foto nga: konica.al

Ulqini ka qenë një qytet i vlerësuar jo vetëm për bukurinë natyrore, por edhe për mundësitë tregtare që ofronte. Këtë gjë e ka vënë si fillim re udhërrëfyesi gjerman Arnold fon Hafr (Arnold von Harff, 1471 – 1505) në vitin 1497 kur ka qëndruar në Ulqin. Në këtë udhëtim, siç edhe ai e thekson “qytet të vogël dhe të bukur shqiptarë” erdhi, pasi në shkurt të atij vit nga Venediku u nis me anije për në Aleksandri.

Në Shqipëri ka vizituar edhe Durrësin dhe Sazanin.

Nga ky udhëtim Harf ka shënuar, me ortografinë gjermane, 26 fjalë, 8 fraza dhe emërtimet e numrave në shqip nga 1 deri në 10, 100 dhe 1.000.

Ky fjalorth i vogël shqip-gjermanisht është botuar për herë të parë në vitin 1860 në Këln.

Në shkrimet e tij të udhëtimit ai përmend gjithashtu edhe se ulqinakët në vitin 1845 kishin rreth 53 njësi të vogla, me 14 brigandina, 12 trabakuj, 20 fëllunga (lloje anijesh e varkash) e 7 barka të tjera, të cilat ishin ndërtuar të gjitha prej vetë ulqinakëve.

Pjesa më e madhe e anijeve dhe e varkave që kishin ulqinakët merrej me transportimin e kripës dhe një pjesë tjetër (me personel krejtësisht shqiptar) merrej me transport udhëtarësh nga Ulqini në vijën Shkodër-Trieste, Shkodër-Venedik e anasjelltas.

Kjo gjë bënte që flota e ulqinakëve t‘i krijonte një konkurrencë të madhe flotës tregtare të Austrisë.Vaji i ullirit i qarqeve të Ulqinit dhe të Tivarit eksportohej në Austri, ndërsa ai që prodhohej në Lezhë, shkonte i gjithi për nevojat e vendit në Shqipëri.

Gjuetia e peshkut ishte një e drejtë monopol i qeverisë, e cila ia jepte të drejtën ndonjë sipërmarrësi, i cili duhet të paguante 100000 piastra (kartëmonedhë e kohës), në vit. Prodhimi vjetor i kalonte nevojat e vendit dhe kështu që ai çohej nëpër krahinat e tjera më të afërta.

Po kështu edhe gjuetia e saragave (sardeleve), ishte gjella e zakonshme e popullsisë katolike për festa. Në netët e errëta të vjeshtës, fshatarët që banonin në bregun e liqenit, ndiznin zjarre të mëdhenj.

Kjo bëhej me qëllim për të tërhequr drejt bregut tufat me sardele që vinin me shumicë në disa vende të veçanta të ngritura enkas nga peshkatarët, të cilat më pas me rrjetat e tyre i kapnin ato pa vështirësi.

Prodhimi vjetor i sardeleve shkonte në rreth 2-3000 okë, e cila përveç një sasie të vogël, eksportohej e gjitha në Dalmaci dhe në Itali. Ndërsa sasia që mbetej për nevojat e vendit, shitej në Shkodër dhe rrethinat e saj me 1½ grosh oka.

Vendi më i pasur me sardele ishte bregu i Malit të Zi, kështu që gjuetia e sardeleve ishte një nga aktivitetet më fitimprurëse dhe të majme të Vladikës.

Edhe në kohërat e luftërave në mes Stambollit dhe Malit të Zi, kur në vend mbizotëronin vrasjet, djegiet, plaçkitjet e tmerret e luftës, bregu i liqenit gëzonte një qetësi të madhe. Dhe shqiptarë e malazezë gjuanin bashkërisht peshk dhe fitimin e ndanin si vëllezër.

Qefulli gjendej me shumicë jo vetëm në liqenin e Shkodrës, por edhe në liqenet e tjerë më të vegjël që ndodheshin në anën e djathtë e të majtë të Bunës dhe ai shitej deri në 1 grosh oka.

Putarkat (sardelet) e qefullit thaheshin në diell dhe më pas eksportoheshin në Stamboll dhe Venedik. Më të mira ishin ato që kapeshin në muajin tetor, kurse ato që kapeshin në periudhën e verës ishin më të mëdha, por më pak të shijshme.

Po kështu edhe ngjalat vinin me shumicë nga deti, sidomos në periudhën e vjeshtës. Peshkimi i tyre bëhej duke ngulur në lumin Buna (në vendin afër urës që gjendet te pazari), disa vargje hunjsh, të vendosura në një kënd të mprehtë 30 gradë, me majë nga deti.

Krahët e koshave ishin të mbyllura dhe ndërsa uji kalonte, ngjalat ngecnin brenda rrjetës apo thesit që vihej nga peshkatarët në majën e koshave. Në këtë mënyrë ngjalat që donin të dilnin nga liqeni për në drejtim të detit, binin në ato kosha.

Duhet thënë gjithashtu se në Ulqin ka pasur dhe farkëtore e cila ka filluar të punojë në çerekun e parë të shekullit XIV dhe ishte në funksion gati një qind vite.

Në të është farkëtuar nga bakri monedha autonome e qytetit. Ekzistonin tre lloje të monedhave të Ulqinit.

Në anën e përparme të njërës ishte, për shembull, qengji “Agnus Dei” me flamur, ndërsa përreth i shkruar teksti “MONETA DE DULCINO”. Në anën e pasme ishte Zonja e Bekuar me Jezu Krishtin në duar.

Monedha autonome e qytetit është  farkëtuar deri në vitin 1426 kur Ulqini pranon pushtetin suprem të Republikës Venedikase me kusht që “të ruhet autonomia e qytetit”. /konica.al/

By admini