Në mungesë të institucioneve kulturore shqiptare në Mal të Zi, “Art Club”-i shpeshherë konsiderohet si një institucion shkencor dhe kulturor i shqiptarëve në Malin e Zi.
Intervistë me Ismet Kallabën, kryetar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” – Ulqin
Na flisni për historikun e shoqatës “Art klub”?
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” është njëra ndër organizatat më të vjetra të shoqërisë civile, jo vetëm ndër shqiptarët por në tërë Malin e Zi. Ajo është themeluar nga një grup i dalluar i krijuesve dhe intelektualëve të Ulqinit në fillimet e proceseve pluraliste, saktësisht më 28 dhjetor 1990, që domethënë se këto ditë shënojmë 28-vjetorin.
Megjithatë, më me rëndësi është puna dhe veprimtaria e saj gjatë këtyre viteve. Në këtë drejtim, me krenari mund të them se “Art Club”-i është shndërruar në sinonim të kulturës, artit dhe shkencës shqiptare në Malin e Zi. Në mungesë të institucioneve kulturore shqiptare në Mal të Zi, “Art Club”-i shpeshherë konsiderohet si një institucion shkencor dhe kulturor i shqiptarëve në Malin e Zi.
Misioni kryesor i shoqatës sonë është ruajtja, promovimi dhe integrimi i kulturës, letërsisë, artit dhe shkencës shqiptare në Malin e Zi.
Çfarë tubon rreth vetes kjo shoqatë?
SHAI “Art Club” tubon rreth vetes numrin më të madh dhe më të njohur të krijuesve dhe studiuesve shqiptarë nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, një pjesë e të cilëve jetojnë dhe veprojnë jashtë. Aktualisht kemi rreth 35 anëtarë, të cilët kontribuojnë në mënyrë vullnetare, në mesin e të cilëve ka shkrimtarë, gjuhëtarë, piktorë, gjeografë, historianë, regjisorë, muzikantë, gazetarë etj.
Na i përmendni manifestimet dhe ngjarjet tjera që shënohen nga kjo shoqatë
Ndër aktivitetet kryesore të Shoqatës është veprimtaria botuese. “Art Club”-i është botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi. Deri tani kemi botuar rreth 140 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi. Në këtë kuadër, po përmendi edhe revistën “Fati” dhe revistën për fëmijë dhe të rinj “Zana”, që janë botuar më herët, kurse për momentin botohet revista për art, kulturë dhe shkencë “Lemba”.
“Art Club”-i ka organizuar shumë manifestime kulturore, që nga konferencat shkencore, prezantimi i personaliteteve të ndryshme, përurimi i librave, takimet letrare, ekspozitat figurative dhe fotografike, ka dhënë shfaqje teatrale etj.
Shoqata ka organizuar me dhjetëra takime shkencore, tryeza të rrumbullakëta dhe manifestime të tjera. Ndër të tjera ka organizuar sesione shkencore kushtuar autorit të parë të librit shqip, Gjon Buzukut, mandej Ymer Prizrenit, njërit ndër udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sesionin shkencor mbi pozitën aktuale të gjuhës shqipe etj.
“Art Club”-i është po ashtu bashkëthemelues i Panairit të Librit në Ulqin dhe subjekti i vetëm që ndanë çmimin tradicional për të arritura në art, kulturë dhe shkencë ndër shqiptarët në Malin e Zi.
Natyrisht, njëra prej veprimtarive tona më prestigjoze, me traditë tashmë 26-vjeçare, është manifestimi letrar “Kalimera Poetike”, të cilit nga ky vit i është dhënë emri i poetit të ndjerë dhe studiuesit të njohur të letërsisë, prof. Dr. Basri Çapriqi, njërit prej ideatorëve dhe kontribuesve më të mëdhenj të këtij manifestimi.
Vitin e shkuar nga ana Juaj u organizua manifestimi “ Kalimera Poetike- Basri Çapriqi”, ku kanë marrë pjesë edhe shumë poet nga Maqedonia. Mund të na i përmendni disa prej tyre?
Synimi i manifestimit “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” është prezantimi i vlerave më të mira të letërsisë shqiptare, pavarësisht ku krijohet ajo, duke e parë letërsinë shqipe si një të tërë. Po përmendi vetëm disa prej mysafirëve të këtij manifestimi që lexuesi të krijojë një ide më të qartë: Fatos Arapi, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Enver Gjerqeku, Xhevahir Spahiu, Mehmet Kraja, Ridvan Dibra, Xhuzepe Skiro di Maxho, Agron Tufa, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Mira Meksi, Kim Mehmeti, Flutura Açka, Ag Apolloni etj. Përpos tyre, në “Kalimerën Poetike” janë organizuar mbrëmje autoriale edhe me shkrimtarët malazezë: Jevrem Brkoviq, Mlladen Llompar, Zuvdija Hoxhiq, Andrej Nikollaidis, Mirash Martinoviq etj., dhe me shkrimtarë të tjerë nga rajoni, si akademiku kroat Luko Paljetak, shkrimtari slloven Slavko Pregl, shkrimtari Enes Haliloviq nga Novi Pazari etj. Pra, “Kalimera Poetike” është një veprimtari elitare, ku krahas artit të fjalës ndërthur edhe artin pamor pasi që në kuadër të saj hapen edhe ekspozita figurative të piktorëve më të njohur shqiptarë.
Në edicionin e sivjetshëm, krahas mbrëmjes homazh për Basri Çapriqin, janë organizuar mbrëmje autoriale me poeten dhe skenaristen Natasha Lako dhe poetin nga Tetova, Salajdin Salihu. Takimi letrar me z. Salihu ishte i veçantë për publikun e pranishëm. Ne kemi nevojë që të njihemi më tepër me njëri-tjetrin, më saktë me letërsinë shqipe që krijohet në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët sepse kam frikë që copëtimi i trungut shqiptar në disa shtete, ka ndikuar në fragmentarizimin e letërsisë shqipe dhe mosnjohjen e saj sa duhet nga vetë shqiptarët. Prandaj takimet e tilla i shërbejnë këtij qëllimi, që autori të komunikojë me publikun dhe lexuesin e tij.
Në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike – Tiranë keni bërë përurimin e librave. Cilat libra janë promovuar?
Njëra ndër veprimtaritë e Shoqatës “Art Club” është shënimi i ngjarjeve dhe i datave me rëndësi kombëtare. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike – Tiranë gjatë këtij viti kemi organizuar në Ulqin dy aktivitete me rëndësi: shënimin e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është shënuar me një veprimtari shkencore me temë “Trevat shqiptare veriperëndimore në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Dihet që trevat shqiptare që sot i përkasin Malit të Zi kanë qenë pre e luftrave pushtuese të shteteve fqinje, që janë sanksionuar me vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit. Sa për informacion, në Ulqin e ka varrin Ymer Prizreni, njëri prej udhëheqësve të LSHP-së.
Ndërkaq me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Ulqin kemi organizuar një veprimtari përuruese, me ç’rast është bërë paraqitja e katër botimeve të Akademisë së Studimeve Albanologjike: Aleks Buda “Studime për Skënderbeun”, Konstantin Jireçek “Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare”, Pranvera Bogdani “Balshajt – Lufta e Principatës së Balshajve dhe sundimtarëve të tjerë shqiptarë kundër Venedikut në 20 vjetët e parë të shekullit XV” dhe Eduard Caka “Regjistri i Sanxhakut të Arvanidit i vitit 1431”.
Krahas Akademisë keni bashkëpunime edhe me organizatat tjera apo klube letrare. Në ç farë niveli është bashkëpunimi juaj me këto shoqata?
Ne kemi bashkëpunime me disa shoqata apo klube letrare, siç janë Shoqata e Shkrimtarëve – Shkodër, Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Durrës” etj. dhe krijuesit tanë marrin pjesë në festivalet e ndryshme letrare që organizohen.
Megjithatë, më duhet të pranoj se ky lloj bashkëpunimi mund të jetë në nivel edhe më të lartë, por jemi të vetëdijshëm që të gjitha shoqatat veprojnë në bazë vullnetare, ku mungon përkrahja financiare që është çelës për çfarëdolloj organizimi.
Për fat të keq, deri tani nuk kemi pasur rastin që të prezantohemi si shoqatë në qytetet shqiptare në Maqedoni dhe nuk kemi bashkëpunim me ndonjë shoqatë simotër këtu, por jemi të hapur për bashkëpunim dhe ky do të jetë synimi ynë në të ardhmen.
Si qëndron bashkëpunimi juaj me institucionet kulturore në Mal të Zi dhe më gjerë?
Kultura shqiptare në Malin e Zi është e margjinalizuar. Ajo mbështetet shumë pak nga institucionet shtetërore apo komunale. Politika kulturore e shtetit të Malit të Zi është e prirur drejt monolitizmit në fushën e kulturës pavarësisht se Mali i Zi deklarohet si vend multikulturor. Prandaj edhe ai lloj bashkëpunimi që ekziston, më tepër është i njëkahshëm dhe buron nga vetë subjektet kulturore shqiptare.
Ndërsa sa i përket bashkëpunimit me institucionet kulturore jashtë Malit të Zi, edhe në këtë aspekt nuk mund të lavdërohemi për ndonjë bashkëpunim institucional, por edhe ato që ekzistojnë janë më tepër falë lidhjeve individuale. Shqiptarët në Malin e Zi janë të përjashtuar nga kalendari i përbashkët kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ministritë e kulturës së dy shteteve shqiptare nuk e ndihmojnë fare kulturën shqiptare në Malin e Zi, ndërsa kemi përvoja të vendeve të rajonit që i ndihmojnë pakicat e tyre në shtetet fqinje pikërisht përmes artit, kulturës dhe shkencës sepse e shohin atë si strumbullar për ruajtjen e identitetit kombëtar të pakicës së vet.
Sa ka mundur shoqata juaj të ruajë dhe të krijojë poet dhe krijues të rinj?
Vetë shoqata jonë ka lindur si rezultat i bashkimit të një grupi të krijuesve, të cilët e kanë çmuar se në mënyrë të organizuar do t’i realizojnë më mirë qëllimet e tyre në fusha të ndryshme. Ata e kanë parë shoqatën si një nxitje dhe mbështetje në punën e tyre.
Lindja e krijuesve të rinj është një punë që varet nga shumë faktorë shoqërorë, duke nisur nga shkolla, vetë pasioni për letërsinë apo fusha të tjera, talenti etj. Ajo që ne kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë është nxitja e të rinjve për t’u marrë me krijimtari. Pikërisht për këtë qëllim ne organizojmë Karvanin e shkrimtarëve vendas, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, ku vizitojmë shkolla të ndryshme në gjuhën shqipe në Malin e Zi duke mbajtur orë letrare.
Sipas Juve vitit që po e lëmë pas sa ka qenë i suksesshëm dhe cilat janë planet për vitin e ardhshëm apo më mirë të themi aktivitete që do të organizohen në 2019?
Viti që po lëmë pas ka qenë në vazhdën e veprimtarisë sonë të deritashme. Krahas aktiviteteve tradicionale, jemi përpjekur dhe besoj kemi arritur të organizojmë disa veprimtari të suksesshme.
Sa i përket vitit të ardhshëm, në fillim të çdo viti miratojmë programin e punës së shoqatës, ku parashikohen aktivitetet që do të realizohen. Por programi ka më tepër karakter orientues sepse shumëçka varet nga mbështetja e projekteve tona. Prandaj do të mjaftohem për momentin të them se do të organizojmë manifestimin tradicional “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, do të botojmë rreth 5-10 titujve të rinj dhe organizojmë përurimin e tyre, do të shënojmë Ditën Botërore të Poezisë dhe Ditën Ndërkombëtare të Librit, do të marrim pjesë në disa panaire të librit, por sigurisht edhe disa aktivitete të tjera.
Sa lexojnë të rinjtë në Mal të Zi?
Hulumtimet e ndryshme tregojnë për rënien e numrit të lexuesve klasikë, jo vetëm në Malin e Zi, por kudo në vendet e rajonit dhe botës. Kjo kuptohet që para së gjithash është e shprehur tek të rinjtë. Megjithatë, mendoj se kemi të bëjmë më tepër me atë që studiuesit e medias dhe të komunikimit e cilësojnë si “krizë e shtypit”. Nuk duhet të harrojmë se sot kemi më shumë burime të informacionit dhe të rinjtë, sidomos, informohen nga burime të ndryshme. Në këtë kontekst, libri klasik sigurisht e ka humbur primatin e tij. /zaman/