të mëparshme, për të krijuar jetërrëfimin e ri.
I përfshirë në kolanën e autorëve të letërsisë bashkëkohore shqiptare të Mapo Editions, ky roman lexohet si një metaforë poetike, ku e vetmja notë autobiografike është shkrimtari. Një episod real që Kim Mehmeti e ka marrë nga ndjeshmëria personale kur del përpara publikut, kur i duhet të flasë e brenda tij, përplasen historitë, si duhet rrëfyer vetvetja.
Romani ndërtohet mbi një reflektim, e njëkohësisht ngjarje e tij, të një shkrimtari të njohur që është i ftuar të referojë ne konferencë të rëndësishme mbi jetën e tij. Por pse e ndërton një roman, nga një rrëfim publik i një shkrimtari? Kimi thotë: “…Unë jam shumë i ndjeshëm, e kam shumë frikë fjalën publike. Kjo është tjetër, sepse mund të jesh edhe orator. Por, veçanërisht tek të rinjtë jam shumë i ndjeshëm. Sepse atyre duhet t’jua ndërrosh ndonjëherë edhe mitin gënjeshtar, paragjykimin ndaj shkrimtarit, Kimit, se është njeri i mençëm, i mirë. Në këtë s’ka shumë të vërteta. Mirëpo unë u them se ju duhet ta mbroni këtë model. Kjo është situata e vetme ku unë duhet të jem ai Kimi që ata e paramendojnë, Kimi i vërtetë kur del në ato debatet. Kështu që kjo është një peshë shumë e rëndë, edhe përgjegjësi. Ndaj ky roman nismën e ka aty. Kjo ngjarje më ndodhi me të vërtetë, në Tiranë në daljet e TED. Unë e di se pjesa dërrmuese e lexuesve të mi janë të rinj, dhe ata që mua më vlerësojnë janë të rinjtë. Aty nisi pra, tek ai fjalim nisi çdo gjë derisa mua më erdhi kjo gjë, të rrëmbehem e të filloj romanin”.
“Piramida e shpirtrave, nga Virgjil Muçi
Pse zgjodhi një personazh në distancë nga Shqipëria për të ndërtuar një roman, si Piramida e shpirtrave?! Fituesi i edicionit të katërt të çmimit Kadare, Virgjil Muçi, përgjigjet: Kjo ishte mënyra më e mirë për të patur një optikë realiste, jo groteske, jo cinike mbi këtë vend”. Muçi u vlerësua nga juria me veprën në dorëshkrim “Piramida e shpirtrave” me motivacionin “Për mënyrën se si ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”. Romani “Piramida e shpirtrave” është një satirë e asaj që në mënyrë eufemistike si nga politika vendase ashtu edhe të huajt (këtu nuk mbeten pas as mediat) quhet periudhë tranzicioni në Shqipëri. Muçi shprehet se është përpjekur për të dhënë një tablo realiste të së përditshmes shqiptare, edhe pse është i vetëdijshëm se në këtë garë të pabarabartë shpesh realiteti ia kalon fantazisë më pjellore, duke e bërë shkrimtarin të ndihet i pafuqishëm. Mark Mara – një shqiptar, që nuk kishte shkelur ndonjëherë në Shqipëri dhe, pikërisht vjen si një bir plangprisësh për të zbuluar “dheun e të parëve” dhe befas shikon diçka që, nga iluzioni zbret në një realitet që dërrmon gjithçka. Ky është personazhi i “Piramida e shpirtrave”, që sheh në distancë, ftohtë, kaosin, njerëzit, shpirtrat e tyre në një nga periudhat më të brishta shqiptare, siç ishte koha e piramidave financiare. Përgatiti: V.Murati
Projekti ”Të lexojmë shqip” është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.