zyhni-beqiraj(Rreth librit “Mall për Ulqinin në këngë”)

Shkruan: SHPENDI TOPOLLAJ

Libri “Malli për Ulqinin në këngë” i autorit Zyhni Beqiraj, më shumë se një album letraro – muzikor është një himn që i kushtohet vendlindjes së të parëve, një himn nga ata që qëndron brenda shpirtit të secilit nga ne dhe prej nga buron gjithçka na bën krenar. Ndërthuren në të proza, poezia, historia, muzika dhe fotografia, por mbi të gjitha dashuria. Dashuria për njerëzit në radhë të parë që i japin atij qyteti të magjishëm aq hijeshi edhe kur banojnë në të, edhe kur janë larg tij, por edhe kur nuk janë më në këtë jetë. I shkruar me kaq ngrohtësi, ndjenjë, emocion, thjeshtësi dhe sinqeritet, ai të lë shijen e ëmbël të një proze të vërtetë poetike, ku gjithçka të rrok syri gjatë leximit, të ndjek mbrapa dhe ta shton jo vetëm dijen për këtë qytet të stërlashtë shqiptar, por dhe respektin për bijtë e tij dinjitozë të cilët kudo që i përplasën dallgët e fatit, mbetën me mendje nga Ulqini. Ka një lidhje të habitshme, deri dhe të një ngjashmërie historike, midis qytetit tonë Durrësit dhe Ulqinit të cilin ky autor, si bir i tij, pohon se ka mbetur i lirë falë shpirtit të paepur dhe të mbushur me vlera dhe virtyte. Rrethanat historike e sollën që shumë ulqinakë të largohen familjarisht nga vatrat e tyre dhe me instinktin e marinarëve të regjur që ndër shekuj e kanë “gdhendur” mbi valë traditën fisnike të detarisë, të vendosen në Durrsin përherë mikpritës. Ata janë shumë, mbiemrat e tyre janë të shumtë dhe vepra e tyre na bën nder të gjithëve. Njeri nga këta, natyrisht që është edhe vetë autori i këtij libri i cili me mirësinë, mençurinë dhe sidomos urtësinë e tij ka fituar konsideratën e kujtdo. Pasi kreu studimet e larta në degën e Fizikës, Zyhniu ka punuar gjatë si mësues dhe drejtues i disa shkollave, derisa i është ngarkuar edhe detyra e Drejtorit të Arsimit dhe Kulturës në Rreth. Kjo i dha atij mundësinë që falë cilësive të tij; ndershmërisë, përkushtimit dhe nivelit të lartë profesional, të bëhet një figurë e njohur dhe e vlerësuar. Reputacioni që fitoi i dha mundësinë t`i besohen detyra edhe më të rëndësishme, derisa në demokraci u zgjodh edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Kudo që punoi, mbeti po ai njeriu modest dhe i përzemërt i cili ishte mik i kujtdo, pa paragjykuar se cilës forcë politike i përkiste. Ai është shembulli kuptimplotë për të treguar se asnjë titull nuk vlen para qenies Njeri. Dhe pse ka mbetur i tillë, ai nuk resht së punuari dhe  krijuari vargje dhe tinguj, ku predikon të mirën, të bukurën dhe harmoninë. Ndaj ai ndihet i gëzuar përsa bën, pasi e di se Aristoteli thosh se “Po të ushtrosh gjithnjë dhuntitë e tua, ke gjetur lumturinë e vërtetë.”

Prof. dr. Ruzhdi Ushaku në një libër që ka shkruar shprehet se “Ulqini… është dhe mbetet një trevë joshëse, me një të kaluar historike specifike e atraktive, trevë ku shekujt paluan faqe të lavdishme por edhe të errëta të jetës, të njohura dhe të panjohura, që presin të shpalosen, të përjetohen dhe të përjetësohen me fuqinë e argumentit shkencor dhe me fuqinë artistike, si dy të vërteta jetësore që shpesh shkojnë krahas, gërshetohen e plotësohen mes veti.” Pikërisht këtë synon edhe vepra e Zyhniut kur grumbullon jetë, fakte, vlera qytetare e kontribute atdhetare të atyre bijve e bijave të atij vendi, prindërit apo gjyshërit e të cilëve u shkulën prej andej, pa e nxjerrë asnjëherë nga zemra atë që pasi provoi shumë emra, Ptolemeu e quajti Ulkinion, tetëmbëdhjetë shekuj më parë. Dhe e gjithë kjo, është në vazhdën e mbajtjes nga vetë Zyhniu, të asaj unazës stërgjyshore (1820) ku shfaqet shqiponja jonë dykrenore.

Shumica e familjeve ulqinake në Durrës nuk iu ndanë detit. Ata punuan nëpër anije të ndryshme, në detyra të ndryshme dhe qenë të shumtë ata që u bënë kapedanë (gjithsej 78 familje të lidhura me detin). Pas çlirimit të Shqipërisë, anijet u a sekuestruan, por vetë ata vunë përvojën, mundin dhe djersën e tyre në krijimin e Flotës tonë detare. Kur lexon emrat që ata u kishin vënë anijeve të tyre, sheh se sa e donin atdheun: Ylli i Dritës, Lulja e Kujtimit, Liria, Elbasani, Fieri, Kotorri, Lulja e Ulqinit, Lulja e Shkodrës, Vlona, Taraboshi, Drini, Tomorri, Bashkimi etj. që më pas u zëvendësuan me emra dëshmorësh a ngjarje të rëndësishme nga koha e luftës. Madje, në libër shënohen edhe pronarët që i kishin ato dhe tonazhi. I parë kështu, dhe sidomos kur ndesh atë pafundësi familjesh ulqinake me gjenealogjinë dhe historitë e tyre, nuk ka se si të mos admirosh durimin, vullnetin, këmbënguljen dhe pasionin e autorit. Ashtu sikurse në retrospektivë, na dalin parasysh njerëz të shquar si Eqerem e Xhevdet Lazja (Hero i Punës Socialiste), Gani Gorana, Isuf e Rifat Fani, Ali e Hysni Çinari (oh, çfarë njeriu!), Aishe Stari (Mjeshtre e Madhe e Punës), Mustafa Beqiraj, Enver Kotorri, Melek Kalamishi, Ahmet Luli, Sadete Çuçi, Fuat Bilali, Ahmed Kapedani, Burhan Truma, Kabil Haxhimolla dhe natyrisht Heroi i Popullit Mujo Ulqinaku, etj. etj. të cilët me veprën e tyre kanë bërë emër në qytetin tonë e më gjerë. Po ashtu, konturohen edhe drejtues në Ulqin që kanë përkrahur dhe çuar më tej bashkëpunimin midis dy qyteteve si Fuad Nimani e Gëzim Hajdinaga. Zyhniu nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe artistë të shquar si sopranua Gjylie Pelingu apo intelektualja dhe poetja e talentuar Gladiola Busulla.

Por një hapësirë të rëndësishme, ai i kushton krijimtarisë së tij si autor tekstesh dhe kompozitor, duke krijuar këngë që me të drejtë dikush uron që ato të zenë vendin e merituar, sidomos në repertorin e muzikës ulqinake. Ja ç`thotë vetë ai për to: “Unë jam përpjekur që në tekstet e këngëve të mia të dashurisë dhe ato të potpurisë me kangë dasme … tekstet të jenë sa më pranë këngëve popullore të trevës së Ulqinit si: zanë malit, drita – diellit, faqe kuqe si gjaku, vajzë e bukur, shtatin si selvia, syt e bukur, si një lule, dhamët si inxhija, vetullat por si hark, jeleku me gajtana, hillalleku me dupje ari, sa e bukur nusja na ka dalë, zemrat det i gjanë, por si flutur, por si lulja e blinit, por si ylli plot dritë, si zambaku i bardhë, vetullat hark por si gajtan, kuq si maragjyli, sytë plot dritë, zemërbardhë, gojëmjaltë, me ma të bukrën vajzë, shndrit porsi hana, etj.” Mjafton të dëgjosh disa prej tyre dhe sidomos “Sonte djalin e martojmë”, “Sot në dasmën tonë” e ndonjë tjetër që të bindemi për këtë. Kurse te “Kalaja e Ulqinit”, ndihet forca e frymëzimit nga lavdia e së shkuarës: Hej, ti kala Ulqini,/Madhështore sot qëndron,/Dhe për ty flet historia,/Zemrat peshë na i çon. Vetëm ai që e ka parë nga afër këtë kala të ndërtuar pesë shekuj para erës së re, dhe që mbetet dëshmitarja më autentike i sa e sa ngjarjeve të mëdha, i përjeton deri në fund emocionet që përftohen nga tingujt e ngrohtë të Zyhni Beqirajt.

Personalisht i kam dëgjuar thuajse të gjitha këngët e tij dhe më kanë lënë një ndiesi mjaft të këndshme edhe për faktin se Zihniu ka ditur të bashkëpunojë me figura të shquara si Qemal Kërtusha, Matish Gjeluci, Kastriot Tusha, Ylli Ramzoti, Juljan Gjojdeshi e plot të tjerë. Veç duhet shtuar se ndofta sot më shumë se kurrë, duhet treguar më shumë interes për afrimin e krijimtarisë me motivet e mrekullueshme popullore prej të cilave, lot ne dalin nga sytë.

Aktualisht, Zyhni Beqiraj drejton shoqatën kulturore “Ulqini” dhe lexuesi sheh në këtë libër veprimtarinë e saj të shumëanshme. Gjithashtu, cilido kupton se ç`gjëra të mira e të vyera mund të bëjnë shoqatat e ndryshme, kur mbisundon ndershmëria, kultura dhe qëllimi i vërtetë atdhetar, sikurse karakterizohet i palodhuri Zyhni i cili vazhdon ta mbajë me nder në gisht atë unazën stërgjyshore, me figurën e papërlyer të shqiponjës me dy krerë. Ja përse Leo Rosteni besonte se “Qëllimi i jetës është të jesh dikushi, të përfaqësosh diçka që jeta që jetuam të sjellë një ndryshim qoftë edhe të vogël në këtë botë.” Dhe Zyhni Beqiraj ka arritur të jetë dikushi. /Koha Javore/

By admini