Në Ulqin, për herë të parë nga fillimi i sistemit shumëpartiak, një kuadër nga partitë joshqiptare, në qershor të vitit të kaluar u zgjodh kryetar i komunës. Zgjedhja e Loro Nrekiqi nga radhët e DPS-it me numër impresionues të votave të këshilltarëve shqiptarë të Kuvendit komunal të Ulqinit u prit me njëfarë shprese edhe pse dihej fakti se partia e tij është në qeverisje më shumë se një dekadë në këtë qytet, shkruan Ulqini Online.
”Do ti çelim ventilat” ishte shprehje më e shpeshtë që përdorte kryetari aktual i Ulqinit Loro Nrekiq me anën e së cilës linte te kuptonte se me ardhjen e kuadrit të DPS-it në krye të Ulqinit do të fillonte edhe zhvillimi ekonomik dhe fillimi i investimeve në këtë qytet.
Situata në këtë fillim viti në qytetin tonë është larg së qenit e mirë për të mos thënë se kurba ka vazhduar tëposhtën me shpejtësi të friksshme.
Drejtori i Drejtorisë tatimore, Miomir M. Mugosha, para disa ditëve në një intervistë të tij dhënë TV Vijesti tha se komunës së Ulqinit mund ti bllokohet llogaria bankare për shkak të pagesës së parregullt të taksave dhe kontributeve. Situatë edhe më e rëndë sa i përket kësaj çështjeje është edhe në ndërmarrjet publike, të cilave dy nga to, NP ”Ujësjellësi dhe kanalizimi” dhe NP ”Veprimtaritë Komunale” tashmë iu është bllokuar llogaria.
Situatë e rëndë vazhdon të jetë në RTV Ulqini të cilët kohë më parë përmes Sindikatit të mediave të Malit të Zi kishin njoftuar kryetarin e komunës Loro Nrekiqi dhe drejtorin e Drejtorisë tatimore, Miomir M. Mugosha për situatën e rëndë në këtë institucion. Të punësuarve në RTV Ulqini iu detyrohen rreth 100 000 euro për taksa dhe kontribute si dhe rreth 15 rroga neto.
Nga ana tjetër, drejtori i Ndërmarrjes për Kultivimin e Egërsirave “Ulqini” në një shkrim të tij për situatën në këtë ndërmarrje ka treguar se ”se buxheti i planifikuar nga ana e Komunës së Ulqinit për këtë ndërmarrje që disa vite është realizuar me një mesatare nën 50%, gjë që ka reflektuar në rritjen e obligimeve”.
Në qeverisje vendore të Ulqinit përveç DPS-it janë edhe të gjitha subjetet politike shqiptare, pa përjashtim, dhe pothuajse nuk ka opozitë fare sa i përket numrave. Prej 33 këshilltarëve, 30 të tillë i takojnë koalcionit qeverisës, dhe shifra të tilla do të duhej të përkthehej në punë dhe rezultate të larta.