Nga Frank Shkreli
Mediet shqiptare njoftojnë se Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta ka nisur dje një vizitë zyrtare në krye të një delegacioni në Kalabri të Italisë, në kuadër të Vitit të shpallur Mbarë-kombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit -Skënderbeut. Pritet që Presidenti Meta, gjatë kësaj vizite, të takohet edhe me homologun e tij, Presidentin e Italisë, Z. Sergio Mattarella, e të cilët së bashku do të takojnë arbëreshtë dhe përfaqsuesit er tyre vendor dhe fetarë. Ndërkohë, me të arritur dje në Kalabri, Presidenti shqiptar u prit nga Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, Gerardio Mario Oliverio, njofton gazeta e Tiranës, Telegraf. Njoftohet se gjatë këtij takimi, Presidenti Meta vuri në dukje raportin e ngushtë mes Shqipërisë e Kalabrisë, ndërsa shtoi se, “Kalabria është shumë e rëndësishme për ne, sepse këtu është zemra e bashkësisë arbëreshe të zhvendosur në Itali që në Mesjetë. Ju jemi mirënjohës që kanë ruajtur gjuhën, traditat, zakonet, identitetin që nga koha e Skënderbeut. Është meritë e tyre, por edhe e kalabrezëve dhe italianëve, që i kanë mirëpritur”, është shprehur Presidenti Meta. Ndërsa Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, Oliverio vlerësoi lartë vizitën e kreut të shtetit shqiptar si një sinjal shumë domethënës për bashkëpunimin mes dy vendeve, duke nënvizuar lidhjet e vjetra historike dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy popujve, si dhe rolin e rëndësishëm të bashkësisë arbëreshe në rajonin e Kalabrisë, në këtë drejtim. “Është një bashkësi që ka treguar përgjatë shekujve se si kultura, ekzistenca, ruajtja e traditave dhe gjuhës, por sidomos integrimi i tyre në Itali, kanë treguar se kjo është rruga e drejtë për të ilustruar mesazhet e paqës dhe bashkëjetesës”, citohet të ketë thënë Presidenti i rajonit të Kalabrisë, Gerardio Mario Oliveiro, në takimin e tij me Presidentin e Shqipërisë Z.Ilir Meta.
Gazeta Telegraf raporton se të dy personalitet vlerësuan rolin e arbërësheve gjatë Rilindjes dhe bashkimit të Italisë, duke nënvizuar faktin se vizita e kreut të shtetit shqiptar në Shën Mitër Korona nesër, së bashku me Presidentin italian Mattarella në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut është historike dhe shumë e rëndësishme jo vetëm për komunitetin arbëresh, por edhe për të gjithë Rajonin e Kalabrisë dhe Jugun e Italisë, duke pasur parasysh edhe ndjeshmërinë dhe lidhjet e veçanta që Presidenti Matarella ka me arbëreshët.
Një meritë të veçantë për këto lidhje dhe për rolin që kanë lujatur gjatë shekujsh arbëreshët e Italisë, për të cilat folën Zotërinjtë Meta dhe Oliveiro, e ka Jeronim De Rada, i cili konsiderohet edhe si rilindasi i parë i lëvizjes kombëtare. I lindur më nëntor të vitit 1814 në fshatin Makji (Macchia Albanese), bir i një prifti katolik i ritit kishtar bizantin, ai fillon në moshë të re, duke ndjenur me katundarët arbëreshë, të mbledhte këngët popullore arbëreshe. Kështu i hyri në qejf edhe përdorimi i gjuhës së stërgjyshëve të tij, për t’a përdorur atë si një mjet letrar. Mbledhë këngët nga goja e popullit dhe në vitin 1936 shkon në Napoli dhe boton poemthin Milosao. De Rada vazhdon të shkruaj poema si dhe veprën “Divinazioni Pelasghie”, në të cilën deklaron vjetërsinë e gjuhës shqipe. Kështu zuri fill dituria arbënore. Në një biografi të hollësishme të De Radës, përmbledhur nga Ernest Koliqi dhe botuar në një numër të veçant të revistës Shejzat të vitit 1964, kushtuar 150-vjetorit të lindjes De Radës — shënohet se në vitin 1845, Jeronim De Rada takon në Napoli Demetrio Kamarda-n, një “shqiptar i vërtetë me mend e me zemër”, me të cilin thuhet se takohej shpesh për të biseduar, “rreth ringjalljes shqisore e morale të kombit të përbashkët, ma i vorfnuemi ndër atdhena të njerëzvet”. Përveç veprave të shumta, përfshirë Milosaon dhe botime mbi historinë shqiptare, De Rada fillon në vitin 1848, botimin e “L’Albanese d’Italia”, që konsiderohet si revista e parë shqiptare. Merr pjesë aktive në lëvizjet për ringjalljen e Italisë, por me deshtimin e tyre, ai këthehet në vendlindjen e tij Makji, një fshat prej “600 frymësh, pa gjyqtar, pa kryetar bashkije, pa xhendarë: aty linda i lirë e pa frej sundimi.”
Në vitin 1849 themelon katedren e gjuhës shqipe në Kolegjin Shën Adrjan, ku vet merr përsipër mësimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në vitin 1861 boton “Antichita della lingua Albanese” dhe më 1866 ka botuar “Rapsodie d’un poema abanese”, një përmbledhje këngësh popullore arbëreseh që lartësojnë emrin shqiptar ndër qarqet kulturore të kohës. Në vitin 1868 del i pari vëllim i “Skanderbeut të pafanë” i De Radës i pasuar nga vëllimet 2, 3, 4 dhe 5. Në vitin 1983, ai fillon botimin e të përkohëshmes, “Fiamuri i Arbërit” e cila vazhdon të botohet deri në vitin 1888. Në vitin 1892 i ngarkohet rishtas mësimi i gjuhës shqipe në Shën Mitër me dekret të Ministrit të Arsimit, Pasquale, Villari, një mbështetës i madh i Jeronim de Radës dhe i kulturës arbëreshe. Ndërron jetë në Shën Mitër me 28 shkurt, 1903, në varfërinë më të thekësuar dhe në vetminë më të madhe, pa pasur asnjë njeri për tu kujdesur për të.
E sjelli këtë shënim modest për të kujtuar dhe nderuar Jeronim De Radën, në këtë muaj të lindjes së tij dhe në kuadër të Vitit të shpallur Mbarëkombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, të cilit ai në veprat e tija, shumë i këndoi dhe gjithmonë e kujtoi. Shpresoj që edhe vizita, këto ditë, e Presidentit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta në komunitetet arbëreshe të Italisë, në kuadër të veprimtarive me rastin e Vitit të shpallur Mbarëkombëtar Heroit tonë, Gjergj Kastriotit -Skënderbeut – të kujtohet Jeronim De Rada dhe të gjithë arbëreshët e Italisë, të cilët brez pas brezi, për më shumë se 500-vjetë në dhe të huaj, kanë ruajtur gjuhën shqipe, traditën dhe kulturën kombëtare. Ashtuqë — siç është shprehur edhe Ernest Koliqi në një editorial kushtuar De Radës me rastin e 150-vjetorit të lindjes së tij – “Na Shqiptarët që morëm në dorëzim nga De Rada amanetin e lanun Arbëreshvet prej Skanderbegut, d.m.th. pasqyrimin e Shqipërisë së lirë, duhet t’i jemi mirënjohës Poetit të Makjit, por edhe vëllazënvet gjuhe e gjaku, që nen qiella të huaja, atë amanet ruajtën me besniki të patrandëshme”. Ndërsa përfundon duke thënë se, “Nepër poezi e apostullatë të Jeronim De Radës, Arbëreshët e Italisë, kryen at vepër të mistershme shpërblimi njerzor e kombtar, që i Nalti Perëndi u përcaktoi atyre, kur në një stinë duhije e tmeri, lanë brigjet e Atdheut dhe mërguan në një vis të huaj, me ikona fetare e me hire shqiptare.”
550-vjet nga vdekja e Gjergj Kastriotit Skenderbe dhe ç’prej largimit të një pjese të madhe të shqiptarëve nga brigjet e Atdheut drejtë Italisë, pas ikjes nga kjo e jetë e Mbrojtsit dhe Heroit të tyre, fati i Kombit shqiptar ka kaluar kohë të vështira, me mundime dhe vuajtje. Ashtu si edhe pa kohës së Skendërbeut, sot një përqindje e konsiderueshme e popullit shqiptar objektiv ka largimin nga Atdheu, duke synuar brigje dhe vende të huaja. Fatkeqësisht, siç ka shkruar edhe Eqrem Vlora, “Çdo popull duhet të pagoj tagrin e caktuar nga natyra e vet për të kaluar sëmundjet foshnjore që ia turbullojnë fillimin e një jete të re. Edhe ne po e pagojmë këtë tagrin: herë në mundime të brendshme, herë me vështirsinat që na shkakton moskuptimi i jashtëm. Nuk kemi kujt t’i ankohemi. Për marritë që kemi bërë, po bejmë edhe do të bëjmë vet. Lutemi që Zoti na dhëntë durim edhe koha harrim… Mos kuptimet e të huajve na kanë ndaluar ose vonuar zhvillimin e plotë të idealeve kombëtare. Dikush na ka kujdisur, dikush na ka patur besim e dikush nuk na ka druajtur. Me dashje ose pa dashje, të gjithë na kanë dëmtuar! Duhet të flasim haptazi se kështu sigurisht nuk e kanë ëndërruar De Rada edhe shokët e tij zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare!” ka shkruar Eqrem Vlora me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Arbëreshit të njohur.
Mund të shtojmë se në 550-vjetorin e vdekjes së tij besoj se edhe Gjergj Kastrioti Skenderebu do të ishte tepër i zhgënjyer me zhvillimet aktuale të proceseve kombëtare me ato ato që po ndodhin sot në botën politike shqiptare.