Midhat Frashëri ulur midis At Gjergj Fishtës dhe Monsinjor Nikollë Kaçorrit në Kongresin e Manastirit, 1908

Nga Frank Shkreli

Njoftohet se qeveria shqiptare ka vendosur që eshtrat e Midhat Frashërit, njërit prej nenshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe njërit prej figurave më të dalluara të kulturës dhe letrave shqipe, të këthehen në Atdhe nëntorin që vjen, me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Ky vendim, sipas medies, është marrë bazuar në kërkesën e Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo” dhe kryetarit të këtij instituti, Z. Uran Butka.

 

Nuk e di se sa serioze është kjo klasë politike shqiptare për një pajtim të vërtetë kombëtar, pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit, por megjithëkëtë, vendimi për kthimin e eshtrave të Midhat Frashërit në Atdhe është për t’u përshendetur, si një hap në drejtimin e duhur. Vonë, por më mirë vonë se kurrë.  At Gjergj Fishta, Poeti i Kombit dhe mbrojtësi i zjarrtë i të drejtave të shqiptarëve – i ulur aty pranë Midhat Frashërit në foton e Kongresit të Manastirit siç mund të shihet më poshtë – e pyet veten: po unë çfarë të keqe i bëra Kombit tim që më ka hedhur në harresë?!  Fatkeqsisht, eshtrat e At Gjergj Fishtës janë hedhur në lum nga regjimi i Enver Hoxhës me shpresën se kujtimi i tij do të zhdukej njëherë e për gjithmonë nga faqet e historisë së shqiptarëve, por ka mënyra të tjera për të nderuar këtë kolos të Kombit Shqiptar. Fatkeqsisht, nuk ekziston një vullnet i mirë për të nderuar Fishtën, por duhet të durojmë dhe tu japim kohë, sepse sië është shprehur Tolstoji, “Ushtarët më të fortë në jetë janë koha dhe durimi”.  Prandaj them më mirë vonë se hiç!  Pajtimi Kombëtar e kërkon një gjë të tillë.

 

Por, sot përshëndesim vendimin e qeverisë shqiptare për të kthyer në Atdhe eshtrat e Midhat Frashërit, patriotit dhe personalitetit të njohur të Kombit. Dua ta përshëndes këtë vendim të qeverisë së Shqipërisë duke kujtuar, me këtë rast, Midhat Frashërin me një shkrim të përditësuar, kushtuar atij botuar disa vjetë më parë, pikërisht me rastin e 65-vjetorit të vdekjes së tij.

 

 

 

Më 3 tetor 1949, në hotelin Lexington në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, ndërroi jetë i mërguar dhe larg Atdheut, Midhat Frashëri, biri i Abdyl Frashërit dhe nip i rilindasve Naim Frashëri dhe Sami Frashëri.  Unë deshta ta kujtoj atë në këtë përvjetor, natyrisht për vet meritat e këtij burri të madh, trashëgimtar i familjes së madhe rilindase të Frashënlijve, mendimtarit, shkrimtarit, politikanit, dhe mbi të gjitha Shërbestarit të Shqipërisë, siç e quanin bashkohësit dhe bashkluftarët e tij. Unë nuk e ndjejë veten as të denjë dhe as të informuar mirë që në këtë përvjetor të vdekjes së Midhat Frashërit, të shkruaj mbi jetën dhe aktivitetin e tij politik dhe atdhetar.   Por, po e shënoj këtë përvjetor me një kujtim modest, në emër të disa bashkombasve të mi, dikur bashkpuntorë të ngushtë të Midhat Frashërit – e të cilët nuk janë më – por të cilët i kam njohur dhe me disa prej tyre kam pas fatin e mirë që në rininë time të punoja me ta tek Zëri i Amerikës, gjatë 1970-ave dhe në fillim të ’80-ave, pasi besoj se po të ishin gjallë nuk do t’a lenin këtë rast të kalonte pa thënë diçka për mësuesin dhe udhëheqsin e tyre të dashur.

 

Midhat Frashëri, si themelues dhe kryetar i Ballit Kombëtar, për ta   ishte jo vetëm një udhëheqës politik, por konsiderohej edhe si një udhëheqës shpirtëror, si një shëmbull patriotizmi të vërtetë dhe atdhedashurie të shëndosh.  Në ambientin e zyrës ku punoja me këta patriotë, pothuaj nuk kalonte asnjë ditë që njëri ose tjetri prej tyre të mos përmendëte diçka nga kohët e vështira që kishin kaluar me Midhat Frashërin, të cilëve, si besnikë të tij që ishin, ai iu referohej atyre si “djemtë e mijë”.  Këta janë ndër ata që kishin ecur këmbë për këmbë me Midhat Frashërin, ose siç e quanin shpesh edhe me pseudonimin, Lumo Skendon, që për ta ishte bërë si emër i dytë i tij.   “Lumua ka thënë kështu, Lumua më ka thënë këtë….”, ishte pothuaj një refren i përditshëm në bisedat me ish-kolegëve të mi.  Kujtimi i tij rrahte në zemërat e tyre dhe ishin të përbetuar që të ruanin kujtimin dhe porositë e tij dhe njëkohsisht të luftonin me dije e penë për të çuar në vend amanetin e Midhat Frashërit, për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një Shqipëri të Shqiptarëve, siç thonin ata. Ata e bënë këtë, secili në mënyrën e vet, deri në fund të jetës së tyre.

 

Ish-kolegët e mi, flisnin për udhëheqsin e vet, si njërin prej tyre, i cili thonin ata, ishte i thjeshtë e i dashur me të gjithë – gjithmonë me ta, gjatë luftës nepër borë e shi e të ftohtë, si në fitore ashtu edhe në humbje.  Ata kujtonin arratisjen e tyre nga Shqipëria me lundër nepërmjet Shkodrës për të shpëtuar kokën nga Enver Hoxha, kur çlirimi i vendit fatkeqsisht u zëvendësua me sundimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, i cili detyroi që shumë prej bijve më të mirë të kombit të arratiseshin e të merrnin rrugët e botës.  Ata kujtonin jetën me Midhat Frashërin nëpër kampet e refugjatëve në Itali dhe gjetiu, në gjëndje shumë të vështira të asaj kohe, pa mbështetje dhe pa shpresë, shpesh edhe pa ushqim të mjaftueshëm.   Pasi e dinin se isha i lindur në trojet shqiptare nën-ish-Jugosllavinë, kolegët e mi më flisnin shpesh për pasionin e thellë dhe dashurinë që Midhat Frashëri kishte pasur për Kosovën dhe për trojet shqiptare në përgjithësi, theksonin ëndërrën e tij për një Shqipëri Ethnike.  Megjithë humbjen politike dhe megjithë vuajtjet nepër rrugët e mërgimit, të gjithë ish-kolegët e mi, pothuaj pa përjashtim, pohonin se megjithë humbjen përball situatës së zymtë të pas luftës si përfundim i fitores së komunizmit dhe të ndarjes së tyre me familjet që kishin lënë pas, ndonëse ata vet kishin humbur shpresat, ishte Midhat Frashëri ai, i cili, i frymëzonte ata, u jepte shpresë, u jepte forcë për të shikuar me optimizëm drejtë së ardhmes.  “Shpresa mbahet me punë dhe ideal”, ka shkruar Midhat Frashëri dhe pyetjes se “Cili duhet të jetë ideali ynë? , ai i është përgjigjur duke thënë se ideali ynë, “Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.”

 

Kisha dëgjuar aq shumë prej tyre për personin dhe veprimtarinë e Midhat Frashërit, si njeri dhe si një rilindas i shquar, mbi travajët e tyre gjatë dhe pas luftës, sa që pas disa viteve me ta, pothuaj e ndjeja veten si të kisha qenë pjesë e atij grupi të nderuar bashkadhetarësh, megjithse isha shumë më i ri nga mosha.  Prandaj, me këtë rast dua të kujtoj Midhat Frashërin, por edhe ata që kanë qenë afër tij dhe të cilët kam pasur nderin dhe privilegjin t’i njoh për së afërmi.  Pikëspari Zonjën e nderuar Lulu Vrioni, të mbesën e Midhat Frashërit dhe për mendimin tim, ndoshta spikerja më e mirë që kam njohur unë.  Talat Karagjozi, i cili më thoshte se Midhat Frashëri i kishte vdekur në duart e tija dhe kurdoherë që fliste për të, i mbusheshin sytë lotë, pasi nga ajo ditë e sot, mendohet se me të këthyer në Amerikë, Midhat Frashëri u helmua pas deklaratës që kishte bërë në radion BBC të Londrës në lidhje me formimin e lëvizjes anti-komuniste në mërgim dhe pas themelimit të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, kryetar i së cilës ishte zgjedhur Midhat Frashëri.   Ndër të tjerët “djemë” të Midhat Frashërit të asaj gjenerate, me të cilët kam punuar,  kanë qenë Xhevat Kallajxhiu, Ruzhdi Daca, Gaspër Kiçi, Bardhyl Pogoni dhe jashtë zyrës së VOA’s ishin  Dr. Tako Bacaj,  Ramazan Turdiu, pastaj djemtë e Profesorit dhe gjeografit të njohur dhe kartografit të parë shqiptar nga Kosova, Ahmet Gashit – autorit  të parë të gjeografisë  së Shqipërisë më 1935 — vëllëzërit  Dr. Faton Gashi dhe Prof. Luan Gashi i Lidhjes Kosovare, jeta e të cilëve ishte plot veprimtari patriotike dhe kontribute edhe për vendin e adaptuar, Amerikën – njëri mjek i dalluar e tjetri profesor i shkencave politike, e i cli njihej si profesor që adhurohej shumë nga studentët e tij universitarë amerikanë.  Kujtimet e këtyre ish-kolegëve e miqëve të mi për Midhat Frashërin – ish-udhëheqsin dhe mësuesin e tyre – janë bërë tani edhe pjesë e kujtimeve të mia, përshtypje të cilat i kujtoj me nderim në këtë 65- vjetor të vdekjes së Midhat Frashërit, djalit të Abdyl Frashërit dhe nipit të Naimit dhe Sami Frashërit.

 

Ishin këta ish kolegë të mi gazetarë, të cilët çdo ditë dhe në çdo moment, profesionin e tyre përpiqeshin ta merrnin tepër seriozisht.  Ishin të “shkollës së vjetër”, ashtu siç i donte dhe siç i kishte mësuar Midhat Frashëri, i cili rolin e gazetarit e kishte çmuar shumë, duke thënë se gazetarët duhet të jenë “njerëz të idealit” dhe “me ndërgjegje të lartë kombëtare”. Shtypi, ka shkruar ai, duhet të jetë “kopshti i një jete morale, shkolla e së vërtetave politike dhe shoqërore, predikimi për zhvillimin mendor dhe shpirtënor, e një disipline vullnetare e një rregulle të inspiruar prej amorit dhe dashurisë, duke kupëtuar drejt dhe vërtet interesin tëndë”.   Ideja e tij ishte se shtypi i lirë që do t’i shërbente interesave të kombit dhe të shoqërisë duhej “të drejtohet nga njerëz të zotë dhe profesionistë”, duhej të jetë, sipas Midhat Frashërit, në “Duar të dënja, në njerëz të zotër, të paisur me cilësi dhe virtute të naltë”.

 

Në fjalimin e tij të famshëm në BBC e Londrës, në vjeshtën e vitit 1949, Midhat Frashëri iu drejtua shqiptarëve kudo që ishin duke paralajmëruar se kombi shqiptar po e kuptonte më në fund se çfarë kishte sjellur fitorja e komunizmit në Shqipëri, duke thënë se, “Kadalë, kadalë raca Shqiptare, ajo racë së cilës nuk i mungon asnjë virtyt njerëzor, ajo racë që vuan por edhe që ndjen, që ofshan por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi, filloi të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun edhe fatkqesinë, në të cilën e hodhën matrapazët komunistë.  Po i çilte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj”.  Ai e pat përfunduar fjalimin e tij duke shprehur shpresën se të gjithë Shqiptarët do ta kenë shpirtin dhe mendjen gjithmonë për të mirën e Shqipërisë.  “Kjo”, ka thënë ai, “është lutja jonë ndaj Zotit të Madh dhe lusim që gjithnjë Shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë Shërbëtorët e Shqipërisë.”

 

Fatkeqsisht, ky trashëgimitar i denjë i Rilindjes kombëtare – jo vetëm që në Shqipërinë e tij të dashur nuk konsiderohej si Shërbestar i Atdheut, por përkundrazi, historia komuniste e ka etikuar atë gjithnjë me njollosjen si “reaksionar”, madje edhe “tradhëtar” të kombit.  E cilin? Midhat Frashërin, djalin e Abdyl Frashërit! Midhat Frashëri i Kongresit të Manastirit ku së bashku me At Gjergj Fishtën vendosën themelet e alfabetit shqip!  Midhat Frashëri i Konferencës së Paqës në Paris edhe aty së bashku me At Gjergj Fishtën e Mons Bumçin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!  Midhat Frashëri i cili me fjalime e shkrime, nepër konferenca ndërkombëtare dhe me deklaratat e tija në gjuhë të ndryshme, me fanatizëm ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar!  Shpresojmë që kjo të ndryshojë me kthimin e eshtrave të ti Shqipëri.

 

Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike të kombit, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin!  Historia e vërtetë shqiptare do ta thotë fjalën e fundit.  Kjo është arsyeja pra që Midhat Frashëri Meriton të kujtohet gjithmonë dhe nga të gjithë shqiptarët kudo, pa marrë parasyshë ndryshimet në pikëpamjet politike dhe ideologjike midis tyre.  Në këtë rast, po të mund të fliste, Midhat Frashëri do t’i këshillonte shqiptarët se ka ardhur koha për “të përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre”, ashtuqë më fund ata të fitojnë luftërat që e presin kombin, për realizimin e një jetë më të mirë për brezat e ardhëshëm.

 

Mjaftë me mëkatet që u janë bërë patriotëve si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta!  Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin!  Shpresojmë që vendimi i qeverisë shqiptare për të kthyer në Atdhe eshtrat e Midhat Frashërit, të jetë fillimi i një rishikimi të historisë dhe i rivelerësimit të kontributit që kanë dhënë për Kombin shqiptar, patriotët shqiptarë si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta. Është një vendim i mirëpritur, ndonëse i vonuar, por më mirë vonë se kurrë!

 

 

 

 

 

 

 

By admini